7950 mësues fitues brenda portalit, por të mbetur jashtë “portave” të shkollave

352

Gazeta Telegraf/

MAS ka instaluar garën transparente, por në disa drejtori duhet shoqëruar
me masa bllokimi për punësimet klienteliste, ja një propozim…


Përparim HALILI

 

Disa mësues nga zona të Qarkut të Korçës, si qyteti Pogradec, Korçë, Ersekë,
Bilisht, Maliq, Leskovik etj, kanë dërguar një letër-ankesë të përbashkët në “Telegraf”,
nëpërmjet të cilës trajtojnë një shqetësim të drejtë, të motivuar e konkret,
lidhur me praktikat që aplikon DAR i këtij qarku, për punësimin e mësuesve. Në
letër thuhet, se drejtuesit e DAR-Korçë, veprojnë duke shkelur edhe disa
vendime, urdhra e udhëzime specifike të hartuara, miratuara e referuara prej
MAS, për zbatim të detyrueshëm, si metodologji bashkëkohore dhe e hapur për
punësimet e mësuesve. Sipas letrës, rezulton se prej Drejtorisë Rajonale të
Qarkut Korçë (DAR), janë bërë shkelje deri në abuzime të shumta në punësimin e
mësuesve, duke bërë emërime klienteliste, nepotike, shoqërore e deri politike.

 

Portali i mësuesve fitues dhe realiteti i fluksit të kërkesave për punësim

 

Nuk bëhet fjalë për praktikat dhe realitetin e emërimit të drejtuesve të
shkollave, por vetëm për mësuesit. Çfarë bëhet prej drejtorëve rajonale arsimorë
në Korçë e në disa qarqe të tjerë të vendit? Po ndalemi tek fenomeni, që
mësuesit nga Korça, të cilin pas verifikimeve të bëra, rezulton se është
shqetësim real për shumë mësues në shakllë vendi, të cilat kanë mbetur pa u punësuar.
Duhet pranuar fakti, që si çdo sektorë tjetër publik edhe arsimi ka një numër të
caktuar punonjësish, në përputhje me numrin e nxënësve e të shërbimeve të tjera
të edukimit parashkollor, apo jashtë-shkollor, mbi të cilin nuk mund të shtohet
asnjë punonjës tjetër. Po çfarë ndodh me numrin e planifikuar të mësuesve të
sistemit parauniversitar e parashkollor në Korçë e disa qarqe të tjerë? Sipas letrës
së mësuesve, prej MAS është konceptuar e futur në zbatim një model konkurrimi real
dhe i hapur i punësimit (rekrutimit) të mësuesve dhe ky model është mirëpritur
prej mësuesve, si një mundësi reale, për të shmangur (minimizuar) padrejtësitë
dhe korrupsionin në zbatimin e politikave të punësimeve profesionale, që
shkollat të mos jenë vende pune për ata që kanë hall, por për ata që nxjerrin
arsimin nga “halli” (primitivizmi) 25-vjeçar që e ka mbërthyer. Nuk mund të
mohohet fakti, që në sektorin e arsimit është instaluar dhe po vepron një model
punësimesh të hapura, me konkurrim. “Pa hyrë në specifikime teknike të kësaj
nisme evolucioniste të ministres Lindita Nikolla dhe stafit të saj drejtues në
MAS, shprehet Shkëlqim Allkaj, Drejtori i DAR të Qarkut Fier, në arsim ka një
realitet tjetër reformimi në këtë drejtim: drejtorët rajonalë nuk i vulosin dhe
nuk i firmosin vendimet e emërimeve sipas preferencave personale e urdhrave nga
lartë, por duke respektuar vlerësimet që çdo mësues pretendent për punësim në
sektorin e arsimit, arrin në konkurrimin e portalit të hapur, të lirë e publik “Mësues
për Shqipërinë”, gjë për të cilën, duhet përshëndetur fakti që ministrja
Nikolla na ka dhënë mbështetje të plotë”!

 

Propozimi i mësuesve, ofron kualitet mësuesish

 

Natyrisht që përsëri ka raste abuzimesh e klientelizëm në punësime, por së
pari mësohet se ka një bllokazh, një dyndje që lodh e streson mësuesit që kërkojnë
një vend pune! Liria për të aplikuar është kthyer në një dyndje mësuesish të
mbetur në listat e pritjes për punësim. Ka “sasi” mësuesish në qytete, zona e
rrethe të cilët janë skeduar si fitues edhe me renditje vendi, por që nuk janë
në punë, mbasi nuk ka vende e për rrjedhojë qëndrojnë në pritje. Çfarë
propozojnë mësuesit nga Korça? Ata i propozojnë MAS, këtë zgjidhje: Të hartojnë
një platformë konkurrimi me kritere më të forta profesionale, që të ulet numri
i aplikuesve që në pranimin në portal. Ky propozim, eviton disa ngërçe, që
shesh e ndesh prapa dyerve të drejtorëve të DAR, ku ka ushtri mësuesish që
presin dhe kërkojnë një vend pune, qoftë edhe si “mësues ndihmës”, mjafton që të
dalin nga nga listat pritëse të portalit e të futen në “portat” e shkollave.
Kjo mundësi është e pakët. Ndaj dhe duke vendosur kritere më të frota
profesionale për mësuesit garues, rritet cilësia e mësimdhënies me punësim
mësuesish specialistë dhe pakësohet lista e pritësve që zgjatet pa fund! Por,
kjo zgjidhje, ka edhe një tregues tjetër: duke u përballur me kritere të forta
profesionale, mësuesit “dru me pre” që duan një bordero pune në arsim e jo
profesionin e mësimdhënësit nuk do guxojnë të futen në garë, e po kështu,
drejtuesit e arsimit që bëjnë vlerësimet, do ta kenë vështirë të përfshijnë në
listat e fituesve mësues të nivelit të kohës “partizanë”, që kanë nevojë për
t’u mësuar për vete! Nuk pretendohet, se do të “pastrohet” dhe eliminohet 100% korrupsioni
dhe klientelizmi në përzgjedhjen e mësuesve, paçka se punësimi po i nënshtrohet
politikave fleksibël e transparente që ka ideuar e po konsolidon MAS në këtë
drejtim, me qëllim që të sigurojë ekipe mësimdhënëse kualitative e aktive dhe
mësimdhënie cilësore, produktive e të qëndrueshme! Mirëpo, fakti është ky
që trajtojnë mësuesit e Korçës: Në të 12 qarqet e vendit, 7950 mësues janë
futur si fitues brenda portalit
“Mësues për Shqipërinë” 

në pritje të punësimit, por janë ende jashtë protestave të institucioneve
arsimore, natyrisht jo për shkak të denigrimit të politikave drejtuese të MAS,
por për shkak të numrit të madh të mësuesve që ka në shkallë vendi!

 

Ja qëllimi i portalit: “Mësues për Shqipërinë” 

 

Në nismën “Mësues për Shqipërinë”, synohet dhe po arrihet të përfshihen mësuesit e
sapo-diplomuar në mësim-dhënie, mësues që punojnë me kohë të pjesshme si dhe
mësues të cilët janë prej kohësh në listat e pritjes të DAR në qarqe e ZA në
rrethe
. Kjo iniciativë fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë online në
portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe të bëhen pjesë e kësaj iniciative
konkurruese objektive mes brezave, kualiteteve dhe përvojave të mësuesve, duke
fituar të drejtën për t’u futur në garën e hapur të meritokracisë! Nëpërmjet nismës
“Mësues për Shqipërinë”, synohet:

– Të krijohen profesionistë të
rinj, të dedikuar në arsim

– Të investohet për udhëheqësit
(drejtuesit) e të ardhmes në arsim 

– Të gjenerohen energji të reja
për komunitetin, për ndryshim cilësor