Arsim ?Nderet, favoret dhe korrupsioni, shkatërrimi i universiteteve shqiptare, ja si shihen universitetet nga studentët

Ndere, favore dhe korrupsion, shkatërrimi i universiteteve shqiptare

“Korrupsioni i lartë, por nuk e denoncojmë dot”, si shihen universitetet nga studentët! (‘nderet dhe favoret’ që kërkojnë pedagogët)

Në auditorët e universiteteve publike shqiptare, korrupsioni nuk është më thashethem, por një përvojë e përditshme për shumë studentë. Ata e dinë se cilët pedagogë kërkojnë “ndere” dhe “favore” për një notë, dhe kush shet libra me detyrim .Ky fenomen tregon një krizë besimi mes studentëve dhe institucioneve të arsimit, dhe dëshmon se korrupsioni është një barrë.

Sigal

Në auditorët e universiteteve publike shqiptare, korrupsioni nuk është më thashethem, por një përvojë e përditshme për shumë studentë. Ata e dinë se cilët pedagogë kërkojnë “ndere” dhe “favore” për një notë, dhe kush shet libra me detyrim. Megjithatë, një pjesë e madhe e studentëve heshtin përballë këtij fenomeni, duke e konsideruar si pjesë të pandashme të jetës universitare, një realitet që nuk mund të ndryshohet. Korrupsioni në universitetet shqiptare është një problem i përhapur, që po ndikon në gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend, dhe ky fenomen, sipas një ankete të realizuar nga organizata “Tek Bunkeri”, është bërë pjesë e jetës universitare.

Sipas një studimi të realizuar nga “Tek Bunkeri” në shtatë universitete publike të Shqipërisë, një në çdo katër studentë ka qenë dëshmitar apo viktimë e praktikave korruptive, siç janë pagesat për nota kaluese, blerja e librave me detyrim, dhe shpërblimet për favorizime akademike.Citizens Channel, ka kërkuar informacion nga universitetet shqiptare për ankesat dhe politikat që janë miratuar për të parandaluar korrupsionin, por përgjigjet kanë qenë të pakta dhe të paplota.

Frika dhe mosbesimi ndaj institucioneve

Një pjesë e madhe e studentëve kanë theksuar se kanë frikë të raportojnë raste korruptive, për shkak të hakmarrjes që mund të ndodhin nga stafi akademik. Mbi 330 studentë deklaruan për anketa se nuk kishin besim te autoritetet përgjegjëse dhe se nuk i denoncuan rastet për shkak të mungesës së provave dhe frikës. Ky fenomen tregon një krizë besimi mes studentëve dhe institucioneve të arsimit, dhe dëshmon se korrupsioni është një barrë që mbingarkon çdo pjesë të sistemit. Në një intervistë për Citizens një student i Universitetit Politeknik thekson: “Kush është i pasur, kalon më lehtë”, duke sugjeruar se favorizimi në universitet është një fenomen i zakonshëm, ku studentët që mund të paguajnë, kalojnë pa vështirësi, ndërsa të tjerët janë të detyruar të mbijetojnë përballë këtij sistemi të padrejtë.

Ky korrupsion nuk kufizohet vetëm te marrëdhënia pedagog-student, por përfshin gjithashtu manipilimin e tenderëve të universiteteve dhe dhënien e kontratave për shërbime që ndihmojnë në mbulimin e parave që shpenzohen. Një shembull i kësaj është hetimi i Struktures së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku u morrën në hetim 24 persona, përfshirë administratorë dhe zyrtarë të lartë të universitetit, për manipulimin e 9 tenderëve, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh. Ky rast është një ilustrim i qartë se korrupsioni ka prekur çdo nivel të universiteteve, duke nisur nga shkollimi i studentëve dhe duke përfunduar te procedurat financiare dhe tenderat e institucioneve.

Pasojat dhe perspektiva për të ardhmen

Ekspertët e arsimit, si Ndriçim Mehmeti, theksojnë se një pjesë e studentëve janë bërë bashkëfajtorë në këtë fenomen, duke e parë ryshfetin si një “zgjidhje të lehtë” për të kaluar provimet. “Përgatitja e dobët akademike, boshllëqet në arsimin e mesëm dhe kërkesat ekonomike, janë disa nga faktorët që i shtyjnë studentët të përdorin rrugë të pandershme”, thotë Mehmeti. Ky mentalitet është i dëmshëm dhe do të vazhdojë të thellojë problemet në sistemin e arsimit të Shqipërisë nëse nuk ndërhyhet menjëherë.

Në një moment kur Shqipëria po përballet me sfida të mëdha në fushën e drejtësisë dhe të korrupsionit, është e domosdoshme që institucionet arsimore të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar këtë fenomen dhe për të garantuar një sistem më të drejtë dhe transparent. Siç e ka shprehur dhe përfaqësuesi i “Qëndresës Qytetare”, Kolindo Vjerdha për Citizens, “Korrupsioni është fenomeni që po shkatërron nga brenda universitetet publike”, dhe është koha që të nisim një luftë të sinqertë kundër tij.

Të gjithë kanë përgjegjësi, qoftë qeveria, qoftë drejtuesit e institucioneve arsimore dhe vetë studentët, që duhet të kërkojnë drejtësi dhe transparencë për të ndalur këtë fenomen të dëmshëm për të ardhmen e brezave të rinj.