Fatmir Vejsiu: Datat për shpalljen e fituesve në universitete dhe rëndësia e fazës së regjistrimit

505
Sigal

INTERVISTA/Flet Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës

Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Telegraf”, se pas dhjetë ditësh do të shpallen fituesit për shkollat e larta. Sipas zotit Vejsiu, faza e regjistrimit është mjaft e rëndësishme për fituesit. Faza e  regjistrimit do të zgjasë një javë dhe duhet që çdo fitues të regjistrohet në degën që ka fituar. Ndërkohë që, më vonë mund të ketë një fazë tjetër regjistrimi që mund të plotësohen vendet bosh, që do të ngelin nga faza e parë.

 -Zoti Vejsiu në çfarë date do të dalin listat e fituesve për në universitete?

-Listat e fituesve që do të studiojnë për vitin e ri akademik në universitetet publike në vend do të shpallen pas dhjetë ditësh. Po punohet nga grupet e punës për përpunimin e të dhënave dhe së shpejti do të kemi fituesit. Ende nuk është vendosur data e saktë por me një përllogaritje të thjeshtë i bie që diku nga data 12 shtator të kemi shpalljen e fituesve.

 -Grupet e punës që po punojnë për përpunimin e të dhënave a kanë hasur vështirësi?

Jo, nuk ka pasur ndonjë vështirësi deri më tani puna po ecën mirë. Por doja të shtoja që po punohet me një intensitet të madh pune.

 -Pas shpalljes së fituesve do të jetë faza e regjistrimit, sa do të zgjasë kjo fazë dhe çfarë duhet të kenë parasysh fituesit në këtë fazë?

Faza e regjistrimit do të zgjasë një javë, po flas këtu për fazën e parë. Ndërsa më pas do të vijë dhe një fazë tjetër regjistrimi, ku do të plotësohen vendet që kanë ngelur bosh nga faza e parë. Por ashtu siç e thashë më lart pas shpalljes së rezultateve është faza e regjistrimi, ku maturantët duhet të regjistrohen në degën që kanë fituar, pastaj mund të ketë edhe ndryshime se mund të lirohen vende bosh. Pas kësaj do të bëhen edhe spostimet e duhura sipas mundësive që do të krijohen.

 -Çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në fazën e regjistrimit?

Regjistrimi është shumë i rëndësishëm dhe asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Kështu që nëse maturanti ka bërë regjistrimin në alternativën që ka fituar fillimisht ka mundësi që më pas të ngjitet në alternativën tjetër. Por duhet të theksoj që kjo ngjitje mund të bëhet gjithmonë nëse maturanti është regjistruar fillimisht në degën që ka fituar në fillim dhe më pas mund të ndryshojnë degët. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt, atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por ama nëse maturanti do të bëjë regjistrimin pasi të ketë lëvizje ai mund të arrijë në preferencën që do, pasi nga praktika e viteve të kaluara ka pasur ndryshime të preferencave të maturantëve.

Datat e shpallura për fillimin e shkollës

-10 shtator do të fillojë mësimi për arsimin fillor, 9 vjeçar dhe të mesëm sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

12 shtator pritet që të shpallen fituesit që do të studiojnë në universitete për vitin e ri akademik.

-Pas daljes së fituesve do të jetë një javë kohë për të bërë regjistrimet.

-Pas regjistrimit do të dalin udhëzimet përkatëse për të plotësuar vendet bosh.

Aplikojnë 5 mijë maturantë për studime jashtë shtetit, shtohen shanset për të tjerët në vend

Rreth 5000 maturantë kanë plotësuar formularët për të studiuar në universitetet jashtë  vendit. Autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve thonë se nëse do të mbeten vende bosh nga ikja e këtyre të rinjve jashtë, këto kuota do të shpallen vakante dhe do të jenë një mundësi e mirë për ata që nuk kanë fituar dhe duan të studiojnë në një nga universitetet publike në vend. Sipas statistikave të grumbulluara, pjesa më e madhe e maturantëve që duan të studiojnë në një nga universitetet evropiane, janë nga Tirana.

“Ne po raportojmë shifrat që kanë kërkuar me anë të formularit A1 ose A1Z të studiojnë jashtë shtetit. Këta kanë qenë rreth 5 mijë. Një pjesë e tyre nuk aplikojnë me anë të formularit A2 për studime në universitetet tona. Një pjesë aplikojnë edhe në universitetet tona, pavarësisht se kanë bërë aplikime në universitete jashtë. Në rastet kur shpallen fitues është momenti i regjistrimit që ata vendosin të mos marrin pjesë dhe këto janë kuota bosh”- ka thënë drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj.

Përsa u përket fituesve në universitete, emrat e tyre do të shpallen më datë 13 shtator.  Javën që vjen pritet të përfundojnë konkurset dhe më pas do të fillojë përllogaritja e pikëve. “Deri më 13 shtator duhet të dalë lista paraprake e fituesve për universitete. Nga data 14- 20 shtator maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në degët, ku janë shpallur fitues”,- shtoi Harizaj. E premtja ka qenë dhe afati i fundit për të gjitha ankimimet e maturantëve. Rreth 500 ankesa kanë mbërritur pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në lidhje me ngatërresën që është bërë për emrin apo për hedhjen e  rezultateve të maturës shtetërore.

 Universitetet, në 3-5 shtator konkurrimi për Arkitekturën

Konkurrimet për Universitetet në degët me konkurs vazhdojnë dhe në ditët e para të shtatorit. Në Universitetin Politeknik të Tiranës, maturantët që dëshirojnë të studiojnë për Arkitekturë dhe Urbanistikë do të zhvillojnë konkurrimet në datat 3 deri më 5 shtator. Faza e parë e konkursit në këtë degë do të zgjasë rreth 4 orë, ndërsa vlerësimi maksimal është sa 25 për qind e totalit. Ndërsa seanca e dytë, ku kandidatët do të testohen mbi njohuritë në vizatimin teknik, do të zgjasë gjithashtu 4 orë. Vlerësimi do të jetë 20 pikë, ose 20 për qind e vlerësimit total. Kurse gjatë seancës së tretë dhe të fundit, kandidatët për arkitektë do të testohen mbi njohuritë e tyre në kompozimin arkitektonik. Vlerësimi maksimal për të është 20 pikë dhe përfshin 20 për qind të vlerësimit total.  Siç është bërë e ditur dhe nga Ministria e Arsimit në publikimin e datave, konkurset për degët me konkurrim nisën më 27 gusht 2012 dhe do të përfundojnë më 5 shtator. Në pjesën më të madhe të universiteteve, konkurrimet u zhvilluan në ditët e fundit të muajit gusht. Sipas datave të bëra publike më parë në Universitetin e Arteve konkurrimet u zhvilluan prej datave 27 gusht deri më 1 shtator; në Universitetin e Sporteve të Tiranës 29-31 gusht 2012; në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012; në Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012; në Universitetin “A. Moisiu”, Durrës, 27-29 gusht 2012. Fituesit në shkollat e larta do të shpallen vetëm pasi të gjithë kandidatët e këtyre degëve të kenë marrë rezultatet e konkurseve dhe të dhënat t’i kenë kaluar Agjencisë Kombëtare të Provimeve.