DAR Durrës, asnjë emërim drejtorësh pa konkurs

672
Sigal

Ish-drejtuesit dhe konkurrentët të indinjuar

Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës, duke qenë hermetike dhe e padepërtueshme për të transmetuar informacion për mediat, ka krijuar një mjegullnajë të pakuptimtë përsa i përket lëvizjeve dhe emërimeve të reja. Largimi, emërimi, komandimi apo konkursi për drejtuesit e rinj në shkolla, mbetet top-sekret për mediat. Asnjeri nuk merr informacion zyrtarisht se, kush u largua, kush u emërua, kush u komandua, kur dhe ku do të zhvillohen konkurset e garimit të atyre mësuesve që duan të bëhen drejtorë shkollash. Madje, edhe me drejtoren e DAR Durrës nuk mund të komunikosh drejtpërdrejt, por përmes një celulari që e mban sekretari i saj. Më parë mund të flasësh me ministrat apo drejtorët e drejtorive, se me drejtorët në rrethe. Një gazetari  nuk i privohet informacioni, përkundrazi me ligj duhet t’i japësh atij edhe detaje të tij. Pra, komunikimi është i detyrueshëm, pastaj edhe dhënia e informacionit dhe shpjegimeve të nevojshme. Por gjithsesi, interesimit tonë, një burim i besueshëm ju përgjigj se, “konkurset bëhen të porositur dhe jo për çdo drejtor, pra ata emërohen nga listat e partisë, pasi paraardhësve të tyre u kërkohet me detyrim dhënia e dorëheqjes, gjithashtu, e njëjta gjë po bëhet edhe me largimin e stafit dhe atyre mësuesve që fati e donte të emëroheshin gjatë 4 viteve të mandatit të dytë të PD-së”. Por pse duhet të ndodh kështu. Ministrja e Arsimit zonja Nikolla, ka deklaruar me dhjetëra here se, “do të zhvillohen konkurse për emërimin e drejtorëve nga DAR tek ata të shkollave”. E ndërsa për drejtuesit e DAR u zhvilluan ato konkurse, (megjithëse, me rezerva nga shumica e pjesëmarrësve) për drejtorët e shkollave, konkurset kanë mbetur në letër. Zyrtarët aktual të DAR Durrës dhe ata pak drejtorë shkollash që kanë mbetur pa u “dorëhequr” janë trembur dhe strukur, duke mos hapur gojën, pasi siç shprehen nën zë, “kemi frikë se na fluturon vendi punës”. Kjo klimë terrori psikologjik tek zyrtarët dhe të punësuarit duhet të marrë fund. Kjo i takon një periudhe të 23 viteve më pare, ndaj duhet thënë, mos ndoshta jemi duke u kthyer mbrapa në kohë? Por kjo dukuri e ka zanafillën deri lart, atje ku edhe ministrat dhe drejtorët e drejtorive, nuk u emëruan dhe nuk fituan me konkurs, për të garuar sipas aftësive profesionale por ata u vendosën nga partia. Mentaliteti  i 45 viteve kërkon ndoshta edhe 45 vite të tjera të na largohet nga vetëdija, duke na rreshtuar të fundit në listën e gjatë të vendeve rajonale e europiane. Drejtoritë Arsimore, çdo drejtori tjetër dhe zyrtarët e drejtuesit e tyre duhet të mos mbyllen në zyrat hermetike, por të hapin dritaren e informacionit për çdo gazetar dhe qytetar, për të bërë transparencën e çdo largimi apo emërimi nga vendi i punës. Kjo pasi çdo veprim tjetër, natyrisht  që lind keqkuptime dhe keqinterpretime, të cilat nuk i shërbejnë mbarëvajtjes së punëve dhe zgjidhjes së problemeve të shumta që ka veçanërisht arsimi sot në Durrës dhe gjithë vendin.