Dr. Ndriçim Mehmeti*/ Mësuesit dhe matematika, fajtorë pa faj të rezultateve të Maturës Shtetërore

478
Sigal

“Dijet e maturantëve në Matematikë nuk kanë asnjë lloj ndryshimi nga ato të marra në po këtë lëndë, në shkollat 9-vjeçare”. Është pikërisht kjo arsyeja pse në provimin e Maturës Shtetërore rezultati në provimin e dytë të detyruar, sipas zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, ishte aq i ulët, rreth 26% ngelës. Zëvendësministrja, Nora Malaj, tha se këto të dhëna janë alarm për sistemin arsimor, por pavarësisht kësaj, Ministria e Arsimit vendosi të publikonte çdo rezultat. Madje, sipas saj, kjo përqindje e lartë e mbetësve e detyroi Ministrinë e Arsimit të shohë me lupë situatën. “2 janë pikëpyetjet në këtë rast, ose matematika është e vështirë, ose mësuesit kanë neglizhuar me qëllim që nxënësit t’u drejtohen kurseve private. Nga të dhënat paraprake kalueshmëria pritet të jetë më e lartë në lëndët me zgjedhje, duke qenë se ata i kanë bërë zgjedhjet e lëndëve, ku kanë prirje”, theksoi zëvendësministrja e Arsimit. Referuar të dhënave paraprake, më shumë mbetës regjistrohen në shkollat profesionale dhe në ato me korrespondencë.”

Ky është shkrimi i datës 1 korrik 2014 publikuar në një të përditshme, e cila i referohet pikërisht të dhënave të marra nga MAS. Pra, tani kemi një tjetër këndvështrim, për rezultatin e dobët te maturanteve. Duke ngushtuar rrethin e të dyshuarve për arsyet e këtij rezultati të MSH 2014, të paraqitur si një sukses i madh fillimisht, më së fundi u gjet alibia: Matematika ose mësuesit. Pas reagimeve të para, konfuze, pasojë e tronditjes që dhanë rezultatet e dobëta në lëndën e Matematikës, mendoj se duhet të kishim disa vlerësime më të arsyetuara për atë që ndodhi, edhe pse analiza e plotë e Maturës Shtetërore në tërësi, do të kërkojë një kohë më të gjatë.

Po a janë fajtorët kryesorë lënda e Matematikës dhe mësuesit? Në fakt edhe vetë znj. Malaj nuk i jep dot një përgjigje të saktë, se kush ishte fajtori kryesor, duke na i lënë të hapura mundësitë e diskutimit dhe debatit. Mirëpo që të ketë debat, duhet të ketë lëndë. Ndërsa deklaratat e kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore, të kujton atë lojën rraskapitëse pak minutëshe të kohës së vegjëlisë, kur prindi ose një i afërm donte të bënte një surprizë, thoshte: “Kam një dhurate për ty. Në cilën dorë e kam, në të majtën apo në të djathtën?”. Ti i thoshe në të djathtën dhe ai tundte kokën, në shenjë mohimi dhe ti i thoshe në të majtën dhe lumturoheshe që e gjeje, duke bërë sikur nuk e dije që njeriu ka dy duar. Kur nuk është majtas, është djathtas e anasjelltas. Në rastin e arsyetimit për testin e matematikës, po nuk doli që është matematika fajtor, është mësuesi dhe anasjelltas.

Në krahasim me deklaratat e mëparshme të znj. Malaj, kemi qëndrime më të moderuara. Prindërit hiqen nga lista e dyshimit, po ashtu edhe ata që e lanë arsimin një vit më parë në “gjendje të mjeruar” dhe mbetën mësuesit dhe Matematika. Lajmi i mirë është se edhe për mësuesit ka një tjetër qëndrim. Këta të fundit, nuk klasifikohen si të paaftë, por si lekistë, pra të korruptuar. Kanë dashur t’i rrjepin nxënësit dhe për këtë arsye nuk u kanë bërë mësim. Pra, zero dyshim për paaftësinë e tyre.

Ditë më parë na u tha e kundërta: U tha që kemi prindër që blejnë provimet, kërkojnë më shumë se ç’u takon për fëmijët e tyre, u japin celularë nxënësve me vetëdije që të kopjojnë, kërkojnë nota të pamerituara e shumë e shumë akuza, të cilat madje shkuan edhe ne detaje, duke përfshirë se çfarë fshihej në të mbathurat e nxënësve. Pastaj e kishin radhën mësuesit e paaftë, që nuk dinin Matematikë, që nuk dinin thyesa, veprime etj., etj., etj.. Mirëpo tani na del që mësuesi nuk është i paaftë, por ka neglizhuar detyrën e tij me qëllim përftimin e paligjshëm të të hollave nga nxënësit. Mësuesi është paguar nga shteti për punën që i është ngarkuar të bëjë dhe është tallur, duke mos punuar dhe duke marrë lekë shumëfish nga nxënësit për të njëjtën punë. Kjo gjetje e fundit bie në kontradiktë me konferencat e shtypit si dhe deklaratat e bujshme se ishin hequr njëherë e përgjithmonë kurset private. Kujt t’i besojmë, kësaj deklarate apo atyre të ditëve më parë? Ku është gënjyer më shumë e ku më pak? Ku është abuzuar me shume me emrin e mësuesit, në daljet televizive, në deklaratat për shtyp apo tani me këtë deklarate të fundit? Por le të nisem nga kjo e fundit, e cila ngre pikëpyetjet për provimin e Matematikës, për të ngritur edhe ne dyshimet tona: Kur e kuptoi Komiteti i Maturës Shtetërore në MAS, se mësuesit janë tallur paq me nxënësit, tani që mbaroi shkolla? Nga është siguruar ky informacion kaq i vonuar? Pse KSHMSH e shkollës, KMSH e DAR/ZA-ve, ISHA, apo drejtoria e sektori përkatës i arsimit të mesëm në MAS, nuk kanë pasur paraprakisht një informacion të tillë. Si është e mundur që i gjithë ky zinxhir njerëzish përgjegjës direkt për këtë punë, nuk kanë dalluar një korrupsion kaq të madh që ka gëluar gjithandej, por e kuptoi vetëm 2 javë pas përfundimit të Provimeve të Maturës?

Si ka mundësi që nuk u morën seriozisht të dhënat e shtypit shqiptar që në muajin mars, për një lulëzim të kurseve private, që këtë vit kishin edhe një tarifë më të kripur, se vitet e tjera? Atëherë kujt i drejtohet zëvendësministrja me këtë gjetje të madhe. Kush do ta mbaj përgjegjësinë për këtë që ndodhi? Mësuesit, nxënësit, Matematika, apo prindërit që shtynin fëmijët e tyre drejt kurseve private për nota më të larta?

Si ka mundësi, që drejtuesit e rinj, të DAR/ZA-ve dhe shkollave, të cilët na u paraqitën si “një dorë e fortë e luftës kundër korrupsionit”, me premtimin “për të vënë në binarë arsimin shqiptar”, nuk kanë kuptuar e pale më paralajmëruar apo raportuar këtë gjendje?

Në fakt, edhe këto pikëpyetje të ngritura nga znj. Malaj, janë sa për të kaluar radhën. Këto bëhen për të tërhequr vëmendjen nga gjendja reale si dhe për të zbutur deklaratat fyese, të pak ditëve më parë ku nxënësit etiketoheshin si lope ripërtypëse dhe mësuesit si të paafte. Brenda pak ditësh, vjen deklarata e radhës që përgënjeshtron të parat. Në të vërtetë brendia e kësaj të fundit, për jehonën e pashuar të rezultatit të provimit të Matematikës, është sa e pabesueshme, aq edhe e diskutueshme për përmbajtjen e saj. Mes shumë rreshtave të tërheq vëmendjen fraza, “Dijet e Maturantëve në matematikë nuk kanë asnjë lloj ndryshimi nga ato të marra në po këtë lëndë, në shkollat 9-vjeçare”.

Nga kjo kuptojmë shumë gjëra:

Së pari: Të krijohet përshtypja, se standardi i testit të Matematikës për klasën e nëntë dhe klasën e 12-të ka qenë i njëjtë, me të njëjtin program dhe me të njëjtën shkallë vështirësie. Krahasimi bëhet për gjëra që janë të njëjta, ose shumë të përafërta. Në njohuritë e mia, Matematika e klasës së 9-të dhe asaj të 12-të, kanë vetëm emrin e lëndës të njëjtë, ndërsa shkallën e vështirësisë dhe programin nuk e kanë të njëjtë. Pra, është e pamundur të bëhet një krahasim i tillë.

Së dyti: Ende pa u korrigjuar, provimet e Matematikes së klasës së nëntë, si është arritur në këtë përfundim? Me siguri që ky është një paralajmërim se edhe në provimin e Matematikes për nxënësit e klasës së 9-të, do të keni të njëjtën përqindje kalueshmërie. Në këtë mënyrë, do të kemi më shumë nxënës, të regjistruar në shkollat profesionale, pasi mbetësve të klasës së 9-të, do t’u thuhet që nuk keni të drejtë të shkoni në gjimnaz.

Së treti: Maturantët që morën 10-të nuk është se duhet të mburren shumë me  notën e marrë, pasi me këtë provim të lehtë, ata e kanë marrë pa e merituar 10-n. Pra, nuk ka në radhët e tyre ekselent, përderisa rezultatet e tyre krahasohen me nxënësit e klasës së 9-të. Pra, edhe 10 e tyre është e njëjtë me 10-n e klasës së 9-të.

Së katërti: Kompensimin për rezultatet e dobëta të deritanishme, nxënësit do ta marrin në provimet me zgjedhje.

Këto do të na nxjerrin nga situata. Këtu do të kemi nota më të mira. Tani të gjithë duhet të flenë të qetë. Ministria e Arsimit dhe Sportit, në këto ditë të ethshme të Kampionatit Botëror, e gjeti formulën e zgjidhjes: Përkundrejt penalltive të paqena apo kartonave të shumtë penalizues, që janë marrë deri tani, ka lejuar pak tolerim dhe kompromis në kohën shtesë që të gjitha palët të dalin të kënaqura. Sa për Matematikë: S’kemi ç’i bëjmë, është lëndë e fortë, ndërsa të tjerat do t’i rregullojmë. Edhe po nuk shkuan në shkollë të lartë me kohë të plotë, maturantët e mbetur do të shkojnë në universitet me part-time.

Pra matematika dhe mësuesit janë tani për tani shënjestrat kryesore. Në ditët në vijim, me siguri do te kemi ndonjë qyfyr tjetër. MAS nuk duhet të fshihet pas gishtit, por të bëjë një analizë të thelluar të asaj që ndodhi në provimet e MSH, të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta, për të pasur mundësi që të përmirësojë punën e vet. Secili të mbajë përgjegjësitë e veta, të nisim punën atje, ku ka për të përmirësuar, të ngremë sistemin aty, ku mungon dhe të promovojmë përvojat e mira. Duke e hedhur topin në fushën e tjetrit, nuk është se ke fituar ndonjë gjë të madhe. Tendenca për të fajësuar të tjerët dhe jo veten, nuk ndihmon askënd. Të ofendosh dhe fyesh mësuesit duke i futur në kallëpin e hajdutit pa përjashtim, nuk ka dyshim që është arrogancë, por po ashtu, padyshim, nuk e zgjidh problemin. Me shumë gjasë, kjo nuk ka për të ndodhur, pasi vitin tjetër, matura do të shndërrohet e tëra, sipas parashikimeve, e për pasojë shumë shpejt nisma e parë ligjore e MAS, do të jetë amendimi i Ligjit të Arsimit Parauniversitar, miratuar më 2012-n, me 128 vota.

 *Përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm në MASH

Aktualisht në listë pritje