Falsifikimi i notave, Kaçani dhe Londo refuzojnë të përgjigjen për skandalin

1112
Sigal

Me ndihmën e rektorit të Politeknikut, ndryshohen notat për tu bërë drejtor nën hijen e një ministri. Ja faksimilet

Denoncimi i “Telegraf” për falsifikime të listave të notave të Universitetit Politeknik, me qëllim të drejtimit të institucioneve arsimore, duhet me patjetër të vejë në lëvizje, së pari, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por mbi të gjitha Prokurorinë e Tiranës. Dhe jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për faktin se drejtuesi i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani është përfolur shumë kohët e fundit nga mediat për shkeljet e bëra si titullar i një institucioni të arsimit të lartë. Do të mjaftonte një procedurë e thjeshtë në kontrollin fizik të dokumentacioneve, regjistrave themeltare, vërtetimeve të lëshuara nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe të vërtetohen problematikat e ngritura nga mediat së fundmi. Ndërsa KLSH, boll të auditojë financimet e buxhetit për kandidatdoktorantët, apo për shtesën e ndërtesës së UPT-së, apo edhe humbjet që ka sjellë titullari i këtij institucioni nga mosveprimi lidhur me “humbjen” e mbi 45 mijë titujve të librave në katin përdhes të BSHUPT, që janë kalbur që prej vitit 2008, etj., etj.. Por, le të kthehemi te rasti në fjalë…

Rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Andonaq Londo, me gjithë këmbënguljen tonë të vazhdueshme, ende fshehin të vërtetën dhe mbrojnë falsifikuesin e listës së notave të një instituti arsimor të lartë publik. Një “deja vu” kjo për dekanin Andonaq Londo në mbrojtje të falsifikatorëve të dokumenteve të fakultetit që ai drejton. Njësoj si veproi për diplomën false të ministrit të Arsimit në Maqedoni, Abdilaqim Ademi. Nuk është e vështirë të kuptosh se kush është shkaku i heshtjes së tyre. Porse ky skandal prek dhe kupolën e Universitetit Politeknik, se në të kundërt, pse të dy ata, si Kaçani, ashtu dhe Londo nuk bashkëpunojnë për të zbardhur të vërtetën mbi listën e notave të një drejtori të komanduar në një shkollë të mesme në Vlorë? Çfarë përfaqëson lidhja trekëndore Kaçani-Londo-Drejtori i shkollës së mesme profesionale Qarku Vlorë? Në këtë udhë për zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast, justifikimet e dekanit Londo kanë qenë të njëpasnjëshme. Një herë kishte sekretaren sëmurë, herën tjetër nuk i përgjigjej telefonatave tona dhe përgjigja e fundit u dha në gojën e juristit të fakultetit të Inxhinierisë Mekanike: “Po mbrojmë të dhënat personale, nuk na lejohet të bëjmë publike një listë notash”. Porse ishte e qartë në prononcimin për “Telegraf” ish Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Flora Çabej, e cila tha se “kur interesi publik është i madh, informacioni i kërkuar nuk mohohet”. Këtu kemi të bëjmë me një drejtues të një shkolle të mesme profesionale në Qarkun e Vlorës, i cili presupozohet të jetë modeli i qindra mijëra nxënësve që edukohen në atë shkollë. Dhe prindërit e këtyre fëmijëve si taksapagues shqiptar, kanë të drejtë kush i drejton dhe edukon fëmijët e tyre. Ndërsa Universiteti Politeknik ende mohon të bëjë transparencë. Edhe pse, drejtuesit e këtij universiteti duhet të jenë vetë të interesuar për të zbardhur të vërtetën, që të mos nëpërkëmbet serioziteti i institucionit që ata drejtojnë. Po pse, atëherë nuk veprohet me korrektesë dhe mungon transparenca nga ana e Universitetit Politeknik?!

 Cilat janë elementet e falsifikimit?

Në listën e notave që ne disponojmë janë shumë elementë, të cilat të çojnë në dyshimin e një dokumenti të falsifikuar. Së pari, personi në fjalë e ka mbaruar Universitetin në një periudhë kohore prej 10 vjetësh 1989-1999 dhe nëse kjo listë notash do të ishte origjinale, nuk ka si të jetë firmosur dhe vulosur nga Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Andonaq Londo, i cili e ka këtë detyrë që nga viti 2008. Megjithatë, nëse presupozojmë se kjo listë notash është marrë së fundmi, pasi drejtorit të komanduar të shkollës së mesme profesionale i ka humbur origjinali, atëherë, sërish nuk korrespondojnë datat e dy noterizimeve në faqen e kësaj liste notash, përkatësisht në vitin 2002 dhe 2005 me kohën kur Londo ka qenë në detyrën e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë mekanike të UPT-së. Së treti, një institucion i arsimit publik nuk mund të bëjë gabime trashanike drejtshkrimore siç vihen re në këtë dokument. Pra, duke patur parasysh këto elemente, atëherë pse tremben Londo dhe Kaçani për zbardhjen e së vërtetës? Cilat janë lidhjet e drejtorit të shkollës së mesme profesionale të Qarkut Vlorë, të cilave u tremben të dy, si Londo, ashtu dhe Kaçani?

 Pse mbrohet drejtori i shkollës së mesme profesionale të qarkut Vlorë?

Ndoshta për shkak të lidhjeve të tij (ose më saktë të një të afërmi të tij) me Kaçanin? I pyetur nga “Telegraf” për lidhjet me rektorin e UPT-së Jorgaq Kaçani ai nuk e mohon miqësinë me rektorin, por sipas tij, “kjo miqësi është keqinterpretuar, pasi ne kemi marrëdhënie, të cilat janë në shërbim të pozicionit të punës dhe nga ana ime si respekt ndaj një profesori të nderuar”. Ai i mohon akuzat ndaj tij dhe shprehet se dokumentet e tij janë verifikuar në vitin 2008, pasi ka marrë pjesë në konkursin e MAS-it, nga i cili është emëruar nëndrejtor.

 Institucionet shtetërore të përfshira në skandalin e falsifikimit

Deri më tani kemi 3 institucione shtetërore, të cilat janë bërë palë e këtij falsifikimi. Së pari, siç edhe e kemi bërë publike deri më tani është vetë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës që e ka lëshuar këtë listë notash. Së dyti, është Ministria e Arsimit, e cila ka verifikuar këto dokumente dhe e ka zgjedhur nëndrejtor kur ishte MASH dhe tani MAS, në kontrollin që ka ushtruar në të gjithë arsimin parauniversitar, ka lejuar “ti shpëtojë” ky skandal. Së treti, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, meqë sipas ligjit, shkollat e mesme profesionale kanë kaluar në varësi të kësaj ministrie. Sipas të dhënave që ne disponojmë drejtori i shkollës së mesme profesionale, i cili akuzohet se ka falsifikuar listën e notave, e ka dërguar pikërisht këtë dokument që ne disponojmë, me e-mail një punonjëse të kësaj ministrie, emrin e së cilës për etikë, ende s’po e bëjmë publike. Sipas të dhënave që ne disponojmë drejtori io shkollës profesionale në qarkun Vlorë ka mbështetje të fortë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Flitet se ka lidhje të afërta me bashkëshorten e titullarit të ministrisë. Pra, mesa duket, koraca nën të cilën mbrohet ky falsifikim, është e ndërthurur mirë.

  Ledjana Saliu