Gëzim Prengzi: Problemi i arsimit pas vitit 1990 ka qenë lëvizja e mësuesve profesionistë drejt kryeqytetit dhe Europës

1532
Sigal

PERSONAZH/ Flet Gëzim Prengzi, mësues i Histori-Gjeografisë në Geghysen të Tropojës

Geghyseni, në përbërje të Komunës Bujan, Tropojë, fshat më zë të madh për historinë e tij në breza, një nga simbolet më të qarta të qëndresës ndaj pushtuesve serbo-malazez dhe të tjerë, ka dhënë në periudha të ndryshme të historisë 46 dëshmorë.
I vendosur në një terren malor karshi diellit në mbretërinë e pemës së bekuar të gështenjës, në pranverë erëmjaltë e në vjeshtë me frytin  e saj të shijshëm mes ballkonesh natyrore e krojesh të kristalta, 2 kurora i rrinë mbi krye, historia dhe arsimi. Deri në 1990 fshati kishte rreth 1600 banorë, ndërsa sot si rezultat i lëvizjeve demografike ka një numër shumë më të vogël se sa atëherë.
Gezim Prengzi, lindur dhe banues në këtë fshat, me 2 dekada mësues në këtë fshat rrëfen më poshtë problemet e arsimit në zonën në këto 20 vite arsim në këtë fshat.
Nga kjo shkollë, që sivjet ka jubileun e 70-vjetorit të hapjes së saj, gjatë këtyre viteve nga nxënësit që kanë marrë mësimet e para këtu, sot janë rreth 180 intelektualë të fushave të ndryshme të njohur në Tropoje dhe kudo në vend. Gjithashtu kanë dalë shkrimtarë dhe artistë të fushave të ndryshme si Zog Hysenaj, Elez Qerimaj, Isa Mulgeci, Nexhat Imeraj, Xhafer Prengzi, Selam Imeraj, Besnik Prengzi etj. Gjithashtu sivjet fshati Geghysen ka edhe 100-vjetorin e rezistencës të popullit të kësaj zone ndaj serbo-malazezëve duke dhënë dhjetëra dëshmorë.
 

Sa shkolla ka aktualisht Tropoja dhe sa janë të mesme?

–          Rrethi i Tropojës ka 31 shkolla, nga këto, 24 janë shkolla 9-vjeçare dhe 6 shkolla të mesme të bashkuara dhe gjimnazi ‘’Asim Vokshi’’ në qytetin Bajram Curri.
Në qytetin e Bajram Currit një shkollë 9-vjeçare, ajo ‘’Ali Podrimja’’ është shkollë pilot.

Mbaruat shkollën për mësues, ku u caktuat, si ishte mësimdhënia, po interesi i fëmijëve për shkollën?
–          Pas shkollës së mesme vazhdova studimet në pedagogjiken e Elbasanit ‘’Ekuivalentim pas gjimnazit’’ dhe më pas fakultetin histori-gjeografi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe u caktova mësues në vendlindjen time në Geghysen të Tropojës. Mësimdhënia ishte në nivelin e duhur me gjithë problemet që ishin evidente në periudhën e fillimit të viteve 90, megjithatë interesi i nxënësve ishte në nivelin e duhur por kishte edhe raste të tilla kur nga mosnjohja e realitetit nuk e shihnin si parësorë vazhdimin e shkollës duke parë si zgjidhje largimin nga vendi.

A mendohet mitmarrja në shkollën tuaj dhe si janë lidhjet me nxënësit?

–          Mitmarrja ekziston edhe për inerci të sistemit të kaluar, lidhjet me nxënësit dhe komunitetin janë mjaft të mira, takime të shpeshta mësues-prindër-nxënës dhe koordinimi për një përmirësim të punës kanë qenë frutdhënëse.

Kush ka qenë dita më e vështirë e juaja si arsimtar?

–          Ditën më të vështirë si arsimtar besoj të mos e kem jetuar akoma, por duke parë kushtet që po krijohen dhe mbyllje të shkollave në disa fshatra si rezultat i lëvizjeve demografike të popullsisë, si ditën më të vështirë e mendoj atë që nuk duhet të ndodhë, mbyllja e shkollës së fshatit për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve.

Cilat kanë qenë problemet e arsimit në zonën tuaj dhe cilat janë sot?

–          Problemet e arsimit pas vitit 1990 kanë qenë lëvizja e mësuesve profesionistë drejt kryeqytetit dhe Europes, kanë bërë që stafet pedagogjike shpeshherë të kenë mes tyre edhe mësues jo të profilit, gjithashtu zvogëlimi i numrit të nxënësve ka bërë që të bëhet mësimi në klasa kolektive, ndërsa problemet që ka sot janë mungesa e mësuesve në profile të rëndësishme si: matematike, gjuhë angleze, informatike si dhe në lëndët edukimit muzikor, edukimit figurativ.

Aktualisht si është mësimdhënia në shkollën që punoni, sa nxënës ka dhe si është shkolla me ambientet?

–          Mësimdhënia në shkollën ku punoj është në nivelin e duhur, mësuesit janë të diplomuar sipas profileve por sipas udhëzimeve që kanë ardhur si shkollë me numër të vogël nxënësish mungojnë mësuesit e gjuhës angleze dhe informatikës. Shkolla ka 65 nxënës, disa janë në klasa kolektive çka bën që mësimdhënia dhe mësimnxënia të mos jenë produktive. Ambientet e shkollës janë komode, janë të pajisura si kabinete gjithashtu me ngrohje, ndriçim dhe ujë të pijshëm.

A janë të interesuar vetë nxënësit të shkollohen, po prindërit e tyre?

–          Në përgjithësi nxënësit dhe prindërit kanë shumë interes, me përjashtime shumë të rralla të gjithë nxënësit që mbarojnë këtu shkollën 9-vjeçare vazhdojnë shkollën e mesme në gjimnazet e Bajram Currit dhe Fierzes dhe në shkolla të mesme në rrethe të tjera. Për të rritur nivelin e mësimnxënies, ka një bashkëpunim mjaft të mirë midis prindërve dhe mësuesve dhe organeve të pushtetit lokal e zyrës arsimore për plotësimin e kushteve.

Mësuesit a janë shembulli më i mirë për nxënësit?

–          Mësuesit me përgatitjen dhe punën e tyre janë një shembull i mirë për nxënësit, përveç përgatitjes së tyre si mësues organizojnë mjaft aktivitete të larmishme dhe bashkëpunojnë mjaft mirë me komunitetin e fshatit. Duhen përmendur aktivitetet me vlerë që janë zhvilluar në këtë shkollë si 60 vjetori i shkollës, konkurset dhe montazhet muziko-letrare për 100 vjetorin e Pavarësisë, konkurset për edukimin ndërkulturor me të drejtat e njeriut në shkollë për biodiversitetin etj

Tekstet në zonën tuaj a janë të unifikuara apo ka ende tekste alternative?

–          Tekstet në zonën tonë nuk janë të unifikuara, ato janë përzgjedhur nga komisionet e lëndëve në shkollë sipas profileve dhe janë sjellë në rregull nga shtëpitë botuese të kontraktuara me to.

A vinë libra jashtëshkollorë në zonën tuaj, dhe sa janë të lidhur nxënësit më këta libra?

–          Shkolla jonë ka një bibliotekë por librat në pjesën më të madhe nuk janë të përshtatur për nivelin e nxënësve të shkollës 9-vjeçare. Një ndihmesë të mirë që mundëson përzgjedhjen e librave sipas dëshirës së nxënësve është ‘’Biblioteka Lëvizëse’’ e cila ka funksionuar rregullisht dhe nxënësit kanë pasur një bashkëpunim mjaft të mirë me të duke e gjetur veten me preferencat e tyre për librat. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me shkrimtarë të degës së lidhjet të Tropojës, me të cilët kemi zhvilluar orë të ndryshme letrare në shkollë, siç është rasti me poetët Lulzim Logu e Gjon Neçaj, të cilët dhuruan bibliotekës së shkollës shumë libra të tyre.

Në këto kushte moti, si janë kushtet në shkolla?

–          Dihet që zona jonë dhe rrethi i Tropojës në përgjithësi është një rreth që përballet zakonisht me dimra dhe temperature të ulëta. Terreni i fshatit Geghysen, që është një fshat malor dhe me shtrirje vertikale nga 350-850 m mbi nivelin e detit dhe nga lindja në perëndim nga Shkalla e Grisë e deri në Qafën e Kolçit bën që të përballet me dimra të ashpër me dëborë të madhe e temperature të ulëta. Këtë vit dëbora ra  në kohën e pushimeve dhe me fillimin e shkollës nuk pati ndonjë pengesë për vijimin  e nxënësve në shkollë.

Nxënësit sa larg e kanë shkollën?

–          Rrallë një fshat si Geghyseni të ketë largësi kaq të madhe të nxënësve me shkollën, ka nxënës që e kanë deri në 3km larg objektin e shkollës dhe në kushte të vështira të dimrit e të motit duke kaluar përrenj të mëdhenj dhe trashësi dëbore të madhe.

Tropoja një vend arsimdashës, ku ka nxjerrë poetë dhe shkrimtarë, a i janë larguar vendlindjes krijuesit tropojanë?

–          Duke krahasuar Tropojës me rrethet e tjera nga numri i popullsisë, Tropoja zë vendin e parë në shkallë vendi për numër intelektualësh. Shkrimtarët e poetët tropojanë janë të njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë që kanë fituar dhe çmime ndërkombëtare. Një pjesë e mirë prej tyre janë larguar në Tirane e Diasporë si: Hamit Aliaj, Bensik Mustafaj, Skënder Buçpapaj, Ramiz Lushaj, Halil Buçpapaj, Brunilda Zllami, Mujo Buçpapaj, Anton Papleka etj. Por edhe në rrethin e Tropojës gjallëron një jetë e gjallë artistike, klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Tropojës si dhe shoqata kulturore ‘’Xheladin Gosturani’’ organizojnë mjaft aktivitete me karakter letrar e artistik. Duhet të përmendim shkrimtarët dhe poetët që sot jetojnë e punojnë në Tropoje si: Lulzim Logu, Asllan Osmanaj, Gjon Neçaj, Avdyl Sulaj, Haki Zllami, Ibrahim Kadria etj që me botimet e tyre dhe përurimet që bëjnë, i japin jetë dhe mbajnë gjallë jetën kulturore artistike të Tropojës.

Arsimi 9-vjeçar a është i nivelit evropian?

–          Ministria e Arsimit gjatë këtyre viteve ka bërë përpjekje për ta integruar arsimin shqiptar në nivel evropian. Ka bërë prova duke marrë modele nga vende të ndryshme evropiane duke u bazuar në standardet e tyre. Megjithëse programet janë në nivel  evropian, realiteti i zbatimit në praktike nuk është në nivelin e duhur. Qëllimi i MAS sot është që të promovojë projekte në fushën e arsimit. Aktualisht si pjesë e integrimit në programin Europian Erasmus+ , për Edukimin, Trajnimin, Rininë dhe Sportet, MAS ka përfituar në këtë mënyrë një grant duke u bërë në këtë mënyrë një partnere e e-Twinning-Komuniteti on-line i shkollave në mbarë Europen.

Reforma në arsim sa ka ndikuar në cilësinë e mësimdhënies?

–          Reforma në arsim duket që ka njëfarë ndikimi pozitiv në cilësinë e mësimdhënies por akoma nuk ka dhënë efektet e saj të duhura pasi akoma ka mësues që nuk janë të diplomuar për mësues ose kanë diploma të Universitetit të Gjakovës dhe të disa universiteteve private.

 Albert Z. ZHOLI