Mehdi Dema/ Gjeneratat e një shkolle që mbush shekullin

1018
Qe mëngjesi i 13 nëntorit 2015, që gdhiu ndryshe nga ditët tjera për shkollën 9-vjeçare në Zogje. Një atmosferë festive njoftonte, jo vetëm banorët e zakonshëm të shkollës, por dhe çdo kalimtar të rastit, në rrugën tangent me oborrin e saj, se një gëzim i ligjshëm i një dite historike flladonte portretet e mbarë banorëve të kësaj zone. Përkujtohej hapja për herë të parë e shkollës shqipe në Zogje, këtu e 90 vite më parë. Si godinë e parë e shkollës, me bujarinë e Dulejman Kajës, do të shërbente shtëpia e tij. U desh që mësuesit e parë, në mungesë të atyre vendës, të vinin që nga Dibra e Madhe, Tirana, etj., si Rexhep Baholli, Sabri Sakiqi, etj. Si dallëndyshe e parë, mësues nga zona qe burri i zgjuar, për të mos u harruar kurrë, Abaz Xhafa, i cili u bë frymëzim për breza të tërë mësuesish të rinj.
Në kuadrin e këtij Jubileu, u zhvilluan një sërë veprimtarish, 1. Sesioni Jubilar i mbajtur me këtë rast, u hap me përshëndetjen e Drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Bashkisë Bulqizë, Znj. Bedrie Manjani. Në fjalën e saj të përshëndetjes, ajo kujtoi përpjekjet e mëdha që kanë bërë patriotët e kësaj zone, në luftë më pushtues të ndryshëm, për mësimin e gjuhës amtare. Kujtoi dallëndyshet e para, mësues-nxënës të kësaj shkolle. Në vazhdim, nuk la pa përmendur arritjet në sistemin e ri arsimor dhe punën e mirë të mësuesve të kualifikuar e të përkushtuar. E mbylli fjalën e saj, me urimin për ngritjen akoma më lart të rezultateve të arrira, duke shfrytëzuar përvojën e trashëguar, të gërshetuar me informacionin e pa munguar, mbi të rejat shkencore. 2. Trajtesën ‘‘Lufta e patriotëve dibranë për hapjen e shkollës shqipe“ e mbajti ish-nxënës dhe ish-mësues i kësaj shkolle, studiuesi, Z. Zabit Lleshi. Në këtë trajtesë ai, me referenca bindëse tregoi rrugën e gjatë dhe të mundimshme të patriotëve dibranë, deri sa bënë të mundur hapjen e shkollave shqipe. Hapja e shkollës shqipe në Zogje, qe rezultat i harmonizimit të luftës së patriotëve në mbarë trevat e Dibrës dhe në veçanti ata të Grykës së Vogël, si: Tush Lleshi, Bajram Markja, Jashar Dema, Shaqir Daci, Mersim Dema, etj. Materiali i trajtuar për vetpërmbajtjen, saktësinë dhe ekskluzivitetin, për këtë zonë, u ndoq me mjaft interes dhe kureshtje mbresëlënëse. 3. Trajtesën “Mësuesit e ardhur, ndihma për konsolidimin e shkollës“ , e mbajti ish- mësues i kësaj shkolle, Z. Mehdi Dema. Në këtë trajtesë, para emërtimit të mësuesve që kanë kontribuar, me punën e tyre të lavdërueshme , në shkollat e kësaj zone, në përballje me mjaft vështirësi që sillte koha dhe tereni i kësaj zone malore. Në përshëndetjen e të pranishmëve, mësues e të ftuar, u veçua përshëndetja për birin e kësaj zone, Z. Zabit Lleshi; për kontributin e dhënë në përgatitjen dhe organizimin e këtij evenimenti dhe jo vetëm, me shumë vlera dokumentare-historike për zonën. Në kujtim të ish-mësuesve në shkollat e Zogje, që s’u kursyen për të dhënë maksimumin e energjive fizike e mendore të tyre, por që s‘jetojnë në këtë ditë, u propozua të mbahej një moment heshtjeje… Kjo trajtesë u mbyll, duke ftuar mësuesit aktualë për të shpënë më tej e më mirë, stafetën që koha ua ka besuar ta mbajnë në dorë. 4. Trajtesën “Shkolla e Zogje, pika e nisjes për përgatitjen e kuadrove” e mbajti ish-nxënës dhe ish-mësues i kësaj shkolle, Z. Xhevat Jella. Trajtesa pati mjaft interes, se nxori në pah emra të kuadrove të dalë nga kjo zonë, në të gjitha fushat e jetës. Shumëllojshmëria e profesioneve; mësues, agronomë, mjekë, ushtarakë, inxhinierë, juristë, ekonomistë,etj. dhe numri i madh i kuadrove, të sistemuar në këtë trajtesë, tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve. 5. Trajtesën “Shkolla e Zogje, në 90-vjetorin e saj“, e mbajti Drejtori i kësaj shkolle, Z. Jeton Lika. Me retorikën e tij mjaft rrjedhëse, ai dëshmoi jo vetëm për rezultatet impresionuese në punën e filluar nga stafi në moshë mjaft të re të kësaj shkolle, por në fjalën kompetente të tij, në sytë e tij shprehëse, shihje optimizmin, premtimin dhe shpresën e një të ardhmeje të ndritshme drejt ritmeve të kohës. 6. Për rezultatet e arrira në këtë shkollë dhe punën e mirë për realizimin e këtij evenimenti, përshëndeti Administratori i Njësisë Administrative, Z. Nard Daçi. 7. Në atmosferën e bukur të kësaj vjeshte-verë, në ditën plot dritë e freski pranverore, të zbukuruar nga kostumet e shumta popullore-krahinore, plot larmi ngjyrash e stolish, që konkurronin natyrën e bukur të bimësisë, kurorë për rreth, të veshur bukur nga shumë djem e vajza nxënës, nën kujdesin e mësueseve të pasionuara. Mori fjalën të përshëndesë këtë eveniment, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Z. Melaim Damzi. Duke uruar për punën e mirë të bërë nga stafi i ri dhe i apasionuar i shkollës, me dëshirën e mirë për të qenë sa më të shkolluar e bashkëkohor, mes entuziazmit në sytë e nxënësve, premtoi në emër të tij, se në bashkëpunim me zyrën arsimore, do t’u qëndronte gjithmonë shumë pranë, për të zgjidhur çdo problem të shkollave në Zogje, për t’i bërë ato ndër shkollat më të mira në Bashki. Në vazhdim atmosfera u ndez nga këngët, recitimet dhe vallet e bukura të grupit artistik të shkollës. Në vallet e bukura plot ritëm e gjallëri, nuk mbetën pa u përfshirë dhe mësues e të ftuar. 
Sigal