Provimet e shtetit, ja dokumentet dhe rregullat për aplikantët

2154
Sigal

AKP: Provimet e shtetit fillojnë në javën e tretë të nëntorit. Pagesat sipas herës së pjesëmarrjes

Agjencia Kombëtare e Provimeve njofton të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionet e rregulluara të mësuesit, mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të imazherisë dhe teknikut të laboratorit se:

– Provimet i shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e katërt të dhjetorit 2014.

Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (më poshtë AKP) me adresë: Rruga: “Naim Frashëri”, Nr. 37, Tiranë.

Kandidati duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit.

Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me:

– letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal);

– kopje të Kartë ID ose Pasaportë;

– faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP në një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP) sipas herës së pjesëmarrjes;

– në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.

Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:

1. ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s’kualifikimi;

2. ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit;

3. ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.

Të gjithë kandidatët, duhet të verifikojnë emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të AKP te rubrika lista e kandidatëve. Në rast pasaktësie në të dhënat, të interesuarit duhet të të kontaktojnë në adresën [email protected] si dhe të njoftojnë përpara se të hyjnë në ambientin e provimit.

Pagesa e faturës

Një nga dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikantët për provimin e shtetit është dhe fatura e pagesës së tarifës për llogari të AKP-së në një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP) sipas herës së pjesëmarrjes. Kështu, aplikantët që hyjnë për herë të parë në provim duhet të paguajnë 10 000 lekë, ata për herë të dytë 12 500 lekë, për herë të tretë 15 000 lekë, për herë të katërt 17 500 lekë dhe për herë të pestë 20 000 lekë.

10 000 lekë për herë të parë

12 500 lekë për herë të dytë

15 000 lekë për herë të tretë

17500 lekë për herë të katërt

20 000 lekë për herë të pestë