Ja si do përgatiten testet e Maturës Shtetërore dhe kriteret për t’u pranuar në provim

512
Sigal

Rregullat që duhet të ndjekin maturantët që vijnë nga jashtë shtetit për njësimin e diplomës

Pas publikimit të datave të provimeve të Maturës Shtetërore dhe publikimit të programeve për çdo lëndë, përgatitja e testeve mbetet një hap tjetër i rëndësishëm. Burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur për “Telegraf” se,

struktura e testeve caktohet me udhëzim të ministrit. Sipas informacioneve bëhet e ditur se: “AKP-ja, në bashkëpunim me DEPU-në, miraton ngritjen e grupeve lëndore për hartimin e fondit të kërkesave të testeve. Anëtarët e grupeve lëndore, me kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit, trajnohen dhe angazhohen për hartimin e këtij fondi, i cili është sa njëzetfishi i kërkesave që do të përmbajë testi”. Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të MSH-së bëhet nga specialistë (PTP) të caktuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Përzgjedhja e testeve bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të AKP-së. Të drejtën e përzgjedhjes dhe hartimit të testit përfundimtar të provimeve të Maturës (sesioni i parë dhe i dytë) e kanë vetëm PTP-të. Specialistët e AKP-së, në periudhën e KOEPS-it, nuk kanë të drejtë të përzgjedhin/sugjerojnë/ndryshojnë testin e provimeve të Maturës të hartuar nga PTP-të. Pas përzgjedhjes së testit, kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

Kriteret për qendrat dhe mjediset e provimit

Qendrat ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

– Të ketë jo më pak se sa 150 maturantë/ kandidatë;

-Në shkollat ku numri i maturantëve dhe i kandidatëve të marrë së bashku është më i vogël se 150, KMSH-ja grupon shkollat dhe cakton qendrën ku do të zhvillohen provimet. Maturantët/kandidatët e shkollave private do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në të njëjtat qendra dhe mjedise me maturantët e shkollave publike.

Mjediset ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

-Të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara;

-Të jenë të mjaftueshme për të paktën 15 maturantë. (Domosdoshmërish të përdoren mjediset më të mëdha të qendrave të provimit);

-Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet; si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa;

-Maturantët/kandidatët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim;

-Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 x 60 cm.

Në ditën e provimit, në mjediset ku zhvillohet ai, nuk zhvillohen veprimtari të tjera:

-Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.

-Çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

KSHMSH-ja njofton maturantët/kandidatët për qendrat ku do të zhvillohen provimet;

KMSH, dërgon në AKP, deri më 15 prill, listën e mjediseve për provimet e Maturës. Ndryshimi i qendrave të provimit bëhet vetëm me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Masat që do merren për zhvillimin e provimeve

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës,  çdo DAR/ZA duhet të dërgojë brenda datës 23 maj 2013 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) emrat e nxënësve maturantë mbetës në përfundim të këtij viti shkollor, për t’u hequr nga lista e provimeve të Maturës Shtetërore. Për provimet e Maturës Shtetërore të ndiqen procedurat e përcaktuara sipas “Rregullores për procesin e Maturës Shtetërore 2013 në Republikën e Shqipërisë”, nr. 35 prot., datë 07.01.2013. Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore të shfrytëzohen edhe mjedise të institucioneve të arsimit të lartë publik. Organizmi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 121, datë 25.02.2011 “Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë”. Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi greke” për shkollën e mesme pedagogjike të minoritetit grek të përgatitet nga DAR Gjirokastër. Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore të bëhet sipas grafikut të hartuar nga AKP dhe të miratuar nga MASH.

Procedurat e njehsimit të diplomave të shtetasve që kanë kryer arsimin jashtë shtetit

Maturantët që kryejnë studimet e mesme jashtë Shqipërisë dhe studimet e larta dëshiron që ti bëjë në Shqipëri duhet të ndjekë disa procedura për njohjen e diplomës/dëftesave. Për të bërë njësimin e diplomës duhet që të ndiqen disa procedura që janë të parashikuara në rregulloren e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.  Për shqyrtimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë diplomën e shkollës së mesme të fituar jashtë shtetit, në lidhje me njehsimin e dokumenteve shkollore, ngrihet një komisioni i posaçëm në MASH me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Për njehsimin e diplomave, shtetasit e mësipërm ose institucionet shtetërore/ private të interesuara të paraqesin në Dokumentet që duhen dorëzuar

a) Dëftesën/ diplomën, së bashku me listën e notave të të gjitha viteve

të shkollës së mesme, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara.

b) Fotokopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, pasaportë ose letërnjoftimit)

c) Shtetasit e huaj duhet të paraqesin lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar)

3. Shtetasit shqiptarë apo të huaj, që kanë fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit, dhe duan të ndjekin programet e studimit universitare dhe jouniversitare në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në vend, duhet të paraqesin dokumentet plotësuese të mëposhtme:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL.

b) Dokumentin zyrtar nga vendi që vijnë, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera, u jep të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jouniversitare në vendin ku kanë studiuar.

c)Certifikatën e njohjes së gjuhës shqipe. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë ata shtetas të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose shtetasit që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore.

Afatet kohore

Periudha kohore e njehsimit të diplomave të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë, fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit, të jetë:

a)Prill-maj: Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet me kohë të plotë në IAL-të publike.

b) Gusht-shtator: Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit me kohë të shkurtuar në IAL-të publike.

c) Gusht-dhjetor: Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit në IAL-të private.

d) Në çdo kohë: Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që nuk kërkojnë të vazhdojnë studimet universitare në Shqipëri.