Dekani Bajram Hysa jep alarmin: Mashtruesit rrezikojnë falimentin e fakultetit!

497
Sigal

Zhduken në mënyrë misterioze qindra milionë nga arka e Fakultetit të Mjekësisë që ishin mbledhur nga tarifat e studentëve

 Ajo që ka ndodhur me Fakultetin e Mjekësisë është më shumë se sa një veprim mafioz. Zhdukja apo vjedhja e qindra-miliona lekëve të arkës së këtij fakulteti përbën një krim shoqëror. Shpërdorimi dhe keqmenaxhimi i fondeve po çon drejt falimentimit Fakultetin e Mjekësisë në kryeqytet. Kjo pasi në llogarinë financiare të këtij institucioni është konstatuar zhdukja e qindra milionë lekëve, të cilat janë grumbulluar nga tarifat e regjistrimit të studentëve. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa ka ngritur akuza të forta ndaj drejtuesve të Universitetit Mjekësor të Tiranës për shpërdorimin e fondeve të fakultetit, çka mund të vërë në rrezik procesin mësimor gjatë vitit të ri akademik. Sipas tij, në llogarinë e fakultetit mungojnë qindra milionë lekë. Në arkën e këtij fakulteti nga 140 milionë lekë që janë grumbulluar nga regjistrimet e studentëve të ciklit të parë, atyre të masterave, specializimeve dhe doktoratave, kanë mbetur vetëm 600 mijë lekë. Dekani Hysa shpjegon se si u mundësia ngritja e këtij universiteti, e cila është shoqëruar pa buxhetin përkatës, ndryshe nga sa ndodh me strukturat e tjera të arsimit të lartë në vend. Më tej, dekani Hysa hedh dyshime të forta për destinacionin e këtyre parave duke thënë se, rektorati nuk ka dhënë asnjë shpjegim se, për çfarë po përdoren paratë e Fakultetit të Mjekësisë. “Ky universitet pa fonde është bërë si një brejtës i madh, çka po çon në falimentimin e Fakultetit të Mjekësisë. Ne kemi grumbulluar nga tarifat e studentëve rreth 140 milionë lekë, të cilat janë shpërdoruar nga Universiteti Mjekësor, pasi dje në llogarinë financiare të fakultetit kemi gjetur vetëm 600 mijë lekë”, bën të ditur dekani Hysa. Më tej sqaron se, karshi këtij kaosi të krijuar është kërkuar shpjegim nga rektorja e UT-së, Jera Kruja, e cila nuk ka denjuar të japë përgjigje. Megjithatë shton se në asnjë rast nuk do ta lërë me kaq këtë situatë. Kundrejt situatës së krijuar Hysa shton se do të kërkojë ngritjen e një auditi, për të mësuar se ku kanë përfunduar fondet e destinuara për  fakultetin dhe studentët. Deri pak kohë më parë, fakultetet e shkencave mjekësore kanë funksionuar si pjesë e Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që, me një vendim abuziv të qeverisë së mëparshme, këto fakultete u shkëputën nga UT, duke i grupuar nën një universitet të vetëm, i cili mori emrin Universiteti i Mjekësisë. Por, që për të funksionuar nuk iu akordua asnjë buxhet shtesë. Telashet dhe situatat kaotike me të cilat është përballur ky fakultet gjatë viteve të fundit kanë qenë të shumta, ku ndër më shqetësueset kanë qenë polemikat dhe akuzat e ngritura mbi përzgjedhjet abuzive të kandidatëve që janë pranuar në programet e specializimeve afatgjata. Një tjetër pikë e diskutueshme është edhe punësimi i pedagogëve të rinj që i duhen fakultetit, për të përballuar prurjet e vitit të ri akademik 2013-2014. Po sipas një udhëzimi të miratuar nga qeveria e mëparshme, thuhej se mjekët e QSUT-së mund të punësohen si pedagogë pa kaluar në procedura konkurrimi. Procedurë, të cilën dekani Hysa e kundërshton, duke argumentuar se në asnjë rast nuk do të tolerohet një gjë e tillë, dhe se të gjithë pedagogët do të përzgjidhen përmes konkurrimit të hapur. Kjo edhe në rastet kur ata janë mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.