Shpërdorimi i fondeve në arsim nxjerr zbuluar demagogjinë me shkollat

322
Sigal

Emergjenca për infrastrukturën shkollore nxjerr “zbuluar” prioritetet dhe fondet e arsimit

 

Infrastruktura e institucioneve arsimore në të gjithë vendin ka nevojë për investime të vazhdueshme në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet në ambiente të përshtatshme dhe të sigurta për nxënësit në të gjithë vendin. Ka bashki që thonë se e përballojnë financiarisht mirëmbajtjen e kopshteve dhe të shkollave, ndërsa ka të tjera të cilat me buxhetet e tyre arrijnë të mbulojnë 30% të nevojave.

Në sistemin arsimor parauniversitar mirëmbajtja është përgjegjësi e pushtetit vendor, ndërsa materialet didaktike të Drejtorive Arsimore përkatëse. Investimet në godina dhe mirëmbajtje shpesh herë janë të papërballueshme nga bashkitë, të cilat kërkojnë bashkëfinancim me Ministrinë e Arsimit, e cila jo gjithmonë aprovon projektet e tyre. Në këto kushte bashkitë vetëfinancojnë aq sa mund të përballojnë ndërkohë që pjesa tjetër mbetet në kushte të vështira.Porta Vendore iu drejtua 39 bashkive të mëdha e të vogla, duke kërkuar informacione për numrin e shkollave që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje, buxhetin e planifikuar për të dhe sa % të nevojave mbulon ky buxhet.Ndërsa përgjigje morëm vetëm nga 11 bashki, përkatësisht: Dimal, Përmet, Lezhë, Shkodër, Kamëz, Mallakstër, Vorë, Durrës, Dibër, Bulqizë dhe Lushnje.Në përgjigjet e marra nga 11 bashki, vihet re se janë të shumta godinat që kanë nevojë për ndërhyrje infrastrukturore, kjo ndodh edhe për shkak të zgjerimit të territorit të bashkive, e cila rrit numrin e institucioneve arsimore nën mbikëqyrjen e saj.

Bashkinë Dimal ka aktualisht 4 shkolla në gjendje emergjence për t’u rregulluar. Bashkia i tha Portës Vendore se nga Instituti i Ndërtimit janë vlerësuar për ndërhyrje emergjente dy shkolla, konkretisht shkolla në fshatin Donofrosë dhe në fshatin Gorican, dhe për nxënësit janë marrë masat të kryejnë mësim në ambiente të tjera deri në rikonstruksionin e plotë apo rindërtim të tyre. Por, në përgjigjen e saj për Portën Vendore, Bashkia Dimal thotë se janë dhe dy shkolla tё tjera që kërkojnë ndërhyrje urgjente, shkolla e fshatit Allambrezit dhe shkolla e fshatit Drenovicë, ku kërkohet zgjerim dhe krijim ambientesh shtesë për shkak të numrit të lartë të nxënësve. Bashkia sqaron më tutje se ka hartuar projekt preventivat për të katër shkollat dhe do të aplikohet pranë Ministrisë së Arsimit për bashkëfinancim.

Bashkia Përmet siguron se nuk ka asnjë institucion arsimor në territorin e saj që është në gjendje emergjence dhe ka nevojë për ndërhyrje. Në buxhetin e përcaktuar për vitin 2021 është planifikuar që për arsimin parashkollor të shkojnë 31 milionë e 220 mijë lekë, për arsimin e mesëm 14 milionë e 213 mijë lekë dhe për konviktet 16 milionë e 285 mijë lekë.

Infrastruktura shkollore paraqitet problematike edhe në Bashkinë e Lezhës, ku janë disa godina që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje. Konkretisht, godina e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” që ndodhet në qytetin e Lezhës; godina e shkollës 9-vjeçare “Fran Ivanaj” që ndodhet në Ishull Shëngjin, Njësia Administrative Shëngjin etj. Ndërsa buxhetin për vitin 2021, për mirëmbajtjen e godinave të institucioneve arsimore parauniversitare është 20 317 000 lekë. Por projektet për shkollat që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje nuk janë miratuar ende nga Ministria për bashkëfinancim, kështu që Bashkia Lezhë shprehet se e ka të pamundur të përballojë financimin e vetme.

Bashkia Shkodër administron 82 objekte shkollore. 26 shkolla janë në qytet dhe 56 shkolla në njësitë administrative. Shkolla emergjente për shkak të infrastrukturës, sipas Bashkisë Shkodër janë 7 të tilla, konkretisht 3 prej tyre në qytet dhe 4 në fshatra. Konkretisht, në vitin 2016 ka aplikuar për 4 projekte shkollash, në vitin 2017 për 3 projekte shkollash dhe në vitin 2018 për dy projekte. Nga të gjitha aplikimet Bashkia Shkodër ka gjetur mbështetjen vetёm për dy projekte, të cilat janë realizuar me bashkëfinancim, “Jeto me sportin”, në vlerën 31 571 471 lekë dhe rikonstruksioni i shkollës “Ura e shtrenjtë: në Postribë me vlerë 7 105 224 lekë. Projektet e tjera nuk janë financuar nga ministria, dhe Bashkia Shkodër ka rikonstruktuar me fondet e saj shkollën “Jordan Misja, ka realizuar ngrohjen me kaldajë në shkollën 9-vjeçare “Ismail Qemali”, ndërkohë që është në proces prokurimi rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”.

Bashkia Kamëz shprehet se nuk ka asnjë emergjencë në institucionet arsimore në territorin që mbulon, por shton se për shkak të tërmetit, dy shkolla janë të shembura për të cilat është përzgjedhur donatori në kuadër të “Fondit të Rindërtimit”.  Bashkia thotë se janë rikonstruktuar dy shkolla, ndërsa janë proces rikonstruksioni dy të tjera. Buxheti i bashkisë për arsimin për vitin 2021 është 904.111.874 lekë dhe është përdorur për këtë qëllim 652.450.148 lekë.

Shkollat emergjente, përsa i përket infrastrukturës në Bashkinë Mallakastër janë shkolla “Gjokë Doçi”, Fratar e cila është dëmtuar si pasojë e tërmetit të rënë në vitin 2019. “Për këtë shkollë i është nisur Ministrisë përkatëse kërkesë për rikonstruktimin e saj. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga Ministria”, thotë bashkia për Portën Vendore.

Bashkia Vorë ka nën juridiksionin e saj 13 shkolla, ndër të cilat 11 prej tyre janë funksionale për zhvillimin e procesit mësimor. Si pasojë e tërmetit , disa shkolla në territorin e Bashkisë Vorë u dëmtuan dhe u bënë pjesë projektit të rindërtimit: shkolla 9 – vjeçare Marikaj dhe shkolla 9- vjeçare Ahmetaq. Aktualisht janë në fazën e zbatimit të projektit, 2 godinat e shkollave 9- vjeçare Vorë dhe 9-vjeçare Bërxullë.

Ndërkohë Bashkia e Vorës parashikon realizimin e investimeve 9.4 milionë lekë për vitin 2021, 8 milionë lekë për vitin 2022 dhe 8.4 milionë lekë për vitin 2023.

Bashkia Durrës ka gjithsej 46 shkolla 9-vjeçare, dhe 15 shkolla të mesme. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, të gjitha shkollat që ishin në emergjencë (dëmtuar nga tërmeti), bashkia i ka në proces rindërtimi, riforcimi. Objektet arsimore në rindërtim janë 26 dhe në riforcim 5 objekte. “Puna ka përfunduar në 14 objekte, të cilat janë vënë në funksion që nga dhjetori i vitit 2020. Janë në proces 7 objekte të tjera arsimore për të cilat ka përfunduar procesi i vlerësimit të aftësive strukturore të tyre nga Instituti i Ndërtimit. Objektet e tjera arsimore të cilat nuk janë në emergjencë, janë në monitorim të vazhdueshëm nga Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës”, tha ky institucion në përgjigje të kërkesës për informacion referuar nga Porta Vendore.

Buxheti i Bashkisë Durrës 2021 lidhur me investimet në infrastrukturën arsimore, është në vlerën 147.245.000 lekë. Gjithashtu buxheti shtesë i miratuar për këtë sektor është në vlerën 35.273.000 lekë.

Në bazë të vendimit nr.12 datë 16.10.2018 “Për shpërndarjen e financimit për projekte të reja, thirrja II për vitin 2018, për grantin “Arsimi”, Bashkia Durrës është fituese e vetëm një projekti për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”, me vlerë 140.000.000 lekë, në raport 70% financuar nga FZHR-ja dhe 30% bashkëfinancim nga Bashkia Durrës. Referuar këtij vendimi, Bashkia Durrës ka miratuar këtë fond në vlerën 42.000.000 lekë si bashkëfinancim.

Por edhe Qarku Dibër po vuan nga amortizimi i infrastrukturës shkollore. Bashkia Dibër numëron 6 institucione arsimore në gjendje emergjence. Fondi i planifikuar për vitin 2021 është 14.937.832 lekë nga Bashkia Dibër për “Rikonstruksionin e godinave arsimore” (Kopshte dhe Shkolla). Buxheti i Bashkisë mbulon 30 % te nevojave.

Po ashtu, në Bashkinë Bulqizë të qarkut Dibër janë dhe tre shkolla të tjera në kushte emergjente, ndërkohë që buxheti i planifikuar nga kjo bashki për infrastrukturën e shkollave emergjente është 1 500 000 lekë dhe i mbulon 100% të nevojave. Këto shkolla një pjesë e projektit të MAS për rikonstruksion.

Shkollat që kanë nevojë për rikonstruksion, për shkak të amortizimit në Bashkinë e Lushnjes janë tetë të tilla, ku 2 prej tyre janë në Lushnjë dhe 6 në fshatra, të cilat megjithëse janë riparuar, mirëmbajtur dhe monitoruar vazhdimisht, lind si nevojë rikonstruksioni i tyre.

Buxheti i vitit 2021 në këtë sektor, për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore dhe investime  rezulton se është 31 milionë lekë të reja për shpenzime operative dhe 35 milionë lekë të reja për investime.

Nr. Emërtimi Shpenzime operative Investime (buxheti i ndërmarrjes) Investime Bashkia Totali
1 Arsimi bazë+ parashkollor 26103000 1000000 11063000 38166000
2 Arsimi i mesëm i përgjithshëm   0 0 22875000 22875000
3 Arsimi profesional 3039000 1000000 4039000

 

4 Kujdesi social Qendra PAK 1910000 0 1910000
Totali 31,052,000 2,000,000 3,393,8000 66,990,000

Në bashkëpunim me MAS, bashkia ka realizuar 6 projekte për institucionet arsimore, ndërsa është në proces puna për hartimin e 3 projekteve të tjera.

Ekspertët: Menaxhimi i fondeve, jo i duhuri

Studimet e kryera në këtë fushë thonë se shkak për situatën është formula e financimit të shkollave si dhe ndarja e pabarabartë e fondeve. Nevojat e shkollave në zonat rurale janë më të mëdha për financime, ndërkohë pikërisht këto zona financohen më pak. Rastet kur prindërit janë angazhuar dhe kanë mbledhur para për të përmirësuar kushtet e të mësuarit të fëmijëve të tyre në shkollë janë të mëdha, që nga ngrohja e deri te elementë të tjerë të rëndësishëm.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim- OECD, në një analizë tërësore për arsimin në vendin tonë, publikuar në vitin 2019, shprehet se Shqipëria shpenzon shumë më pak para se vendet e tjera të rajonit si përqindje e PBB-së, por formula sjell edhe diferenca nga njëra shkollë në tjetrën brenda vendit.

Po kështu i njëjti dokument thekson se teksa nënfinancimi kufizon aftësinë e shkollave për të marrë masa përmirësuese, financimi jo i barabartë nënkupton se shkollat që kanë nevojë për më shumë mbështetje si ato në zonat rurale mund të jenë në një disavantazh edhe më të madh.

“Shqipëria duhet të bëjë ndryshime në mënyrën e financimit të shkollave për të siguruar barazi më të madhe. Grantet diskrecionale gjithashtu duhet të përdoren për të ndihmuar shkollat që janë në disavantazh që të punojnë drejt përmirësimit. Sigurohuni që fondet të shpërndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha shkollat. Financimi qendror që drejtoritë rajonale dhe zyrat lokale të arsimit përdorin për të mbuluar shumicën e shpenzimeve të shkollave (psh. rrogat e mësuesve, librat shkollorë) nuk bazohet në një formulë financimi që merr parasysh kontekstet e veçanta të zonës lokale ose shkollave. Në të njëjtën kohë, fondet për mirëmbajtjen e ndërtesave shkollore dhe kostot e përsëritura (p.sh. uji, energjia elektrike, ngrohja) nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e shkollave.”, thuhet në raportin e OECD.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim rekomandon ndryshimin e formulës së financimit, si dhe të sigurohen fonde në dispozicion për të mbuluar nevojat e infrastrukturës.

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj, i pyetur nga Porta Vendore lidhur me financimin e pakët dhe jo, aty ku duhet të ishte nga ana e bashkive për shkollat të cilat ndodhen në emergjencë, tha se bashkitë e mëdha kanë edhe problemet më të thella, sa i takon infrastrukturës arsimore në të gjitha nivelet.

“ Fatkeqësisht pothuajse të gjitha bashkitë në vend, jo vetëm ato të nivelit të dytë por edhe bashkitë e mëdha kanë shfaqur probleme të thella në infrastrukturë arsimore të të gjitha niveleve. Nuk kanë treguar fokus dhe seriozitetin duke bërë që niveli shkollor të humbasë shumë në cilësinë. Në disa bashki vazhdojmë ende të shohim struktura shkollore të degraduara dhe një infrastrukturë shumë të prapambetur.”, tha ai.

“ Prioritet kryesore për bashkitë për investime janë vetëm në ata sektor ku impakti viziv është më i lartë dhe i drejtpërdrejtë te qytetarët. Kjo për arsye të përfitimeve politike dhe për arsye sepse mundësia e korrupsionit dhe vlera e tij është më e lartë”, shprehet Vjoldi Danaj, ekspert i ekonomisë.

Ai shprehet se bashkitë duhen mbështetur dhe ndihmuar nëpërmjet një plani kombëtar për arsimin, i udhëhequr nga institucionet qendrore.

“Institucionet qendrore duhet të jenë vetë të ndjeshme për këtë. Duhet të ketë një kontroll më të rreptë mbi pushtetin vendor për projektet e ndryshme duke e detyruar atë që të vendosi prioritetet në përputhje me nevojat kombëtare, dhe në këtë moment arsimi është emergjencë kombëtare për tu ristrukturuar mbi bazën e kërkesave të tregjeve”, përfundon eksperti Danaj. Albina Hoxhaj/Porta Vendore