Enri ZHOLI: Mësimdhënia nga art, po kthehet në profesion mekanik

75
Sigal

 

“I lumtur është ai njeri, i cili fiton mendjemprehtësinë e të mësuarit që në rini, por tri herë më i lumtur është ai, që ruan zellin e rinisë në moshë të kaluar”(Dagobert Rune)

 

Mësimi është proces i organizuar, i planifikuar më qëllim që të realizohet përvetësimi i diturive në fusha të caktuara. Është proces, që mundëson krijimin dhe përsosjen e shkathtësive dhe shprehive të një individi. Në psikologjinë shkencore termi i mësimit ka një kuptim më të gjerë sesa ai për të cilin mund të përdoret në jetën e përditshme …

“Mendimi s´është më pjesë e gjykimit kur bëhet prangë e kuriozitetit”. Kjo thënie, është thelbi i mënyrës së mësimdhënies. Mësimdhënia nuk është thjesht një profesion; mësimdhënia është art, në të cilin mësuesi me pasionin e tij për dijen, me integritetin dhe përgatitjen e tij arrin t’i frymëzojë studentët e vet, pasi nuk është thjesht aftësia për t’i mësuar njerëzit, por është aftësia për t’i frymëzuar ata që e bën ndryshimin midis një mësuesi të zakonshëm dhe një mësuesi të mirë. Mësuesi në klasë nuk jep vetëm njohurinë mbi subjektin, të cilën studenti e gjen edhe nëpër libra, por jep edhe atë çfarë ai është si person në vetvete, eksperiencën personale, tërësinë e vlerave dhe cilësinë e karakterit të tij. Mësimdhënia e mirë në universitet ka për kusht domosdoshmërinë për të pasur një komunikim të hapur e të lirshëm midis pedagogut e studentit, një marrëdhënie të bazuar në respekt të vërtetë e të ndërsjelltë, duke krijuar një ambjent në të cilin studenti nuk do të ketë ndroje të shprehë mendime, të bëjë pyetje, të sqarojë paqartësira, si dhe të ofrojë nga ana e tij sa herë që të mundet plotësime e risi në dijet në fjalë, duke u ndjerë i mirëpritur, i pranuar dhe i vlerësuar nga profesori. Eshtë çështje sedre profesionale dhe një interes parësor që studentët të kuptojnë çfarë u shpjegohet në leksion dhe të marrin pjesë në aktivitetet, që ndodhin në seminar. Nuk ka asnjë gjë tepër të vështirë për t’u shpjeguar; asnjë njohuri apo arsyetim nuk është tepër i komplikuar për t’u sqaruar. Nëse pegagogu ka kaluar kohë për ta hulumtuar dhe për ta kuptuar konceptin së pari vetë, atëhere asnjëherë nuk është tepër e vështirë t’ua përcjellë atë koncept studentëve, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë. Synimi i pedagogut është që studenti ta kuptojë leksionin që në klasë, duke e dëgjuar prej tij, dhe në shtëpi, pastaj t’i mbetet veçse thellimi dhe pasurimi i bazave që ka marrë në klasë me detaje të mëtejshme. Është çështje dinjiteti për një arsimtar të ruajë ndershmërinë, drejtësinë në gjykim dhe vlerësimin në bazë merite. Ruajtja e dinjitetit ka aspektin e vet profesional; besoj që asnjë intelektual, student qoftë apo arsimtar, nuk duhet të përvetësojë në ndonjë lloj mënyre punën e një tjetri dhe ta paraqesë atë si të vetën, pa i dhënë kredit autorit, apo të përdorë rrugë të tjera të shkurtra, që nuk janë të bazuara në studim e hulumtim të vërtetë personal e në punë të ndershme shkencore. Mësimdhënia dhe studimi janë aktivitete idealiste dhe jo materialiste; në këtë këndvështrim, studenti nuk duhet të vijë në universitet thjesht për të marrë një diplomë, por për të marrë arsimim, dhe pedagogu duhet të ketë qëllime të larta në vetvete dhe ta përdorë mësimdhënien jo si mjet shkëmbimi të interesave materiale, por me një mentalitet të ndërgjegjësuar që ndikimi i tij pozitiv apo negativ jehon në brezat dhe influencon drejtpërdrejt mënyrën në të cilën mbruhet shoqëria e një kombi. Mësuesi duhet të jetë një studiues gjatë gjithë jetës së tij; besoj që në momentin në të cilin një mësues pushon se marri informacion, pushon së lexuari material plus, që e tejkalon detyrimin e vet të orës së mësimit, ai pushon së dhëni atë substancë të freskët, të padëgjuar më parë, të vërtetë, bashkëkohore, realisht të dobishme e të shijshme për mendjen e një intelektuali, që është dija e vërtetë. “Njerëzit e zgjuar vlerësojnë të gjithë njerëzit, pasi ata shohin të mirën te secili sidomos tek shkollimi dhe e dinë se sa e vështirë është të bësh diçka të mirë me anë të dijës”,- ka thënë mbi këtë problem, Baltazar Graciani. Teknologjia dhe ndihma që ajo ofron në mjete për lehtësimin e punës në arsim janë thelbësore për të pasuruar studentin me dije dhe eksperiencë intelektuale. Arsimtari duhet të luajë një rol aktiv në përdorimin e mjeteve teknologjike në mësimdhënien e tij, si dhe në nxitjen e studentëve për punë të pavarur dhe drejtimin e tyre tek burimet e duhura teknologjike në ndihmë të studimit.
Qëllimi në mësimdhënie duhet të jetë i trefishtë: t’u transmetojë studentëve njohuri të sakta, të plota e të mirëinformuara; t’u transmetojë atyre, vlerat bazë të moralit e të karakterit dhe pasionin për dijen; t’i frymëzojë ata që t’i çojnë përpara këto vlera në çfarëdo profesioni të ndodhen në jetën e tyre.

“E sotmja është nxënësja e së nesërmes”(Tomas Fuller) !

Problematikat me të cilat hasen shkollat tona

Megjithëse teknologjia dhe kohët kanë ecur shumë përpara në vendin tonë shkollat hasin një sërë vështirsish. Problematikat me të cilat hasen shkollat tona janë të ndryshe duke filluar nga disa problem të vogla deri tek ato që janë vërtet shqetësuese. Një problematikë shqetësuese që prek shumicën e shkollave në vendin tonë është infrastruktura. Që edukimi të jetë një process i lehtë dhe funksional duhet që shkolla të ofrojë kushtet e përshtatshme për mësimdhënie pëe nxënësit e saj. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë për shkolla që infrastuktura e tyre lë shumë për të dëshiruar. Shumë shkolla nuk kanë dyer apo dritare të rregullta që janë baza më elementare për cdo institucion. Klasat janë në gjendje të mjerueshme dhe higjena është një tjetër problem mjaft serioz dhe shqetësues. Kur shkollat dhe institucionet përkatëse nuk ofrojnë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e mësimit atëherë mendoj se dhe rezultatet e nxenesve nuk janë të kënaqshme sepse duke parë ambientin ku mësojnë bie dëshira dhe motivimi për të mësuar. Një tjetër problem shqetësues mendoj që është dhe numri i madh i nxenësve në klasa. Duke qënë se klasat kanë një numër të madh nxënësish mësimi nuk bëhet në parametrat e duhur. Krijohet më shumë rrëmujë dhe shpërqëndrim tek nxenësit si dhe mësuesi e ka më të vështirë që të mbajë klasën nën kontrroll. Për të shmangur këtë problem duhet që nëpër klasa të jetë një numër i kufizuar nxënësish në mënyrë që mësimi të jetë i qetë, frytdhënës dhe aktivizimi i tyre është më i madh sepse mësuesi ka vëmendjen tek një numër i kufizuar nxënësish dhe jo tek një grup i madh. Mungesa e laboratorëve dhe palestrës është një tjetër problem i shkollave tona. Shumë pak shkolla janë të pajisura me laboratorë dhe palestër. Mungesa e laboratorve sjell mangësi për zhvillimin e disa lëndëve shkencore si biologji, kimi dhe fizikë. Duke pajisur shkollat me laboratorët përkatës ofrohet mundesia për një njohje më të afërt me lëndën dhe përvetësimin e lendës duke vënë njohuritë në praktikë. Mungesa e palestrës në ambientet shkollore është një problem i rëndësishëm. Cdo shkollë duhet të ketë palestërn e saj për zhvillimin në kushtet e duhura të Edukimit fizik. Shpesh herë kësaj ore nuk i kushtohet vëmendja dhe rëndësia e duhur duke zbehur edhe tek nxënësit dëshirën për këtë lendë pavarsisht faktit se është një lëndë aktive dhe mbi të gjitha e rëndësishme për shëndetin tonë fizik dhe mësimin dhe vënien në praktikë të aktiviteteve të ndryshme sportive.