Asije Hoxha: Heshtja e mësuesve nuk do të thotë miratim !

375
Sigal

Mësuesit monument: Sot punojnë me sloganin  “Urdhëro!” , “ Si Urdhëro”

Kush i dëgjoi mësuesit kur folën të shqetësuar, për bashkimin e dy teksteve:  “Gjuha shqipe” dhe “Leximi letrar” në një  tekst të vetëm “Gjuha shqipe”? Pse heshtën  për reformën e dy orëve mësimore për të njëjtën lëndë? Pse heshtin, kur përdoren pa pagesë për zëvendësimin e mësuesve me raporte? Pse nuk flasin për tekstet shkollore dërguar  pa emërtimin e Institucionit që i ka miratuar, të cilat mund të jenë edhe  “Pirate”?…

Ja disa argumente se përse zëri i mësuesve dhe profesionistëve të arsimit dhe auditoreve duhet të merret parasysh nga zyrtarët që militojnë në MASR, por që koha dhe misioni partiak i ka shkëputur nga realiteti i bankave dhe puna e përditshme me nxënësit.

 Teksti “Gjuha shqipe”  megjithë vërejtjet e mësuesve, mbetet ende i pandryshuar!!

Mësuesit e gjuhës shqipe sapo morën tekstet e reja alternative të gjuhës shqipe,  u ndjenë të befasuar dhe mendimet e tyre i shprehën në dërgimin e letrave, ( sipas porosisë që dha Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vërejtje ndaj të gjitha teksteve lëndore të reja) : ku argumentuan dhe vazhdojnë ende të argumentojnë:

1- Lënda gjuha shqipe dhe leximi letrar janë dy disiplina shkencore që duhet të mësohen të veçanta sepse: Nga “Fjalori i Shqipes së Sotme” lexojmë:

  1. Gjuhaështë sistem i veçantë tingujsh, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve e për lidhjen e tyre në fjali. Është mjeti themelor e më i rëndësishëm, që u shërben njerëzve për të shprehur mendimet dhe për t’u marrë vesh njëri me tjetrin në shoqëri…
  2. Leximi letrar është të lexuarit e letërsisë artistike.

Nga përkufizimet pranojmë që kemi të bëjmë me dy disiplina shkencore ku njëra trajton fjalën në funksionin gjuhësor dhe tjera përdor fjalën në funksionin letrar !

 2.- Kanë kaluar 17-vjet nga viti 2004 , kur filloi reforma në arsim me “Altertekstin” dhe ende nuk dimë se:  Kush e propozoi bashkimin e dy teksteve shkollorë: “Gjuha shqipe” dhe “Leximi letrar” duke hedhur poshtë traditën 150-vjeçare?  Pse e propozoi? Mbi ç’baza shkencore u mbështet ky propozim? Kush e miratoi?  Cili është rezultati  i pritshëm nga ky alternim ?…si e argumentuan shkollat “Pilot” këtë ndryshim?…

  1. -Janë dy lëndë, por vlerësimi është një notë. Sipas sondazheve me mësues rezulton se nota në përvetësimin e njohurive gjuhësore gramatikore është më e ulët.Nuk mund të bësh një studim statistikor për të matur nivelin e njohurive dhe shkathtësive për njohuritë gjuhësore gramatikore duke u mbështetur mbi bazën e notave të marra në këtë lëndë!
  2. -Lëvizja e lirë e njerëzve është e vazhdueshme. Nxënësit vijnë nga qytete dhe krahina të ndryshme me një gjuhë me elemente dialektore dhe krahinore, prandaj mësimi i gjuhës shqipe si lëndë e veçantë është domosdoshmëri për mësimin e saj sipas normave standarde.

5.-Tekstet shkollore të integruara u realizuan dhe vazhdojnë të realizohen me mjaft dobësi në përvetësimin e njohurive gjuhësore, që humbasin midis gamës së gjerë të linjave dhe nënlinjave: Gjuha shqipe dhe leximi zhvillohen të bashkuara në një tekst të vetëm nga klasa e dytë deri në klasën e nëntë. Kemi një gërshetim të 10 linjave dhe nënlinjave brenda një teksti. Linjat: 1.- Tëdëgjuarit, 2.-Të folurit, 3.-Të lexuarit, 4.-Të shkruarit, 5.-Njohuri rreth gjuhës me nënlinjat: a.  sintaksë, b.- morfologji, c. – fjalëformim, d.-kulturë gjuhësore, e. –leksikologji,  f.-drejtshkrim (mungon drejtshqiptimi, që nuk është temë mësimore në asnjë program nga klasa 2-9).

 6.-Teksti është ndërtuar me një vijë ndarëse ndërmjet dy disiplinave pa lidhje integruese, për të cilin u bashkuan! Kapitulli i parë“Njohuri letrare” me 130-150 faqe të vendosura në fillim të tekstit. Kapitulli i dytë“Njohuri rreth sistemit të gjuhës” me 100-120 faqe në vazhdim të tekstit.

Po t’i shkëputësh këta dy kapituj qëndrojnë më vete pa prishur metodologjinë e ndërtimit dhe përmbajtjen e tekstit.

7.- Librat e gjuhës shqipe janë voluminoze nga 250-300 faqe,dhe me një format të madh, sepse realizimi i 175 temave mësimore kërkon volum faqesh dhe, nxënësi është i detyruar të mbajë në çantë edhe tekstin e gjuhës kur nuk ka gjuhë edhe tekstin e leximit kur nuk ka lexim.

8.- Planifikimi 5 orë javore gjuhë shqipe të krijon përshtypjen se janë mëse të mjaftueshme! Mirëpo kemi: Gjuhë, planifikuar dy orë javore.Lexim letrar, planifikuar tri orë javore.

Gjuha shqipe vlerësohet edhe më pak nga gjuha e huaj, e cila zhvillohet në shkollë në tri orë javore, apo lënda e Edukimit fizik që zhvillohet në tri orë javore!

9.-Nxënësi në klasën e dytë fillon të lexojë dhe të mësojë elementet e para të leximit dhe elementet e para të normave gramatikore të gjuhës shqipe. A mund të vendosim që në klasën e dytë: nxënësi të mësojë elemente të normativës gjuhësore gramatikore dhe ato letrare?

10.- Ky bashkim sot rezulton i dështuar, sepse jo çdo përvojë  dhe traditë, duhet të fshihet ! Edhe nga punonjës të MASH, në intervistat e tyre shprehEn se 76% e nxënësve kanë vështirësi në kuptimin e lëndës mësimore (ku futet dhe gjuha shqipe) dhe 56% e prindërve nuk i kuptojnë tekstet shkollore. Reforma e dytë, për arsimin 9-vjeçar , me tekstet shkollore, nuk i mori parasysh vërejtjet e përsëritura  të mësuesve, në mbledhjet që u zhvilluan nga IZHA!

  1. -Mësuesit shprehen, se:” jo vetëm që duhet të ndahet teksti, por edhe njohuritë gjuhësore gramatikore duhet të ndahen sipas viteve shkollore: njohuri gjuhësore  gramatikore-morfologji ( klasa 6-7)  dhe njohuri gjuhësore gramatikore-sintaksë (klasa 8-9) si vazhdim i traditës para viteve 90, sesa alternimi morfologji dhe sintaksë brenda një teksti të vetëm … Edhe në Fakultetin Histori-Filologji lënda “Gramatika e Gjuhës Shqipe 1 Morfologjia” dhe “ Gramatika e Gjuhës Shqipe 2 Sintaksa”: mësohen të veçanta. Kjo ndarje do të realizojë  marrjen e plotë të një kategorie  gramatikore dhe jo realizimin e saj pjesë- pjesë gjatë 5-6 viteve shkollore.

12.- Në mbarim të çdo ore mësimi nuk ka mësues, që nuk dëgjon të njëjtën pyetje nga nxënësit: “Mësuese! Çfarë do të bëjmë nesër, gjuhë apo lexim? Orari mësimor shënon vetëm Gjuhë Shqipe! Dhe sapo shkojnë në shtëpi harrojnë porosinë e mësueses.

Mësuesit që përbëjnë grupin kryesor të interesit  e kanë thënë fjalën e tyre. Tani…heshtin. ..

Teksteve shkollore u mungon  Identiteti  i Miratimit  nga MAS (sot MASR) .                                                                                                                     

Në katalogu i teksteve dërguar shkollave të arsimit parauniversitar për përzgjedhjen

e një teksti alternativ, lexojmë gjashtë kolona: Klasa dhe titulli / Botuesi / Botues përkthyes-distributor në Shqipëri / autori-autorët / Çmimi / Vërejtje.

Katalogu i teksteve shkollore dërguar nga MAS me e-mail nuk ka asnjë firmë titullari ku vërteton Institucionin që ka miratuar këtë katalog: Sekretari të Përgjithshëm i Ministrisë, i ngarkuar për tekstet shkollore, ose vetë Ministri!

Për të vërtetuar që tekstet dërgohen në mënyrë pirate në shkolla i referohemi një teksti alternativ “Gjuha Shqipe 7”. Viti 2016.

Lexojmë:Kopertina:  “Gjuha shqipe 7”…   Autorët… Shtëpia Botuese…

Faqja e brendshme: Teksti u hartua si më poshtë:… Njohuri për tekstin nga… Njohuri për gjuhën nga…Botues…Kryeredaktore…Konsulentë shkencor…Psikologë… Recenzentë…Art grafik… Kopertina… Fotograf…

Shfletojmë faqet se mos lexojmë Institucionin që ka miratuar këtë tekst, por asgjëkundi nuk gjejmë”!

Është hera e parë që nga Krijimi i Shtetit shqiptar 1912, që dërgohen tekste shkollore pa identitet miratimi.

MAS shpërndan miliona tekste, pa vendosur emërtimin e institucionit shtetëror që i dërgon. Ky liberalizëm lë hapësirë që nxënësit mund të mësojnë me tekste pirate, me tekste që nuk dihet se nga vijnë. Drejtoritë e shkollave pranojnë  edhe tekste mësimore, libër mësuesi, plane mësimore, harta, fletore pune, mjete mësimore të parekomanduara nga Ministria.

Në Tekstet e reja shkollore deri në vitin 2014, në faqen e brendshme shkruhej: “ Miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, shoqëruar edhe me “Çertifikatë-  Leje Teksti” për t’u futur në tregun e shitjes së teksteve shkollore me karakteristikat e tekstit. Çertifikata firmosej nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i KMT (sot KVTSH).

Mungesa e Institucionit miratues, mungesa e shoqërimit të tekstit përzgjedhës  me Çertifikatë Leje teksti, u la dorë të lirë Komisionit të Miratimit të Teksteve, ( përbërë nga drejtorë të MAS)

që mbas shpalljes publike të teksteve fitues, të ndryshojnë listën, fakte konkrete, botuar në gazetën “Telegraf” datë  20.01.2020.

 

Orari mësimor dy hapa para apo një hap mbrapa?

Ndryshoi organizimi i orarit mësimor !  Idea e mësimit të lëndëve, “ për çdo lëndë brenda një dite të zhvillohet dy orëshe” u pëlqye nga mësuesit dhe nxënësit! Disa mendojnë; se marrin njohuri të plota për një temë mësimore; disa mendojnë  se ky ndryshim na pakëson numrin e lëndëve në një ditë shkollore; disa mendojnë se na është lehtësuar çanta me tekste, që duhet të merrnim çdo ditë; por një masë tjetër e mësuesve dhe nxënësve mendojnë: se brenda dy orëve është e lodhshme për t’u përqendruar në një temë mësimore; se kur mungon një mësuese orët e pushimit bien mbi kurrizin tonë; se dy orë pushim na çoroditin për të ndjekur të përqendruar orën e tretë dhe të katërt; por kur mungojnë dy mësuese nuk ka lumturi më të madhe, se jemi në shkollë, por nuk bëjmë asnjë orë mësim;  se ka lëndë që zhvillohen një orë javore dhe bashkimi i dy temave, bën që lënda të zhvillohet dy herë në muaj!

Reforma në arsim, edhe në përcaktimin e orëve mësimore për çdo lëndë paraprakisht  duhej të eksperimentohej  në shkollat “pilot” të përzgjedhura nga Ministria.

Gjatë eksperimentit do të dilnin probleme, për të cilat Ministria të merrte masat paraprake. Lëndët mësimore zhvillohen , një- dy- tri –katër- pesë orëshe javore. Për çdo lëndë eksperimenti

në shkollat “Pilot”, do të përcaktonte  disa rezultate pozitive dhe mangësi për  të cilat mund të jepeshin udhëzime konkrete.

Shembull: Mungon mësuesja! Janë dy orë mësimore! Çfarë do të bëhet me këtë klasë, që ka rreth 30-40 nxënës?

Praktika në shkolla është kjo:- Mësuesja, që ka një orë pushim, dërgohet për të mbajtur qetësinë në klasë. Orën e dytë dërgohet një mësuese tjetër, dhe nëse nuk ka mësues në sallën e mësuesve, u kërkohet nxënësve të mbajnë qetësi. Zgjidhja e shkollës është rastësore dhe formale, sepse për lëndën e matematikës e zëvendëson mësuesja e muzikës , edukimit fizik!

Deri vonë praktikohej zëvendësimi i mësuesve me raporte mjekësore ishte i organizuar nga Drejtoritë Arsimore ( monizëm ) dhe nga Drejtoritë  Arsimore Rajonale; vitet e fundit. Për çdo lëndë mësimore ka një grup mësuesish  në pritje të emërimit dhe që aktivizohen  në shkolla në për raporte mjeksore. Edhe për një ose tri ditë raport zëvendësohej mësuesja. Tani me udhëzimet e reja mësuesi zëvendësohet vetëm kur kemi raport mjekësor 14 ditor. Kur pyet në Ministri se pse raportet me afate të shkurtra  nuk zëvendësohen të përgjigjen:  “Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka parashikuar fonde në buxhetin vjetor  si zë i veçantë  për Ministrinë e Arsimit” .  Mbas mbarimit të raportit  mjekësor mësueses i duhet të ngjeshë orët e mësimit për të realizuar planin e temave të pa zhvilluara gjatë mungesës së saj!

Sforcimi i mësuesve deri sa të realizojnë planin dhe heshtja e tyre thotë gjithshka!