Nuk do të ketë më pedagogë të dypunësuar

1327
Sigal

Projektligji i Arsimit të Lartë/ Kategoritë e pedagogëve, marrja e titujve, ngarkesa mësimore dhe si punësohen

Personeli i institucioneve të arsimit të lartë mund të jetë i punësuar me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar ose të caktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Të drejtat dhe detyrimet e personelit të institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen në statutin dhe aktet e brendshme të tij, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

 Kategoritë e personelit akademik

1. Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit të arsimit të lartë, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera.

2. Personeli akademik mund të jetë me orientim mësimor ose kërkimor-shkencor.

3. Personeli akademik ndahet në lektorë dhe ndihmës-lektorë.

4. Lektor është personeli akademik që mban titullin “Profesor i asociuar”, “Profesor”, “Akademik i asociuar” ose “Akademik”, personeli akademik që mban gradën shkencore “Doktor” kur ka fituar statusin e lektorit sipas përcaktimeve të pikës 5 të kësaj dispozite dhe personeli akademik, që mban gradën shkencore “Doktor”, i punësuar në një institucion të arsimit të lartë në të gjitha ato raste kur ai ka fituar statusin e lektorit para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Lektori punësohet me kontratë me kohë të plotë dhe me kohëzgjatje të pacaktuar ose me kohë të pjesshme dhe kohëzgjatje të caktuar.

5. Personeli akademik, që mban gradën shkencore “Doktor” në institucionet publike të arsimit të lartë punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar trevjeçare. Pas përfundimit të saj, njësia bazë, bazuar në performancën e tij, mund t’i propozojë Rektorit lidhjen e kontratës si Lektor.

6. Ndihmës–lektor është personeli akademik që mban gradën shkencore “Doktor”, i punësuar për herë të parë në institucionin e arsimit të lartë si dhe personeli akademik pa gradë shkencore. Ai ka përfunduar së paku programin e studimit “Master i Shkencave”. Bën përjashtim nga ky rregull personeli akademik në Kolegjet profesionale. Ndihmës–lektori punësohet me kontratë me kohë të plotë ose të pjesshme dhe me kohëzgjatje të caktuar.

7. Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie në ciklin e parë ose të dytë të studimeve duhet të mbajë të paktën kualifikim të ciklit pasardhës dhe, në ciklin e tretë, të mbajë titullin “Profesor i asociuar” ose “Profesor”. Në kolegjet profesionale, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”.

8. Institucioni i arsimit të lartë mund të përcaktojë në statutin e tij kritere të tjera, lidhur me kualifikimin e personelit akademik.

 Titujt akademikë

1. Titujt akademikë jepen nga institucionet e arsimit të lartë, të cilët:

a) ushtrojnë veprimtari akademike dhe kërkimore-shkencore, në mënyrë të vazhdueshme,  prej  jo më pak se dhjetë vitesh nga krijimi i tyre;

b) janë institucione të akredituara;

c) kanë të punësuar si personel akademik jo më pak se tetëmbëdhjetë profesorë, të angazhuar me kohë të plotë me kontratë me kohëzgjatje të papërcaktuar;

ç) ofrojnë studimet e doktoraturës;

d) përmbushin kritere të tjera shtesë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Lista e institucioneve të arsimit të lartë, që përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë publikohet zyrtarisht çdo vit akademik nga Ministria përgjegjëse.

3. Standardet shtetërore për fitimin e titujve “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 Fitimi i titujve akademikë

1. Për fitimin e titullit “Profesor i Asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, përmbush standardet shtetërore dhe ka fituar statusin “Lektor” prej së paku pesë vjetësh. Për fitimin e titullit “Profesor” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon prej së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar” si dhe përmbush standardet shtetërore të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë që nuk përmbush kriteret për dhënien e titujve akademikë, si dhe personat, të cilët nuk janë personel akademik pranë ndonjë institucioni, por përmbushin standardet për fitimin e titujve, paraqesin kërkesën pranë një institucioni i cili përmbush kriteret për dhënien e titujve.

3. Kandidati për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor”paraqet dosjen pranë drejtuesit të njësisë kryesore. Dosja e kandidatit i përcillet senatit akademik, pas vlerësimit paraprak të njësisë bazë. Senati i kalon dosjen komisionit të përhershëm të “Titujve Akademikë” i cili merr vendimin përfundimtar pas vendimit të jurisë teknike mbi përmbushjen e standardeve. Titulli regjistrohet në regjistrin shtetëror të titujve akademikë pranë Ministrisë përgjegjëse. Diploma e titullit “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, diploma lëshohet nga institucioni dhe firmoset nga Rektori.

4. Në rast vlerësimi negativ të kërkesës për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” ose “Profesor”, kandidatit i lind e drejta të ripërsërisë kërkesën pas një periudhe kohore jo më të shkurtër se dy vjet.

5. Personelit akademik që mban titullin “Profesor” pas daljes në pension, në vlerësim të veprimtarisë së spikatur akademike, me propozim të njësisë bazë ku ka zhvilluar karrierën e tij dhe me vendim të senatit akademik, i akordohet titulli “Profesor Emeritus”.

 Ngarkesa e personelit akademik me kohë të plotë

1. Personeli akademik me orientim mësimor kryen kryesisht veprimtari të mësimdhënies, ndërsa personeli akademik me orientim kërkimor-shkencor kryen kryesisht veprimtari  kërkimore-shkencore.

2. Ngarkesa e plotë për personelin akademik në institucionet e arsimit të lartë përcaktohet nga njësia bazë.

3. Institucioni i arsimit të lartë mbulon së paku dy të tretat e ngarkesës mësimore të programeve të studimit me personel akademik të punësuar me kohë të plotë, me përjashtim të programeve të përbashkëta të studimit.

4. Raportet ndërmjet veprimtarive të ndryshme, për personelin akademik, përcaktohen në rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë sipas orientimit të personelit akademik. Ngarkesa minimale për personelin akademik përcaktohet me udhëzim të Ministrit përgjegjës për arsimin. Këto raporte pasqyrohen në kontratat individuale të punës të personelit akademik.

 Personeli akademik i ftuar

1. Njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë kanë të drejtë të punësojnë me kontratë për periudha të shkurtra kohe, personalitete, vendase ose të huaja. Në këtë kategori përfshihen edhe studiues, artistë dhe  personalitete me kontribut të shquar jashtë vendit.

2. Përzgjedhja e personelit akademik të ftuar ndërthurr kualifikimet e tyre me nevojën e njësisë bazë për veprimtari mësimdhënieje ose kërkimore-shkencore.

3. Personeli i ftuar punësohet sipas përcaktimeve në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

4. Shpenzimet për personelin akademik të ftuar përballohen nga të ardhurat e institucionit.

 Punësimi i personelit akademik

1. Numri i përgjithshëm i personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë miratohet nga bordi i administrimit, në përputhje me strukturën e institucionit, numrin e studentëve, standardet shtetërore të ngarkesës mësimore e kërkimore-shkencore të personelit akademik, standardet e cilësisë, infrastrukturën e institucionit, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Kriteret e punësimit të personelit akademik me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit dhe miratohen nga rektori. Konkursi në institucionet e arsimit të lartë, drejtohet nga një komision “ad hoc”,  i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë bazë përkatëse. Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit “ad hoc”, si edhe të përzgjedhjes së personelit akademik caktohen në statutin e IAL-së.

3. Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë nuk mund të punësohet si personel akademik me kohë të plotë në një institucion tjetër të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit. Ai mund të angazhohet me kohë të pjesshme vetëm në një institucion tjetër të arsimit të lartë, me miratimin e drejtuesit të njësisë kryesore. Pjesëmarrja e personelit akademik në projekte, konsulenca, botime dhe shërbime që realizohen në institucionin e arsimit të lartë, nuk konsiderohet si dypunësim brenda institucionit.

4. Kontratat e punës dhe nivelet e pagave miratohen nga bordi i administrimit të institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me Kodin e Punës dhe legjislacionin në fuqi. Personeli akademik me kohë të pjesshme punësohet sipas  përcaktimeve në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

Largimi dhe rikthimi në punë i personelit akademik

 Largimi nga detyra i personelit akademik në IAL bëhet nga Rektori i institucionit, me propozim të komisionit disiplinor, në rastet e shkeljeve të rënda dhe të përsëritura të ligjit sipas përcaktimeve në Statut dhe aktet e tjera të IAL-së. Personeli akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës në rastet kur gjykata konstaton se vendimi i largimit është marrë në kundërshtim me ligjin dhe vendos  kthimin në vendin e punës.