Kriteret dhe procedurat që duhet të plotësojnë mësuesit për procesin e kualifikimit

1596
Sigal

ZYRTARE/Kategoritë e mësuesve që duhet të futen në provim për kualifikim më 27 prill

Në datën 27 prill 2013, të gjithë mësuesit që kanë të paktën të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimit (kategorinë) “mësues i kualifikuar”, të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”, të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues specialist” do t’i nënshtrohen provimit për kualifikimin. Sipas informacioneve të Institutit të Zhvillimit të Arsimit provimi për kualifikimin e mësuesve do të zhvillohet në datë 27 prill në orën 10-12:30 në Tiranë.

Mësuesit që duhet të marrin pjesë në kualifikim

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kandidatët që duhet të paraqiten për kualifikim janë punonjësit e institucioneve arsimore publike dhe atyre private:

a) me diplomë mësuesie, sipas kritereve të parashikuara në nenin 57 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”;

b) pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e arsimit të mesëm të lartë dhe kanë kontratë individuale pune;

c) pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e muzikës, të arteve pamore ose të kërcimit.

Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen kandidatët, të cilët, deri më 31 dhjetor, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim:

a)të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimit (kategorinë) “mësues i kualifikuar”;

b)të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”;

c)të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”.

Duke filluar nga viti 2014 e në vazhdim, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, mësuesit të cilët kanë grumbulluar të paktën tre kredite në një vit kalendarik. Punonjësit mësimorë, të përmendur në pikën 2, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në çdo vit pasardhës.

Kualifikimi i mësuesve në sistemin Arsimor Parauniversitar:

a) drejtohet dhe monitorohet nga Komisioni i Kualifikimit të Mësuesve (më tutje KKM), i oilI ngrihet me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe përbëhet nga pesë vetë;

b) organizohet dhe administrohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZhA) si dhe nga DAR/ZA-të;

c) kryhet nëpërmjet portofolit personal të zhvillimit profesional të mësuesve dhe testimeve sipas profileve përkatëse.

Karakteristikë e procedurave të provimeve të kualifikimit

Procedurat e provimeve të kualifikimit karakterizohen nga:

-Ruajtja e fshehtësisë së testeve.

-Korrektesa e mësuesve në mjedisin e provimit.

-Korrektesa e administrimit.

 

-Vlerësimi i standardizuar i përgjigjeve të mësuesve.

-Programet e kualifikimit të mësuesve hartohen nga IZHA. Programet e kualifikimit u vihen në shërbim kandidatëve nga DAR/ZA-të brenda muajit janar të çdo viti. Programet publikohen edhe në faqen zyrtare elektronike të IZhA-s. Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor. Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore të arsimit fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm të ulët, gjimnaz, në shkollat e specializuara, si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional e arsimin e orientuar bazohen në të gjitha programet e lëndëve që japin në shkollë. Programet e kualifikimit të mësuesve të shkollave artistike, që japin lëndët profesionale, bazohen në programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit. Programet e kualifikimit të mësuesve të arsimit profesional dhe të shkollave të specializuara, që japin lëndët e kulturës profesionale, përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitur nga IZhA. Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë, që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit. Për raste të veçanta është kompetencë e DAR/ZA-ve të vendosë se cilën lëndë mësuesi duhet të japë provim.

Llojet e testeve të kualifikimit

Testet e shpallura për kandidatët janë:

1. Test i arsimit parashkollor.

2. Test i arsimint fillor.

3. Test i arsimit të mesëm të ulët, për lëndët: gjuhë shqipe, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, edukim fizik, muzikë, art pamor, si dhe lëndë të tjera specifike brenda planit arsimor, sipas kërkesave nga DAR/ZA-të.

4. Test i gjimnazit dhe i kulturës së përgjithshme të shkollave profesionale, të orientuara dhe speciale për lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, teknologji informacioni dhe komunikimi, ekonomi, qytetari, sociologji, psikologji, filozofi, edukim fizik, shkenca e tokës, trashëgimia kulturore, artet, aftësimi për jetën dhe edukimi për

karrierë si dhe lëndë të tjera specifike brenda sistemit arsimor sipas kërkesave nga DAR/ZA-të.

5. Test i përgjithshëm për mësuesit e kulturës profesionale në arsimin profesional;

6. Test për degët muzikë, art pamor dhe balet në kulturën profesionale në shkollat artistike.

7. Test i përgjithshëm për mësuesit e kulturës profesionale në shkollat speciale.

8. Testet hartohen duke përzgjedhur nga fondi përkatës i pyetjeve i cili është afërsisht sa 5-fishi i pyetjeve të testit përkatës.

9. Fondet e pyetjeve dhe testet hartohen nga grupe të ngritura nga drejtuesi i IZhA-s të përbëra nga specialistë dhe mësues sipas profileve përkatëse të cilët nënshkruajnë kontratën me drejtorin e IZhA-s.

Çfarë përmban testi i provimit të kualifikimit

a) Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe të tjera, që përcaktohen në udhëzimin vjetor përkatës.

b) Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës.

-Provimet me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar:

a) zhvillohen gjatë muajit prill, në një datë të planifikuar nga KKM;

b) zhvillohen në të njëjtën orë, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga K.KM.

Masat që merren nëse kopjohet

Kandidati nuk lejohet:

a) të marrë ose të japë informacion ose kopje nga një kandidat tjetër;

b) të komunikojë me një kandidat tjetër;

c) të bëjë komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit;

d) të mbajë celular ose mjet tjetër të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit;

e) të plotësojë testin me laps;

f) të shkruajë në fletën e provimit ndonjë shënim tjetër përveç atyre që kërkon testi;

g) të ketë me vete materiale të tjera si libra, fletore, fletë të bardha etj;

h) të ndërrojë vendin e paracaktuar.

Kandidati, që ka shkelur një ose më shumë nga pikat e mësipërme a), b), d), g), h), sipas raportimit me shkrim të administratorit përkatës, largohet nga provimi dhe nuk merr kategorinë e kualifikimit.

Kandidatit që ka shkelur secilën nga pikat c), e) dhe f) të mësipërme, i ulen 10 pikë nga vlerësimi i përgjithshëm.

Kandidatët, që nuk marrin kategorinë e kualifikimit si masë disiplinore, kanë të drejtë të aplikojnë për kualifikim jo më parë se dy vjet.

Administratori ndalohet:

a) të japë kopje ose lejojë të kopjohet.

b) të mbajë celular gjatë zhvillimit të provimit;

c) të largohet nga mjedisi i provimit duke lënë kandidatët pa një zëvendësues;

d) të komunikojë me kandidatin për përmbajtjen e testit;

e) të shfletojë ose të bëjë shënime në materialet e provimit, si gjatë edhe pas përfundimit të provimit.

IZhA njofton KKM dhe DAR/ZA-në përkatëse dhe DAR/ZA-ja njofton drejtorin e institucionit arsimor përkatës për:

a) mësuesin, që gjatë provimit, shkel rregullat e korrektesës;

b) hartuesin e testeve që nuk ka ruajtur fshehtësinë e testit;

c)mësuesin-administrator që nuk është treguar korrekt gjatë zhvillimit të provimit;

d)vlerësuesin e testit i cili nuk është treguar korrekt gjatë vlerësimit të testeve.

Rastet kur mund të bëhet ankimimi nga mësuesit

Për portofolin:

a) Brenda pesë ditëve nga vlerësimi i portofolit, kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim për vlerësimin te titullari i DAR/ZA-së.

b) Titullari i dërgon ankuesit përgjigjen me shkrim brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës.

c) Përgjigjja e titullarit është përfundimtare.

Për zhvillimin e provimit:

a) Brenda pesë ditëve nga data e përfundimit të provimit kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim te Kryetari i KKM për parregullsi gjatë zhvillimit të provimit

b) Kryetari i KKM i dërgon ankuesit përgjigjen me shkrim brenda dhjetë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës.

c) Vendimi i KKM është përfundimtar.

Për vlerësimin e testeve:

a) Brenda pesë ditëve nga data e njoftimit nga DAR/ZA për vlerësimin e provimit kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim te drejtuesi i IZhA-s për vlerësimin.

b) Kryetari i Komisionit përkatës i Shqyrtimit të Testeve i dërgon ankuesit përgjigjen me shkrim brenda dhjetë ditëve nga data e marrjes së ankesës.

c) Nëse ankesa e pjesëmarrësit në provim gjykohet e drejtë testi i ankuesit rivlerësohet.

d) Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të testeve është përfundimtar.

Mënyra e vlerësimit

Sipas udhëzimit vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisionet e vlerësimit të testeve. Vlerësuesi nënshkruan kontratën me drejtuesin e IZHA-s. Një test vlerësohet nga një grup i përbërë nga dy vetë: një specialist i IZHA-s, ose një bashkëpunëtor i saj, dhe një mësues i lëndës që testohet. Komisioni vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim. Pikët e kandidatit për secilën pjesë të testit vendosen në krye të fletë-testit dhe firmoset nga të dy vlerësuesit. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve i cili përbëhet nga pikët e portofolit, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë. Kandidati vlerësohet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondon përkatësisht vlerësimit me fjalët “shkëlqyeshëm”; “shumë mirë”, “mirë” “mjaftueshëm” dhe “dobët”. Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi përfundimtar i tij është E (“dobët”) si dhe në rastin kur nuk ka fituar pikët minimale në të paktën njërën nga dy pjesët e testit.

Pajisja me certifikatë

Kandidati që fiton kategorinë e kualifikimit, pajiset me certifikatën në të cilën tregohet edhe vlerësimi me shkronjë dhe i shoqëruar me fjalë. Certifikata prodhohet nga IZhA dhe firmoset e vuloset nga drejtuesi i IZhA-s. IZhA u dërgon certifikatat DAR/ZA-ve. DAR/ZA-të u dorëzojnë certifikatat mësuesve përkatës.