Ja çfarë duhet të kenë kujdes maturantët për provimin me zgjedhje

975
Sigal

Matura/ Në datë 29 qershor, 50 mijë nxënës do të testohen për provimin me zgjedhje

Pas përfundimit të dy provimeve të detyruara, të Letërsisë dhe Matematikës, maturantët do të testojnë dijet e tyre në provimin me zgjedhje, në datë 29 qershor. Këtë vit maturantët do të përzgjedhin vetëm 2 lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Kjo, në ndryshim nga viti i kaluar ku maturantët kanë përzgjedhur 3 lëndë. Gjithashtu janë shpallur në faqen zyrtare të MASH edhe  Programet Orientuese. Programet do të shërbejnë si pikë mbështetjeje, që maturanti të dijë se ku të duhet të fokusohet për të studiuar. Aty janë të përfshira temat që maturanti duhet të ketë parasysh në dhënien e provimeve me zgjedhje.

Ndryshimet e provimit me zgjedhje 2013

Matura Shtetërore 2013 konsiston në numrin më të reduktuar të lëndëve me zgjedhje. Këtë vit do të kemi vetëm dy lëndë me zgjedhje. Dikush mund të mendojë se ka më pak lëndë, por nuk është e vërtetë. Si numër duket e tillë por, kemi një integrim të lëndëve. Vjet ka qenë lënda Shkenca e Tokës, ndërsa këtë vit është ingranuar në lëndën e Gjeografisë. Lëndët e thelluara nuk do të trajtohen thjesht me numrin e krediteve, por ka edhe lëndën bërthamë dhe nuk përbëhet me 2 ose 3 kredite. Për shembull, Kimia bërthamë ishte 4 kredite vitin e kaluar dhe Kimia e thelluar ishte 2 kredite dhe tani janë bërë 6 kredite vetëm mbi bazën e bashkimit të këtyre dy lëndëve në një të vetme. Nuk ka sens që të kemi program orientues për Kiminë e thelluar, matematikën, fizikën pa konsideruar edhe kurrikulën bërthamë. Po kështu, për shkollat artistike janë lënë vetëm Historitë e Muzikës, Artit e Baletit duke mos marrë në konsideratë Anatominë apo Teorinë e Solfezhit sepse mjafton një lëndë.

Maturanti të bëjë zgjedhjen sipas fakultetit që do të ndjekë

Së pari, duhet të dinë që çdo lëndë me zgjedhje ka koeficientin e vet sipas fakultetit përkatës. Për shembull, Kimia nuk është e barazvlefshme në Fakultetin e Mjekësisë dhe në atë të Historisë. Pra, në qoftë se në mjekësi ajo e ka koeficientin 1.3, në Histori e ka koeficientin 1. Kështu që nëse maturanti e ka bërë mend që të vazhdojë degën e Historisë, atëherë ai duhet të zgjedhë lëndët që përputhen me këtë fakultet, lëndët shoqërore. Maturantët duhet të kenë parasysh koeficientet që ka çdo lëndë dhe degën që ata përzgjedhin. Dikush që nuk është i mirë në lëndët shkencore dhe nuk i ka notat të mira në këto lëndë, nuk mund të vendosë preferencë këto degë.

Përzgjedhja e lëndëve për provimet me zgjedhje

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton edhe kriteret se si maturantët do t’i japin provimet me zgjedhje për maturën e 2013-s. Në përzgjedhjen e këtyre lëndëve maturantët duhet të kenë kujdes që të plotësojnë kreditet e kërkuara. Kështu, shuma e krediteve të këtyre lëndëve nuk duhet të jetë më e vogël se sa 8 kredite. Njëkohësisht numri i lëndëve me zgjedhje të jetë 2. Ndërsa maturantët e shkollave artistike kanë të drejtë të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e dhëna në tabelën bashkëngjitur shkrimit (Vetëm për shkollat artistike”). Maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë (përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara).

Zgjedhja e gjuhëve të huaja

Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhe e huaj e dytë (6 kredite).

Modeli i testit i provimeve me zgjedhje

Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (që vlerësohem me 1 pikë secila), dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar. Provimi për ta do të zhvillohet në mjedise me vete, ndërsa maturantët mbetës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (në vjeshtë).

Fatmir Vejsiu: MASH, prioritet Matura, jo zgjedhjet

Ka dhe datën 29, kur parashikohet të jetë vapë, parashikohet të jetë dita e paszgjedhjeve, dita kur është marrë vesh fituesi, por Ministria e Arsimit nuk ka në plan të parë votimin, Zgjedhjet Parlamentare, por ka Maturën dhe ne kemi marrë masat që provimi i fundit i Maturës të zhvillohet në kushte sa më të mira, ashtu siç u zhvilluan dhe të mëparshmet, madje do rrisim më shumë kërkesat për një administrim sa më korrekt të tij. Do të jetë i ngarkuar, sepse dhe për nxënësit do të jetë i ngarkuar, pasi në atë ditë shumica e tyre ka nga dy provime në një kohë relativisht të shkurtër, 3 orë, pra një orë e gjysmë për secilin test, megjithëse testet janë disi më të shkurtuara, por sido që të jetë është disi ngarkesë. Por këto janë kushtet dhe kështu do të veprojmë.

Ja rrugët për të qenë student në universitetet e  SHBA-së

Orges Pandeli, avokati shqiptaro-amerikan emigracioni, tregon rrugën që duhet të ndjekin studentët shqiptarë për t’u shkolluar në një nga universitetet e SHBA-së.

Kërkimi

Fillimisht, para se të mendohet ardhja në SHBA dhe viza apo zënia e avokatit, duhet menduar se ku do shkollohet aplikanti. Domethënë, hapi i parë është kërkimi dhe kontaktimi me shkollat që aplikanti pëlqen. Për këtë, Google është shumë i përshtatshëm (e jo avokatët). Për shembull, në qoftë se i pelqen Harvard College, si fillim aplikanti shkon tek ëëë.harvard.edu dhe aplikon. Për të mësuar më shumë mbi rrangun e shkollës që po shkon, www.usnews.com/rankings  është një website shumë i dobishëm, ku universitetet amerikane rreshtohen dhe vlerësohen mbi bazën e disa parametrave.

Aplikimi

Gjatë procesit të aplikimit, shkolla që ju zgjodhët, para se t’ju pranojë, do të ketë një seri kërkesash, duke filluar nga: mbushja e aplikimit të shkollës, notat dhe dëftesën e shkollës së mesme apo arsimit të mëparshëm (përkthyer e noterizuar), përfundimi me sukses i testeve të standardizuara si SAT/ACT/GMAT/GRE/LSAT etj, shkrimi i një eseje personale (ose disa eseve, në rastin e Harvard-it ), si dhe plotësimi i kushteve financiare, përveç të tjerash.

Pasi kalohet etapa e aplikimit dhe vjen pranimi nga shkolla, aplikanti i përgjigjet shkollës duke i thënë, nëse e pranon ftesën e tyre apo jo. Më pas fillon procesi për të marrë vizë. E kuptoj shume mirë, që kjo është, si veza me pulën, sepse për shkollimin jashtë vendit, duhet viza dhe për vizë duhet aplikimi dhe pranimi nga një shkollë jashtë vendit. Gjithsesi, fillimisht vjen aplikimi dhe pranimi nga universiteti.

Aplikimi për vizë

Kur fillohet aplikimi për vizë dhe vjen koha për intervistë, dy nga pikat kryesore (përveç të tjerash që trajtohen në mënyrë të ndryshme nga çështja në çështje), duhen patur parasysh:

1-Ti mbushni mendjen oficerit konsullor se “me mbarimin e studimeve, do të ktheheni” dhe

2- Keni kushte financiare që kur të jetoni dhe shkolloheni në SHBA, mos e keni problem dhe “të mos i bëheni barrë shtetit amerikan”.

Planifikimi

Një diçka që nuk vihet re në etapat që ndiqen është PLANIFIKIMI i detajuar mbi një vit para. Çdo të thotë kjo: Në qoftë se një aplikant ka ndërmend të shkojë në shkollë në SHBA, në Shtator 2015, planifikimi, dhënia e testeve të ndryshme kualifikuese fillon SOT. Zakonisht, shkollat prestigjioze, hapin pranimin e aplikimeve 1 vit para datës së fillimit të shkollës (dmth Shtator 2014 në shembullin tonë) dhe mbyllin dritaren e aplikimit në Marsin ose Prillin që vjen (dmth Prill 2015). Jo vetëm kaq, por presupozohet që të gjitha testet, përkthimet etj, janë bërë para se të aplikohet.