Rikthimi i maturantëve në shkollë, Ministrja Shahini: “UNICEF Albania, partneri ynë më i mirë në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve”

333
Sigal

Ditën e sotme, maturantët janë rikthyer nëpër shkolla nën rregulla shumë strikte të distancimit social dhe higjienës, teksa tek çdo shkollë e rihapur janë marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor deri më datë 5 qershor.
Në këtë kuadër, përmes një postimi në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini nuk ka lënë pa falënderuar edhe “UNICEF Albania” si një prej partnerëve kryesorë të MASR në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve.
“UNICEF Albania ka qenë dhe mbetet partneri ynë më i mirë në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve. Kësaj radhe mbështetën shkollat me përgatitjet për kthimin e maturantëve në shkollë, me një pjesë të pajisjeve mbrojtëse kundër COVID-19. Thanks to your amazing support @robertodebernardi dhe për angazhimin tënd të vazhdueshëm @mirlindabushati”, shkruan Ministrja Shahini.
Mes datave 18 maj – 5 qershor, maturantët do të zhvillojnë lëndët që janë provime ku përsëriten temat që u përkasin provimeve kombëtare sipas programit orientues, pa përfshirë pjesën e programit për temat që janë marrë gjatë mësimit në kushte të shtëpisë.
Nxënësit dhe stafi mësimor do të ndjekin protokolle strikte për hyrje-daljet në ambientet e shkollës, lëvizjet në mjediset e brendshme të shkollës dhe respektimin e distancimin social dhe fizik mes nxënësve dhe mësuesve gjatë zhvillimit të mësimit.