Prof. Dr. Bajram Hysa: Arsimi i lartë, çështje kombëtare me përparësi

1214
Hartimi dhe zbatimi i ligjeve në vendin tonë kërkon njerëz të aftë dhe të ndershëm. Nuk është e lehtë të gjesh njerëz të tillë, sepse jo të gjithë të ndershmit janë të aftë dhe jo të gjithë të aftët janë të ndershëm. Si pedagog dhe drejtues me përvojë në sistemin e arsimit te lartë, kohët e fundit kam sugjeruar mendimet e mia në disa artikuj të botuar në shtypin e përditshëm, me qëllim që komisioni për hartimin e projektligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor të përgatiste një draft të denjë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, sipas standardeve dhe referencave më të mira evropiane.
***
Por projektligji i paraqitur, i cili tashmë ka shkuar për miratim në Parlament, nuk u përngjan modeleve të arsimit që kanë aplikuar vendet e BE-së. Ai është një model i përçudnuar, i cili ofron një perspektivë jo optimiste për arsimin e larte, duke iu larguar sistemit të vlerave për të cilat u zhvilluan shkenca dhe arsimi, që janë vlera reale dhe me kuptime konkrete në jetën tonë të përditshme. Nuk e di sa e ndiejnë përgjegjësinë anëtarët e komisionit për atë që kanë krijuar dhe a mund të marrin ata një kosto përgjegjësie, por desha të theksoj se kur bëhet fjalë për ligje bazike, kaq të rëndësishme, paradoksalisht gjithmonë ekziston një përpjekje jo e përgjegjshme qe e dështon dhe e pengon procesin e reformës ne arsim, si projekti më i madhërishëm njerëzor. Kjo është, as më shumë e as më pak, një dëmtim i vetvetes dhe përfaqëson një sistem që çon në vlera të jashtme totalitare apo posttotalitare e kontrolluese, duke e bërë kështu sa dramatike, aq dhe komike procesin e modernizimit, duke krijuar ashiqare mundësinë për të rënë në kurthe tragjike, në pengesa e gremisje. Intelektualët shqiptarë ka kohë që shtrojnë pyetjen: përse në bashkësinë tonë shkencore, bashkësinë politike, arsimore dhe kulturore ne nuk jemi të aftë t’i lidhim interesat dhe aftësitë tona me komunikimin, edukimin dhe kulturën civile të demokracisë? Kam përshtypjen se kjo pyetje, edhe për shumë kohë, mund të mbetet pa përgjigje.
***
Pritëm më kot që komisioni për hartimin e projektligjit në fjalë, të vlerësonte debatin, konfliktin e përqasjeve e të zgjidhjeve që vinte nga stafet akademike universitare. Por, për ironi, bota akademike u zhvendos me “takt” në hije. Akademikët u lodhën së qeni akademikë, një fatalitet ky që nxënësit dhe studentët tanë, e gjithë shoqëria shqiptare po e përjeton si një rrezik të madh, si një fat të keq, që mund ta zhysë në fund të detit anijen tonë të demokracisë dhe integrimit. Prej kohesh në Europë është bërë normë që drafteve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor u paraprin mendimi dhe sugjerimi i botës akademike universitare, nëpërmjet një procesi shumëplanësh dhe transparent, në raport me Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Por zëri i akademikëve dhe përfaqësuesve universitarë nuk u dëgjua plotësisht, vetëm një pjesë e kërkesave të tyre u mor në konsideratë në variantin përfundimtar të projektligjit. Shkurt nuk u bë një prapaktheu korrektues nga varianti i parë, ashtu siç u tha, u sugjerua dhe pak a shumë u pranua, por u ndoq kjo logjikë jo normale me një pasion këmbëngulës. Kjo ngjarje tregon më së miri se po shkojmë drejt një depersonalizimi të dukshëm të demokracisë, drejt një arrogance zyrtare që duhet të na shtyjë të mendohemi thellë.
***
Projektligji për arsimin e lartë, sipas konceptit të hartuesve dhe promovuesve të tij, është i mirë për shtetin, paçka se nuk është i mirë për shoqërinë! Hajde ta zbërthejmë këtë logjikë të mbrapshtë: Për të realizuar këtë marrëdhënie shtet-universitet kërkohet padyshim një pavarësi e dyanshme, bazuar në sovranitetin unik të gjithsecilit. Shteti dhe qeveria kërkojnë të ruajnë të drejta të patjetërsueshme në administrimin financiar të universiteteve, duke cenuar të drejtat dhe liritë akademike. Është e paimagjinueshme se si agjencitë e ngritura ekskluzivisht për të realizuar frymën kontrolluese të shtetit do të synojnë të kontrollojnë gjithçka, që nga vlerësimi i standardeve të cilësisë, deri te shpërndarja e fondeve për kërkim shkencor. Konventa e Lisbonës na vjen në ndihmë në këtë rast, duke na mësuar se institucionet e arsimit të lartë duhet të fitojnë autonomi më të madhe financiare, krahas lirive akademike, paralelisht me kërkesat dhe pritshmëritë për të qenë më llogaridhënës dhe për të reaguar më mirë ndaj nevojave të shoqërisë. Në kuadrin e përgjegjësisë publike që ato kanë, financimi publik duhet të mbetet përparësi kryesore, për të garantuar qasje të barabartë dhe zhvillim progresiv.
***
Pra mësimet që vijnë nga bota perëndimore janë mëse të qarta dhe të kthjellëta: sapo shteti fiton terren në kontrollin mbi universitetet, aq më shumë ato humbasin aftësinë për të vepruar dhe për t’u thelluar në kërkimin shkencor. Ky është perceptimi i njohur që ka Evropa demokratike, por dhe përvoja jonë e këtyre viteve të fundit. Nëse universiteti gëzon autonomi të plotë akademike dhe financiare, përfitimi merret shpejt dhe ai është një përfitim i madh kombëtar. Ndaj, për zhvillimin e arsimit të lartë, zyrtarët burokratë duhet ta ngulin mirë në mendje se nuk kërkohen programe qeveritare, por vetëm programe kombëtare. Ky projektligj vendos një mënyrë të tillë sjelljeje, të detyrueshme për universitetet, që njeh shtetin si padron që mund të bëjë gjithçka në kurriz të lirive akademike dhe veprimtarive shkencore. Kësisoj ligji mund të kthehet në bumerang, pasi nuk zbaton rregullat e konkurrencës dhe është e vështirë të shmanget subjektivizmi. Madje mund të çojë deri në tronditje të sistemit. Konkurrenca ekonomike dhe tregu i punës kërkojnë aftësi dhe cilësi. Universitetet e kanë për detyre t’i nxisin dhe kultivojnë këto aftësi, në bashkëpunim me qendrat shkencore dhe ato të zhvillimit teknologjik, si dhe në bashkëpunim me sektorin prodhues.
Po a është ky projektligj në interes të shoqërisë ashtu siç trumbetohet? Nuk ka si të jetë. Universiteti është institucioni më i përparuar, i cili duhet t’u paraprijë çështjeve të shoqërisë, është institucioni që shtron kritika dhe analiza të paanshme ndaj shoqërisë. Arsimi i lartë, si një gjenerator gjigand i zhvillimit, duhet të ndërmarrë iniciativa që i paraprijnë shoqërisë, që orientojnë të ardhmen e saj. Zhvillimi i arsimit dhe trajnimit me cilësi të lartë janë themelore dhe gjithashtu pjesë integrale e strategjisë së zhvillimit shoqëror, sidomos nga pikëpamja e promovimit të përfshirjes, solidaritetit, lëvizshmërisë, punësimit dhe konkurrencës sociale. Edhe shoqëria jonë përballet aktualisht me pasojat e krizës globale financiare dhe ekonomike. Për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kërkohet një arsim i lartë i modelit evropian, sa më fleksibël e dinamik, i cili të synojë zbatimin e risive në bazë të integrimit në mes të arsimit e kërkimit shkencor në të gjitha nivelet. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se arsimi i lartë ka rol vendimtar nëse duam të përballojmë me sukses sfidat para nesh dhe nëse duam të promovojmë zhvillimin kulturor e social të shoqërive sonë. Përkëtë arsye, duhet ta konsiderojmë investimin në arsimin e lartë si çështje kombëtare me përparësi më të lartë.
Zhvillimet ekonomike dhe sociale në Shqipëri, sidomos gjatë dekadës së fundit, kanë nënvizuar gjithmonë e në rritje nevojën për një dimension europian të arsimit dhe trajnimit. Arsimi i lartë shqiptar nuk ka dalë tani nga materniteti, por ka vite që operon e zhvillohet, duke bashkëpunuar në nivelin europian dhe kësisoj ka filluar të luajë një rol vendimtar për krijimin e shoqërisë së ardhshme shqiptare. 
Duke u mbështetur në Deklaratën e Bolonjës mbi arsimin e lartë (Qershor 1999), në vendimet e Këshillit Europian të Lisbonës (mars 2000) arsimi i lartë shqiptar njohu rolin e rëndësishëm të arsimit, si një pjesë integrale e politikave ekonomike dhe sociale, si një instrument për fuqizimin e aftësive konkurruese dhe si një garanci për sigurimin e solidaritetit të shoqërive tona dhe zhvillimin e plotë të qytetarëve. Ligji i ri i arsimit të lartë duhet në radhë të parë t’i përgjigjet standardeve të cilësisë që kërkon “Procesi i Bolonjës” dhe tregu i punës në vendin tonë dhe në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Arsimi, në veçanti ai i lartë, është në zemër të Strategjisë ‘Europa 2020’ dhe ambicies së Europës për t’u bërë një ekonomi e zgjuar dhe mbështetëse: ajo luan një rol kyç në përparim dhe me ndikimin në inovacion ajo garanton kapitalin mjeshtëror njerëzor që ekonomitë e mbështetura te njohuritë kanë nevojë për të gjeneruar rritje. Projektligji nuk përfill reformimin e sistemit të kualifikimit shkencor, kornizës së kualifikimeve, e cila synon përgatitjen e specialistëve të aftë për të kryer veprimtari pedagogjike dhe kërkimore shkencore me tregues të krahasueshëm me atë të homologëve europianë. Projektligji duhet të sillte një reformë të thellë strukturore, në mënyrë që integrimi në strukturën e re të përgatitjes universitare të bënte të mundur që universitetet, akademitë etj. Mund ta gëzonin me të vërtetë emrin që mbajnë, të fitojnë autoritetin e nevojshëm dhe të konkurrojnë me profesionalizëm brenda vendit, të japin kontribute reale në zhvillimin e trevës apo të rajonit, si edhe të lëshojnë diploma cilësore e të krahasueshme, brenda dhe jashtë vendit. Arsimi i lartë në Shqipëri, si një vend aspirant i BE-së, ka një detyrë të rëndësishme të kontribuojë në përsosjen e dijes dhe kërkimit shkencor. Kërkimi shkencor në këtë projektligj duhej konceptuar ashtu siç është realisht: një proces në vazhdimësi. Që t’i korrespondojë trendit ekonomik, politik e social të vendit. Arsimi i lartë duhet të bazohet në të gjitha nivelet në kërkime shkencore dhe zhvillim më modern për të kultivuar inovacionin dhe kreativitetin në shoqëri. Ne jemi të ndërgjegjshëm për potencialin e programeve të arsimit të lartë (përfshirë edhe ato të shkencave të aplikuara) për forcimin e inovacionit. Por është e pafalshme që ende nuk po revokohen reforma që kanë çuar në asgjësimin e disa strukturave të vjetra si Akademia e shkencave dhe institutet kërkimore në varësi të saj, rreth 12 institute kërkimore-shkencore me emër dhe kontribute të jashtëzakonshme. Edhe ligji i ri parasheh që kërkimi shkencor të përqendrohet në institucione universitare. Është një precedent i zbatuar në Europë, por ka edhe vende si Austri, Belgjikë dhe vende të Ballkanit, që e kanë sistemin të përqendruar në Akademinë e Shkencave. Universitetet, si institucione të mësimdhënies, nuk e kanë fituar statusin si qendra edhe kërkimore- shkencore. Dhe për këtë duhet një strategji afatmesme që bashkë me lirinë akademike të parashikohet edhe mbështetja financiare.
Procesi i hartimit të ligjit duhej të ishte bërë në kuadrin e një transparence të plotë dhe mbledhjes së të dhënave relevante, vlerësimit të përparimeve që janë arritur deri më sot në institucionet e arsimit të lartë. Shtrojmë pyetjen se kush mban përgjegjësi për ndryshime të tilla që nuk kanë marrë në vlerësim principet themelore të “Procesit të Bolonjës” e të tubimeve vijuese në funksion të saj? Siç theksuam më lart, Projektligji duhej të siguronte detyrimisht një dimension të ri evropian të IAL-ve. Si pasojë e konfuzionit dhe mosgjetjes së strategjive të duhura dhe ideve reformuese, si pasojë e paqartësisë së komisionit, frikës, apo delireve pafund, deri tek entuziazmi abstrakt, ngutja për këtë aksion nuk mendoj se do ta modernizojë sistemin kombëtar të arsimit të lartë, përkundrazi mund ta dobësojë perspektivën e tij në raport me prirjet e sotme evropiane. Një ligj i gabuar të dënon përnjëherësh, ndaj legjislatorët e ndershëm duhet t’i thonë “ndal”. Projektligji i Arsimit të lartë duhet rikthyer për rivlerësim.
Sigal