Dr. Vjollca LUBONJA: Tesktet e dobta “përmbytin” shkollat 9-vjeçare dhe të mesme

726
Nuk dua të zgjatem dhe të shtjelloj me hollësi të gjitha problemet me tekstet shkollore, që janë bërë tani një mal i tërë, pasi kam shkruar disa herë në shtypin e shkruar (tek gazeta “Telegraf” dhe ndonjë tjetër), por edhe i kam trajtuar, kur më është dhënë rasti, në ndonjë intervistë këto probleme, që datojnë para reformës së Altertekstit (2006) dhe deri më sot. Dihet mirë dhe s’ka të drejtë askush që ta mohojë se çfarë hov zhvillimi solli Reforma e Altertekstit në vitet e para të tij; se me çfarë serioziteti punoi ekipi i BOMIT-it i viteve 2006-2009 pranë MASH-it (sot MAS-i) dhe si shkolla, në një kohë rekord, u pajis (pa asnjë shpenzim nga shteti, vetëm me investimet nga privatët) me tekstet mësimore më cilësore, në përmbajtje dhe në paraqitje, duke u krahasuar denjësisht me librat e vendeve të zhvilluara të Europës. Sigurisht që, nga viti në vit, përmirësimet ishin të dukshme, kërkesa e llogarisë së strukturave ministrore që mbulonin tekstet shkollore, në vitet 2006-2009, ishin rigoroze dhe deri penalizuese për ata që i shkelnin ato, si nga ana e botuesve, ashtu dhe nga ana e shkollave, drejtorive arsimore etj. Por, si çdo gjë që shpërbëhet sapo ngërthehen interesat partiake dhe shtohet oreksi zhvatës i politikanëve, edhe kjo reformë u deformua deri në shpërbërje. Grykësia e madhe për të qenë pjesë me të gjitha titujt e librave, bëri që disa shtëpi botuese të merreshin me hartime tekstesh shkollore, që nuk kishin as mundësi për përfshirje autorësh të përgatitur, as kohë të mjaftueshme për t’ua kushtuar përgatitjes cilësore të tyre. Kështu, kjo makutëri kapi shtypshkronja, studio grafike, librari apo sekserë librash, që nuk ia kishin haberin se çfarë është libri shkollor, se çfarë përgjegjësi ka të merresh me tekstet shkollore, se çfarë përgatitje dhe profesionalizëm kërkon si për botuesit dhe stafin e tyre, ashtu dhe për autorët e përzgjedhur.

Libri, mall tregu me shumicë
Dhe kështu, me idenë, se deti u bë kos, nën trysninë kryekëput të politikës zhvatëse apo të trajtimit të librit shkollor si “mall tregu me shumicë”, edhe BOMIT-i “u dorëzua”. Filluan konkurrim pas konkurrimi edhe për tekste që i kishin tashmë alternativat e tyre të mjaftueshme në shkollë dhe lista e alternativave shkoi në 6-7 libra për lëndë, madje në ndonjë rast edhe më shumë. Po nëse do shikoheshin nga ana e cilësisë, sigurisht që vetëm 2-3 i qëndronin vlerave kurrikulare, të tjerat ishin “mall biznesi”. Fushata e shkurtimit të teksteve alternative, ndërmarrë nga MAS-i më 2013-2014, nuk pastroi realisht librat më të dobët. Një pjesë e tyre është ende në shkollë, pasi politika e ndjekur, duke hequr librat më pak të përzgjedhur nga shkollat, nuk dëshmon se libri më pak i përzgjedhur është detyrimisht më i dobëti, kur dihet se sa telefonata, rekomandime dhe premtime u janë bërë drejtorëve në DA-re, ZA-re, apo drejtorëve në shkolla. Jam e bindur që shumë nga këta libra cilësorë, të papërzgjedhur mjaftueshëm, as që janë parë nga mësuesit e lëndëve përkatëse, pasi ose DA-ret dhe ZA-ret vendosnin vetë në emër të gjithë shkollave të rrethit për “titujt e telefonuar” ose drejtorët e shkollave ua fshinin mësuesve specimenet (modelet), duke u lënë vetëm alternativën e “parapëlqyer” nga titullari. Dhe mësuesit, edhe nëse e dinin se kishte alternativa të tjera, zor se do guxonin t’ia thyenin dëshirën-urdhër drejtorit…! Sado që MASH-i i asaj kohe, para 2010-2013, apo MAS-i i kësaj kohe përpiqet t’i heqë nga vetja këto gjynahe me librat shkollorë, e them me bindje dhe të faktuar se si deformimi e Reformës së Altertekstit, si shkatërrimi i qëllimshëm i tij, si tekstet e dobëta që kanë hyrë në shkollë, si tekstet e fotokopjuara që shiten me çmime marramendëse dhe që janë librat më të dobët dhe më të papërshtatshëm për shkollën tonë, të gjitha këto kanë një burim që vjen nga vetë MASH-i ose MAS-i . 
Interesat klienteliste
Në vitet 2010-2013 dhe deri më sot, bazuar vetëm në interesa klienteliste, filloi dhe vazhdoi fushata më unikale (kjo nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar të botës) të hiqeshin nga qarkullimi metodikat e gjuhëve të huaja me autorë shqiptarë (pa asnjë arsye shkencore) dhe të mos lejohen shtëpitë botuese vendase të konkurrojnë me tekstet e tyre me autorë vendas (shkelje flagrante e Kushtetutës), por të pranoheshin për konkurrim vetëm metodikat e gjuhëve të huaja të sjella nga jashtë, edhe pse ato nuk përqaseshin aspak me strukturën e arsimit tonë, me planet mësimore, pa folur për veçoritë gjuhësore që ka çdo vend për metodikën e mësimit të gjuhëve të huaja. Pra, shkurt, MAS-i apo klientët e saj kishin marrë përsipër të boshatisnin ca stoqe nga Greqia apo nga gjetiu dhe t’i zbraznin në shkollat tona, në emër të një Reforme më të mirë në arsimin parauniversitar! Sot, mos u habisni, nëse në shkolla ka libra të fotokopjuar që shiten 1800 lekë të reja (ndërkohë që metodikat tona, të certifikuara nga MASH-i, ishin shumë cilësore, të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit, me çmime të miratuara nga MASH-i që varionin nga 700-1000 lekë kompleti: libër nxënësi dhe fletore pune, të dyja me 4 ngjyra, me letër 80 g dhe kopertinë 300-350 g). STOP-i, ky emision që na ul me dëshirë para televizorit, si një nga zërat e së vërtetës, organizuar me profesionalizëm dhe i drejtuar nga dy personazhe shumë të dashur, që dinë të japin mes humorit therës, hallet e cilitdo prej nesh, kapi një libër anglishteje të fotokopjuar (duhet theksuar se ky libër është i vetëm në treg, pa alternativë; ka ekskluzivitetin e shitjeve në të gjitha shkollat e vendit me tirazh të plotë). Por ka edhe libra të tjerë të gjuhëve të huaja, si libri i frëngjishtes, ku fletorja e punës, e fotokopjuar bardh e zi, i është bashkangjitur librit të nxënësit në fund dhe ka një çmim shitjeje po aq të kripur sa ai i anglishtes. (Ndërkohë që sipas MAS-it libri dhe fletorja e punës duhet të jenë të veçanta dhe me ngjyra.) Përllogaritjen e kursimit dhe të fitimit për sekserin mund ta bëni vetë!) Pamë përfaqësuesin e MAS-it që sapo e kishte marrë vesh, “na ishte shqetësuar”!! Pse, vërtet nuk i di MAS-i këto? Po që kalohet nga një metodë tek tjetra, nga klasa në klasë, pra në klasën e 10-të fillojnë me metodën nr. 2 të një shtëpie botuese X, për të vazhduar në klasën e 11-të me një tjetër metodë të një shtëpie botuese Y, po kështu edhe në klasën e 12-të. Kështu metodikat nuk sigurojnë vijueshmërinë gramatikore dhe leksikore që është ABC-ja e hartimit të një linje për mësimin e gjuhëve të huaja. Të jetë se nuk marrin vesh si mësohen gjuhët e huaja, apo MAS-i nuk ka metodistë për t’ua sqaruar se çfarë injorance është të hidhesh nga një metodë tek tjetra dhe sa çorientuese është kjo për nxënësit, që duan të mësojnë si duhet një gjuhë të huaj?! Apo MAS-i nuk ka metodistë as në grupet e miratimit të teksteve shkollore në ato konkurse që sajon?! Mos janë gjë stoqe nga magazinat e botës dhe, o burra, t’ua pastrojmë ne, se i kapim me “çmim shumice dhe ua shesim shqiptarëve “sa frëngu pulën”?! Unë mendoj dhe kam bindjen se MAS-i i di të gjitha, madje di edhe diçka tjetër që nuk i vjen për mbarë ta marrë në konsideratë. 

Libra me gabime shkencore dhe pasaktësi konceptuale
Ka lënë si tekst alternativ, në vend të dytë (me pretendimin se përzgjedhja është bërë nga mësuesit), libra që janë të mbushur me gabime shkencore dhe me pasaktësi konceptuale, me mospërputhje me programet respektive. Janë të depozituara në MAS ekzemplarët e këtyre palo librave, me vërejtje (e zeza mbi të bardhë), por që MAS-i i lejon të jenë në katalog dhe të përzgjidhen nga shkollat. Të jenë kaq të dobët mësuesit e gjuhëve të huaja, sa të mos i kapin këto gabime elementare ortografike dhe shkencore, apo nuk mund t’i kundërshtojnë këto libra me gabime, që kanë 5-6 vjet që rrinë në treg dhe MAS-i nuk i heq nga qarkullimi?! Vërtet MAS-i nuk e di se në klasën VI, po ky sekser i librave të gjuhës angleze, që ka monopolin edhe për gjuhët e tjera, ende edhe sot e kësaj dite, nuk i ka pajisur nxënësit me libra? Pse nuk bëhet një investigim për të parë a i kanë librat e gjuhës frënge të gjithë nxënësit në klasën e 6-të? Vërtet shqetësohet MAS-i për mbarëvajtjen e mësimit në shkollë, ndërkohë që bën të paditurin për mungesat e librave? MAS-i e ka futur nën sqetull këtë Shtëpi Botuese, duke i dhënë ekskluzivitetin për furnizimin e shkollave me tekstet e gjuhëve të huaja për klasën e 6-të. Kokëfortësia e MAS-it shkon deri aty, sa më mirë pa libra, se me libra nga Shtëpitë Botuese vendase, të cilat nuk u lejuan të futen në konkurrim me metodikat me autorë shqiptarë. Po pse u bëhet ky denigrim intelektualëve vendas, profesorëve të studiuar dhe të specializuar brenda dhe jashtë vendit?! Kush janë këta që ua hedhin poshtë librat e vlerësuar nga specialistë të shquar të institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare të arsimit, kur edhe rezultatet e arritura me nxënësit me këto libra, flasin për efektshmërinë e lartë të tyre?! Unë e kam përgjigjen, por edhe ju të gjithë duhet ta keni një, përveç MAS-it.
Sigal

Metodiste e gjuhëve të huaja