Dr. Ndriçim Mehmeti/ Teksti unik i historisë, 70 vjetori i rezistencës antifashiste, politika dhe reflektimi

618
Sigal

Çështja e teksteve të shkollës, ka qenë mjaft e debatuar për gati 20 vjet në Shqipëri. Menjëherë pas demokracisë, shkolla jonë kishte nevojë për hartimin e teksteve të reja, veçanërisht në fushën e shkencave sociale. Për shkak të politizimit, një pjesë e këtyre teksteve binin dhe poshtë dhe duheshin bërë të reja. Historia, siç është bërë zakon tek ne çeli një debat të gjerë. Diskutimet për tekstet shkollore të historisë, kanë filluar, që në vitin 1994, në një botim të atëhershëm të Institutit të Historisë, të tekstit të klasës së 12-të (“Historia e popullit shqiptar) dhe vazhdojnë deri sot. Shqetësimi më i madh në atë periudhë, ka qenë politizimi sipas disa historianëve i çështjeve të tilla si: Lufta e Dytë Botërore, trajtimi i forcave politike në këtë periudhë, periudha e mbretit Zog etj. Kaloi kohë dhe duket se diskutime të tilla, ngjalleshin më shumë kur vinte 29 nëntori, dita e çlirimit dhe shumëçka u kufizua në çështjet për datat, qëndrimin ndaj kësaj apo asaj figure e kështu me radhë. Mirëpo për hir të së vërtetës, në vitin 2008, kur një shtëpi botuese, në një tekst të historisë paraqiti një hartë, që sipas historianëve, kishte futur Shqipërinë brenda Greqisë, gjakrat u rindezën. Në atë periudhë pati diskutime të forta, u ngritën grupe pune në MASH dhe për një farë kohe këto kritika u zbehën përsëri. Kritikat u adresuan kundër Ministrisë së Arsimit, politikës së qeverisë, madje kjo e fundit dhe kreu i saj u akuzuan se po manipulonin historinë.

 Komisioni për shkrimin e tekstit unik të Historisë së Shqipërisë

Çfarë ndodhi këtë vit? Një vendim, i cili, përflitej prej muajsh për ngritjen e një komisioni historianësh për shkrimin e tekstit unik të historisë për arsimin parauniversitar, është tashmë i zyrtarizuar. Realisht prej shumë kohësh në Shqipëri, është shprehur shqetësimi se historia ka ndërhyrje politike, ka shtrembërime, po keq përdoret etj. Për këtë qëllim kërkohej me këmbëngulje që politika të qëndronte larg shkrimit të historisë? Mos vallë edhe ky vendim i qeverisë shpreh këtë vullnet? Këtë vendim shumë pak e kritikuan. Nga zërat më autoritar ishte ai i prof. Ana Lalaj. Në fjalët e shkruara prej saj, unë gjeja të njëjtin mendim, habi dhe kundërshti, ndaj nismës qeveritare, për një tekst historie, që mund të quhet edhe teksti zyrtar për arsimin parauniveristar. Mirëpo, të kritikosh dikë edhe pa fakte vetëm përmes supozimeve, për një veprim dhe ta ndërmarrësh vetë atë, besoj se nuk ka ndonjë justifikim. Sikundër e përmenda më sipër, u njoftuam, ashtu si prof. Lalaj, se qeveria ka marrë një vendim dhe cakton një komision që do të bëjë historinë për arsimin parauniversitar. Pyetja më e parë është: A ka ligjshmëri ky komision? Le t’i referohemi ligjit 69/2012, datë 21.06.2012,  “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Në Nenin 47, i cili bën fjalë për tekste shkollore, shprehet qartësisht se : “1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet. 3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të  barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit”. Në asnjë pikë, nuk ka të parashikuar faktin se Këshilli i Ministrave, mund të ngrejë një komision dhe t’u caktojë detyrë që të shkruajë një tekst shkollor, cilido qoftë. Nuk na është shpjeguar se pse KM ka bërë përjashtim për këtë tekst? Tekstet janë alternative dhe nuk ka ekskluzivitet të askujt. Nuk mund të ketë tekst pa konkurrim. A i shkel vendimi i KM atë ç’ka ka parashikuar Ligji i Arsimit Parauniversitar?  Kjo besoj se nuk do shumë mend dhe kalem. Atëherë përse u ndërmor e gjithë kjo nismë? Për të bërë një histori të papolitizuar? Për t’i dhënë fund të ashtuquajturit “abuzivizëm” të teksteve alternative? Apo se më në fund ka ardhur koha, që shoqëria jonë është e ftohtë nga pasionet dhe nuk është ndonjë problem i madh shkrimi i një histori zyrtare?

 A mund të garantohet një histori e papolitizuar?

Ky grup pune nuk na e garanton këtë. Kryetari i grupit të punës, është njëkohësisht, kryetar i një partie politike. Prej 24 vitesh, ai njihet për aktivitetin e tij politik, parlamentar, si ministër në kabinetin e qeverisë socialiste në harkun kohor 1997-2002. Padyshim që krahas politikës, ka vijuar të mos e humbë kontaktin me auditorin dhe librin. Duke marrë në konsideratë karrierën akademike të profesorit nuk vihet në dyshim integriteti i tij në këtë fushë. Por karriera e tij politike, nuk jep as besueshmëri absolute as relative, se tekstet do të kenë qëndrime, të cilat, do të jenë të paanshme, qoftë në paraqiten e ngjarjeve, qoftë në interpretimin e tyre. Nuk duhet harruar se kryetari i komisionit nuk ka ngurruar, ç’ka është në të drejtën e tij, të shprehë hapur rezerva të mëdha për periudhën e mbretit Zog, si dhe të lërë përshtypjen e rishikimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe asaj të diktaturës. Po kështu edhe dy anëtarë të tjerë grupit të punës kanë një aktivitet politik, pavarësisht se në kahe të kundërta. Madje njëri prej tyre e ka lëshuar formalisht aktivitetin partiak vetëm pak ditë përpara 23 qershorit 2014. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në politikë prej vitit 1994. Pas largimit nga politika e djathtë, përkohësisht po i njëjti person është marrë me analizë politike, duke u prezantuar në studio të ndryshme herë si politolog, e herë si analist politik për ngjarje të ndryshme. I është rikthyer politikës dhe përsëri profesionit të politologut dhe analistit të “pavarur”. A është e mundur që ky politolog të ndihmojë me kontributin e tij në hartimin e një teksti të papolitizuar??

 I ashtuquajturit “abuzivizëm” të teksteve alternative?

Nëse teksti, që do të hartohet, krahas objektivit për ta “çliruar atë nga politizimi”, ka ndërmend edhe t’i japi fund “abuzivizmit me tekstet alternativ”, besoj se kjo e rëndon edhe më tej situatën e paqartë të krijuar. Sikundër sqarova më lart, heqja, reduktimi, apo lënia e një teksti të vetëm për një ose disa lëndë, nuk parashikohen në ligj. Nëse ligji 69/2012, i miratuar si asnjë ligj tjetër me 128 vota, do të amendohet, ndoshta krijohen hapësirat ligjore, për të luftuar të ashtuquajturin “abuzivizëm të teksteve alternativ”. Po ashtu, është akoma më e vështirë që të arrihet në hartimin e një teksti të përbashkët për Shqipërinë e Kosovën, kur në Kosovë, nuk përjashtohen alternativat e tjera dhe nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Ministrave posaçërisht për shkrimin e një teksti të historisë. A mundet që një vendim i përbashkët për hartimin e një teksti historie për nxënësit e arsimit parauniversitar të jetë pjesë e platformës së punës mes dy qeverive? Edhe kjo mund të ndodhë. Por deri tani kemi në kushtet, kur nuk ka asnjë hap ligjor që të përligji ndonjë veprim të tillë. A është menduar se dalja e një teksti të vetëm është një monopol, që qeveria e sanksionon me ligj. A mund të prodhojë ky monopol, abuzivizëm financiar? Padyshim që po. Bëhet fjalë për mijëra nxënës, që do t’u imponohet një libër dhe hesapi i fitimeve, bëhet vetë. Pra, abuzivimi i pretenduar (dhe si gjithnjë i paprovuar) i deri tanishëm, zëvendësohet nga një abuzivizëm më i drejtë, sepse kështu thotë qeveria.