Agron Nurellari/Faleminderit Shkodër që na mësove, krenohu me ne se u nderove

531
Sigal

50 vjet më parë kur ti kishe pesë vjet e themeluar, o Universiteti “Luigj Gurakuqi”, ne ishin studentët e Fakultetit Gjuhë-Letërsi dhe Histori, të ardhur nga trembëdhjetë rrethe të Atdheut, Si Fieri, Vlora, Berati, Lushnja, Durrësi, Kruja, Lezha, Shkodra, Puka, Tropoja, Peshkopia, Burreli dhe Kukësi.

U shpërndamë për të shpërndarë dije në profesionin tonë fisnik dhe qe e pamundur të takoheshim për 50 vjet. Por jo më kot thuhet: “Mali me malin nuk takohen, por njerëzit takohen një ditë”. Nismëtarët janë nisur me adresën e shokëve, që për fat 15 ishin vendosur në Tiranë pas vitit 2000. Për nder të takimit jubilar të 50 vjetorit, ne që tani jemi mbi 70 vjeç, donim një gjë speciale dhe si të tillë vendosëm botimin e një libri homazh me titull “Gjysmëshekulli larg” me ideator Naun Kulen, parathënie të Bajram Karabollit, faqosjen e Ismet Balës dhe korrektimin Bahir Isufin, të ndihmuar nga të gjithë.

Ai ka 200 faqe, 55 personazhe, 82 tituj, 140 fotografi, me kopertinë domethënëse në rrugën e jetës në stinën e vjeshtës…

Kujtohet në të, Rozafa, teatri “Migjeni”, kafja e madhe, motra Tone dhe pedagogët: Vebi Bala, Jub Kastrati, Arif Gashi, Mihal Prifti dhe 15 të tjerë të nderuar.

Në kujtimet e gjithsecilit është parfumi i shpirtit, se për atë që ka kujtesë është e lehtë të kujtojë, për atë që ka zemër është vështirë të harrojë.

Në këtë libër udhëtojmë në kohë dhe në hapësirë të gjithë bashkë, përjetësisht të rinj dhe të qeshur, të dashur dhe të dashuruar me çdo gjë të mirë dhe të bukur të kësaj bote si 50 vite më parë dhe vazhdimësi…

Ishim gjysmë shekulli larg…dhe ja ku jemi secili nga ne ka 3-5 fotografi, një biografi dhe një ese nga mbresat dhe ngjarjet…Një provim ky që vetëm 23 na u përgjigjën, mbasi dhjetë janë larguan para kohe, 8 nuk u gjendën në Shqipëri apo nuk ju bashkuan iniciativës.

Në Tiranë mblidhemi këto vite çdo muaj, por dhe dalim në grupe si për dasmën e djalit të shoqes në Shkodër, ngushëllim për shokun në Fier, apo vizita në Tiranë dhe në Durrës dhe do vazhdojmë sa të na punojnë këmbët dhe mendja. Në kolektivin tonë kishim gjimnazistë, pedagogjikas, ish-mësues, pra nga mosha 17 deri në 32 vjeç, siç ishin tipik Kiço Gjonçaj dhe Ilir Ramizi. Do të kujtoj ata që i kemi pranë me zemër Adem Kërçini, djalë e deli djalë, Agron Gjerazi që shkoi duke pritur takimin, Bashkim Kthupin, mjeshtrin e lëndës Gjuhë-Letërsi, Jashar Mucekun që i pushoi zemra në oborrin e gjimnazit në Burrel ku ishte drejtor, Jak Kolën që e zë plumbi qorr në mes të nxënësve dhe kolegëve në Kokëdodë Pukë, të urtin, të mirin, të diturin, Uan Mësonjësi, që mezi priste të na takonte se e mbyti vetmia dhe për mik kishte qenin Rosi.

Mezi po presim datën 23 maj që të mblidhemi në Shkodër edhe njëherë bashkë, por me më shumë pjesëmarrës, si familjarët e gjithsecilit, ata që na presin me pedagogun Tomorr Osmanin dhe studentët e Gjuhë-Letërsisë që janë 50 vjet më të rinj se ne, duke ju dorëzuar stafetën dhe kujtimet për t’i vazhduar dhe përsosur.

 Të gjithë kujtimet në libër kanë vlerat e tyre, por unë dua të veçoj dhe falenderoj sinqeritetin e Kastriot Fullanit, ku mes brengash dhe lotësh gjen vetveten dhe sot administron shkollën e mesme “Njuton”, duke sfiduar jetën që s’i kthehet…

Po ashtu tregimin e Pëllumb Bejkos që i ngjiti shkallët falë ndershmërisë dhe sinqeritetit. Dhe e mbyll me qershinë e tortës tregimin e Naun Kulës, që del jashtë Shqipërisë dhe merr dhe jep kulturë edhe atje. Të tjerat na i thotë Sabri Koduzi, dje …sot…nesër dhe me urimin “festofshim dhe jubile të tjerë…”.