Del teza e provimit të lirimit, reagon Ministria

619
Sigal

Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë ka reaguar pas publikimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi se teza e provimit për nxënësit e klasave të 9-ta ishte shpërndarë mes nxënësve.

“Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë, me keqardhje edhe njëherë reagon ndaj shpifjes më të fundit në lidhje me testin e lirimit të klasave të 9-ta, duke i bërë me dije opinionit publik se testi i botuar nuk është testi i administruar! Nënvizojmë se kjo është shpifja e radhës e opozitës jashtëparlamentare që ka për qëllim të vetëm krijimin e panikut, të cilën e dënojmë fuqishëm. MASR dënon aktet e vazhdueshme të politikanëve opozitarë që zgjedhin të politizojnë edhe procese krejt teknike, siç është testi i lirimit të klasës së 9-të! Gjithsesi, nuk duhet të çuditemi për sulme të tilla të pakuptimta dhe aspak të nevojshme, pasi ata që djegin e dëmtojnë shkolla nuk mund të mbrojnë kurrë të ardhmen e të rinjve tanë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Sot nxënësit e klasave të nënta zhvilluan provimin e fundit të tyre, atë të matematikës.  Sipas skemës së miratuar, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në notë. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ku dy mësues të lëndës do të bëjnë vlerësimin e të njëjtit test në mënyrë të pavarur njeri-tjetri. Testet do të mblidhen dhe do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit të njësive arsimore vendore të çdo rrethi.