Paditet në Prokurori, kreu i ZA-së Devoll, Alban Fetolli

817
Sigal

Me fillimin e vitit të ri shkollor, një valë padish penale kanë filluar edhe ndaj krerëve të Drejtorive Rajonale Arsimore dhe të Zyrave Arsimore në të gjithë vendin. Paditë janë nga më të ndryshme, ku dominojnë ato për mitmarrje, korrupsion, zhdukje e dokumenteve etj.. Padia e radhës është bërë ndaj kreut aktual në ZA Devoll, Alban Fetolli. Si qëndron puna? Ka disa vjet, madje dekada, që në ZA Devoll po zhduken dosjet e punës të personave që kanë qenë të punësuar aty. Sipas disa informacioneve të mija, këto janë djegur. Shumica janë ish-mësues që jetojnë në Greqi dhe piromanët e dinë me siguri që nuk kthehen. Disa jetojnë aktualisht në Devoll. Restoja, natyrisht, kanë vdekur.

Arsyeja është e thjeshtë. Këta persona që krerët dhe ish-ët e ZA-ve kanë “larë duart”, nuk do kenë shans për tu ripunësuar. Kështu që, shefat e arsimit kanë dorë të lirë, të miratojnë si arsimtarë: kushërinj, miq, krushqi dhe deri diku militantë (edhe ata që do ishte turp të quheshin “mësues”). Sipas informatave të mia numri i këtyre dosjeve arrin në 50.

I njëjti hall më zuri edhe mua. Unë kam punuar në këtë institucion si mësues i Gjuhës Angleze. Kam dhënë mësim nga 1 prilli 2002 deri në 15 shtator 2004 në dy shkolla të ndryshme në Devoll. Fillimisht me kontratë dhe pastaj definitiv.

Pushohem nga puna në 1 Shtator 2004, pa paralajmërim, pa shkak, gjatë pushimeve të verës dhe duke më vjedhur edhe 15-ditshin e fundit të pagës. Në vendin tim u caktua një mësuese me dokumente fallco dhe që u pushua nga puna sapo PD erdhi në pushtet.

Në gusht 2007, riaplikova për t’u punësuar si jurist-arshivist pranë ZA Devoll. Ky vend pune, (ku unë kisha aplikuar njëherë që në vitin 2005) ishte në organikë dhe vakant prej vitit 1991. Por, atje provizorisht, sa të vinte jurist, ishte caktuar një jo me profesion jurist.

Shefi i atëhershëm Jorgo Dushku nuk pranoi të zbatonte ligjin. Pra, nuk donte ta pushonte nga puna jojuristin dhe të shpallte konkurs për atë vend pune. Atëherë, i drejtohem Prokurorisë në Qark. Prokurori i çështjes penale, Edmond Shytka pasi e hetoi (dosja nr. 427 e vitit 2007) e pushoi, sepse siç e argumenton në dosjen e mësipërme “nuk ka gjetur dokumentet e mia në këtë institucion”. Pra, dikush zhduku dosjen time.

Më vonë iu drejtova institucionit të Avokatit të Popullit në Tiranë. Me shkresë nga ky institucion, i kërkohej ZA Devollit të hapte konkursin për pozicionin Jurist, sugjerim që nuk u zbatua kurrë. Natyrisht, unë prita gjatë dhe kur ata e kishin harruar si problem, bëra një kërkesë në ZA Devoll, ku pyesja për dosjen time të punës. Përgjigja m’u dha në 21 janar 2011 (ditën kur u sulmua Kryeministria) me shkresë zyrtare në ambientet e ZA Devoll. Aty thuhej se “ekzistonte dosja ime me nr.1023, hapur në vitin 2005”. Pra, dikush kishte mashtruar Prokurorinë e Korçës, ose organi i akuzës nuk kishte hetuar fare.

Në muajin gusht 2014, bëra kërkesë tjetër ku kërkoja të dhëna më të detajuara për dosjen me nr.1023, pra, dosjen time. Por, Përgjegjësi i ZA-së Devoll nuk pranoi plotësimin e kësaj kërkese. Më erdhi një përgjigje, por e cunguar, ku shkruhet se: “Në dosjen me nr.1023 ekzistojnë dokumentet si; diploma + lista e notave ( të noterizuara)”, por, nuk ka datë kur janë dorëzuar në ZA. Pra, dikush në institucion ka zhdukur librin e hyrje-daljeve të dokumenteve në këtë zyrë. Unë ia çova zotit Alban vendimin e Prokurorisë (pra pushimin e çështjes penale nr.427 e vitit 2007 me firmë e vulë nga prokurori), por, dokumentacioni për këtë hetim në ZA Devoll mungon. Dikush e ka zhdukur edhe këtë. Në kushtet kur Përgjegjësi i ZA-së nuk donte të më jepte shpjegim, as të kontrollonte te vartësit, iu drejtova Prokurorisë. Mesa duket Rilindësi i Ramës do “të mbulojë” ish-shefin e dikurshëm, me shpresën për kompensim kur të përmbyset, pa e ditur se kjo përbën vepër penale: Fshehja e provave të një vepre penale (neni 300 K.P). Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës (neni 301 K.P).

Arben Spaho

Terror në Devoll. Fetolli me kunatin bëjnë “ligjin”

 Qeveritarët kanë nxjerrë rregulla për çdo institucion. Po, a zbatohen ato? Duke u nisur nga rregullorja e re, e botuar edhe në media, se kur shkarkohen drejtorët e arsimit nga detyra, dua të denoncoj publikisht shkeljen e 1 nga rregullave më thelbësore: Dhunën e ushtruar nga drejtori i ZA-së Devoll, Alban Fetolli, ndaj mësueses Alma Muka në zyrat e shtetit, sepse vajti të kërkojë punë. Kjo dhunë është e pasqyruar edhe në polici, ku shkuan të 2 palët, por aty problemi u mbyll nga kunati i Alban Fetollit, i cili është edhe drejtor i ShKB-së së qarkut Artur Prifti. A do ta shkarkojë ministrja e Arsimit znj. Nikolla këtë dhunues, ku të gjithëve u ka hyrë tmerri, sepse ai është dhe hakmarrës? Motrën e Almës, ai që të nesërmen e transferoi nga gjimnazi në një shkollë 9-vjeçare (Bitinckë). I bëj një pyetje Kryeministri Rama, ministri Tahiri, ministrja Nikolla, a kanë sy të shikojnë dhe veshë të dëgjojnë, se në çfarë duarsh e kanë lenë arsimin dhe rendin? Çfarë i lidh këta 2 kunetër me 2 drejtoritë më të rëndësishme?! Nga profesioni 0, nga kontributi ne parti -0. Atëherë? Kush i mban dhe i mbron? 2 kunetërit kanë zaptuar 2 institucionet kryesore; njëri në polici dhe tjetri në arsim? A mos vallë, ne votuam për të kundërtën e Rilindjes? Ku është drejtori i DAR Korçës, Grabocka, që i është kyçur goja nga eurot e Alban Fetollit që e nxori fitues në të famshmin konkurs të 25 Janarit? Apo, ai po qan hallet e veta? A ka PS kuadro të zotë, apo do qeverisë me huliganë? Jo! Ne me ndihmën tuaj nuk do të heshtim derisa të vihen para përgjegjësisë ata që në mënyrë korruptive kanë zaptuar dhe dhunojnë zyrat e shtetit! Rama, Tahiri si dhe përgjegjësja kryesore Nikolla (që asnjëherë nuk ka reaguar) të zgjohen ose të pranojnë që kanë dështuar me reformat. Kërkojmë ndihmën tuaj të specializuar si e vetmja dritare e hapur, sepse këtu nuk ekziston as parti, as shtet. Ju jemi shumë mirënjohës për punën dhe guximin tuaj.

D.S.