Nikolla: Sistemi arsimor të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit

396
Sigal

TIRANË – Ministrja Lindita Nikolla gjatë fjalës së saj në  konferencën “Innovation in Albania / Challenges & Opportunities”, u shpreh se i gjithë sistemi arsimor duhet të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit si dhe krijimi i mundësive me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

 “Për këtë arsye, ndërhyrjet në sistemin parauniversitar si dhe gjithë reforma e arsimit të lartë është një hap i domosdoshëm për të mundësuar aftësimin e të rinjve më atë që i pret nesër në tregun e punës. Reforma e arsimit të lartë do të mundësojë jo vetëm krijimin e hapësirave të nevojshme, por gjithashtu do të nxis universitetet që të jenë në vijën e parë të stimulimit të politikbërjes drejt fushave me rëndësi prioritare në zhvillimin e vendit”, – tha ministrja e Arsimnit dhe Sportit Lindita Nikolla.
 
Ndër të tjera, Ministrja shtoi se nxjerrja në pah e problematikave dhe sfidave të vendit tonë në fushën e përdorimit të teknologjisë nga bizneset si dhe hapat konkretë që po ndërmerren nga institucionet përkatëse është një element i rëndësishëm i përmirësimit që mund të bëhet në fushën e Inovacionit. 
 
Konferencën “Innovation in Albania / Challenges & Opportunities”u organizua nga Universiteti i Tiranës në kuadër të projektit PACINNO – Platformës për bashkëpunimin trans-Akademik në Inovacion.
 
Projekti PACINNO, i financuar nga Komisioni Europian me anë të programit IPA ADRIATIC CBC ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe inovacionit, që mbulon të gjithë rajonin e Adriatikut.

Gjithashtu ky projekt ka për qëllim zhvillimin e urave të reja, duke targetuar prodhuesit e politikave dhe subjektet e biznesit, midis aktiviteteve kërkimore dhe shkencore, të kryera në institucionet akademike si edhe sistemin ekonomik, me interes të veçantë nevojat teknologjike të SME-ve.