Kujtesë për Urdhrin e Ministres/ Mësuesit me orar zyrtar 7.30-14. Po mësim- përgatitjen në shtëpi, e harroi ministrja?

234
Sigal

Mësuesit mësimdhënës, me orar zyrtar 7.30-14. Po mësim- përgatitjen në shtëpi, e harroi ministrja?

Asije Hoxha

Ka disa vite që në shkollat e arsimit parauniversitar është vendosur orari zyrtar për mësuesit.

Mësuesi çdo ditë duhet të paraqitet në shkollë në orën 7/30 minuta dhe do të largohet nga shkolla në orën 14:00.

Norma mësimore e mësuesve është caktuar me ligj nga Këshilli i Ministrave. Mësuesi do të zhvillojë 20-22 orë mësimore në javë. Mësuesi në një ditë, jep 6 orë mësimore, ndërsa ditën tjetër jep 3 orë mësimore, dhe në një ditë tjetër jep 4 orë mësimore, ose mësuesit e ciklit të ulët mbarojnë mësimin në orën 12. Orari mësimor realizon, që një mësues mund të mos ketë orën e parë mësim ose dy orët e fundit,  por: Urdhri i Ministres të Arsimit detyron që çdo mësues të qëndrojë në sallën e mësuesve, edhe kur nuk ka mësim orët e para, ose orët e fundit!

Mësuesit gati mëse 70-vjet kanë zbatuar orarin mësimor të përgatitur nga drejtoria e shkollës dhe mësuesi e respektonte orën mësimore, dhe jo paraqitjen formale në shkollë. Papritur del Urdhri dhe filloi me rigorozitet  zbatimi i tij. Nuk u argumentua, pse mësuesit duhet të punojnë në shkollë me orar zyrtar? Pse nuk u mor në konsideratë edhe puna “mësim-përgatitje” e mësuesit në shtëpi? Mësuesit shprehen: “Nxitoj se kam gjithë ato punë! Pasi t’i mbaroj, do të filloj turnin e dytë mësimor, për përgatitjen e ditarit, për pasurimin e temës mësimore me materiale ndihmëse etj”. Si jepet ky urdhër i pa studiuar kur, historikisht dihet se, mësuesit harxhojnë dhe disa orë për t’u përgatitur për të nesërmen?  Si jepet ky urdhër, kur shkollat nuk kanë as ambiente, as rrjete televizive dhe dixhitale që mësuesi të përgatitet edhe në shkollë?

Mendoj se janë dy versione lidhur me këtë urdhër:

 A.Versioni i parë: Ministrja e Arsimit këtë urdhër e ka dhënë duke menduar që, mësuesi orët e lira t’i shfrytëzojë për përgatitjen e testeve, për vlerësimin e detyrave, për portofolin e nxënësit, për zgjerimin e njohurive mësimore për një temë të caktuar, për studimin e metodikave që duhen përdorur, për të analizuar dhe vlerësuar informacione në internet  dhe në rrjetet dixhitale, për të plotësuar statistika ardhur nga institucionet arsimore, shkencore etj.

A mundet që në kushtet e shkollave tona mësuesi të përgatisë materialet e mësipërme? I referohemi ambienteve të shkollave përbëhen nga: Klasa ku punohet me dy turne, nga drejtoria dhe nëndrejtoria e shkollës, nga biblioteka dhe salla e mësuesve. Numri i mësuesve në shkolla varion nga 10-60 mësues.

Ku do të punojë mësuesi: sallat e mësuesve janë kthyer në salla të ndryshimit të regjistrave, janë të vogla me 10 -15 karrike. Kompjuter nuk ka, rafte të veçanta për secilin mësues nuk ka,  dixhitalizimi mungon, literaturë plotësuese nuk ka…sepse bibliotekat kanë mbi 8-vjet që nuk furnizohen me libra letrarë dhe metodiko-shkencore sipas lëndëve! Duke u nisur nga këto mangësi për shfrytëzimin e orëve ndërmjetëse pushim, kemi një humbje kohe duke pritur përfundimin e orarit. Norma mësimore për çdo mësues, edhe sot, nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm zgjatja e orarit të qëndrimit pasiv në shkollë! Profesor Eqrem Çabej shprehej se, orë të frytshme punë intelektuale, mund të jenë vetëm pesë orë në ditë.

Sipas këtij Urdhri, mësuesit këto orë i realizojnë vetëm paradite gjatë punës së tyre mësimdhënëse në shkollë, pa shtuar  mësimpërgatitjen, jashtë orarit të punës!

Kur fillova punë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, pyetja e parë që më bënin ishte: Cila është puna më e vështirë, inspektor apo mësues. Natyrshëm përgjigjesha që, arsimi është çdo ditë pune me stres. Që në mëngjes duhet të jesh në shkollë sipas orarit të mësimit, duhet të kesh përgatitur ditarin, të kesh përcaktuar nxënësit që do të kontrollohen dhe vlerësohen sipas klasave, duhet të përballosh me stres kontrollet në bazë shkolle, drejtorie arsimore, ministrie, duhet të bësh statistika shifrore,  ndërsa në Ministri detyrën e ngarkuar për sot e bën nesër, pa i krijuar asnjë stres vetes!

Me këtë urdhër plotësohet kuadri i vazhdimësisë së nëpërkëmbjes së mësuesit. Tashmë mësuesi nuk është më partner. Reforma e re arsimore e nxori mësuesin jashtë vëmendjes  të Ministrisë së Arsimit, nga pseudoprofesionalët e arsimit, sepse: Ministria nga viti në vit është mbyllur në shkresurina burokratike.  Janë miratuar urdhra dhe udhëzime pa mbarim. Është arritur deri aty sa nuk e kuptojnë që mësuesi ka nevojë edhe për materiale përgatitur nga institutet e ngritura që sa vjen e po bëhen institute hermetike, që lëshojnë vetëm kërkesa, shumica e të cilave janë përshtatje nga arsimi evropian e më gjerë, kur një grup nga ish Instituti i Zhvillimit të Arsimit u nis për të marrë eksperiencë arsimore deri në Izrael!  Mjafton të lexojmë emërtimet e institucioneve arsimore të bindemi se ata merren vetëm me shkresa operative, shumica të përkthyera dhe, asnjë sektor nuk merret me zhvillimin e mëtejshëm të silësisë në arsim nëpërmjet literaturës ndihmëse përgatitur nga këto institucione!

  1. ASHS – Agjencia e Shërbimit të Sporteve
    2. QSHA – Qendra e Shërbimeve Arsimore
    3. ASCAP – Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar
    4. AKKSHI – Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit
    5. AKR – Agjencia Kombëtare e Rinisë

Edhe gazeta “Mësuesi” dhe “Revista Pedagogjike”, të cilat botonin shkrime të një cilësie profesionale, janë mbyllur. Mësuesit në këto organe arsimore gjenin tema studimore, që i përdornin në funksion të orës mësimore përkatëse, si: “Rëndësia e njohjes në gjerësi e thellësi e lëndës së historisë” ose “Disa risi të programit të fizikës 8”. Tani mësuesit i duhet të kërkojë studime të ndryshme, që t’i përgjigjen kërkesave në rritje të njohurive të reja në tekstet shkollore. Dhe…tani… i shtohen orë pasive mësuesit, duke mos i ofruar asnjë informacion qoftë teknik, ose literaturë përkatëse!

Krahasim paralel

Në ndihmë të kualifikimit profesional të mësuesve, në monizëm funksiononte “Instituti i Studimeve Pedagogjike” dhe “Shtëpia Botuese e Librit Shkollor”, që krahas përgatitjes së teksteve shkollore, kualifikimit të mësuesve, një rëndësi e veçantë u jepej dhe materialeve për kulturën profesionale të mësuesit: kështu, periodikisht botohej gazeta “Mësuesi”, “Revista Pedagogjike” ku trajtoheshin tema mësimore sipas lëndëve. Gjithashtu këto institucione botonin edhe libra periodikë. Vetëm për lëndën e letërsisë mund të numërojmë me dhjetra libra përgatitur nga këto institucione si: “Në ndihmë të mësuesve të letërsisë 1980,” Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit 1974 ”, “ Komente të zgjedhura 1962” “Përmbledhje me materiale teorike metodike 1962”, “Për arsimin dhe edukatën” etj.

Metodat e mësimdhënies që ne sot i quajmë të reja i kanë përdorur mësuesit me kohë, por me emërtime tradicionale. Mos ka ardhur koha t’i rikthehemi traditës, natyrisht duke hequr politizimin e tejskajshëm dhe të mos të gënjehemi se metodat e mësimdhënies kanë lindur tani!?

Versioni i dytë:

Mos vallë kjo nismë e orarit zyrtar të mësuesve është marrë edhe për kursim të fondeve shtetërore për zëvendësim me mësues provizorë të raporteve mjekësore. Mungon një mësuese, por sipas planifikimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nuk parashikohet fond rezervë për raportet mjekësore, deri në 14 ditë raport. Për raportet 1-3-6 ditore, orët mësimore zëvendësohen nga mësuesit, që ndodhen në sallën e mësuesve dhe dërgohen në klasa ku mungon mësuesja, pavarësisht se cila është lënda që do të zëvendësojë. Kështu, mësuesja e matematikës futet në orën e kimisë, natyrisht për të mbajtur qetësi. Këto orë, jo vetëm që janë ngarkesë mësimore për mësuesin, por edhe nuk paguhen si orë mësimore shtesë!

Shtatori po vjen, a do të vazhdojë ky orar zyrtar për mësuesit ?!