65 pedagogë dhe 4 dekanë me dosje penale në Prokurori. 1118 denoncime arkivohen

629
Është fakt tashmë që në Universitetin e Elbasanit, studentët detyrohen nga pedagogët, që të paguajnë shuma të mëdha, për të marrë çdo provim. Studentët në Universitetin e Elbasanit shpeshherë kanë bërë edhe publike denancimet e tyre ndaj pedagogëve për korrupsionin në shkëmbim, të një note vleresuese në provimet. 
Faktet e dhëna nga organi i akuzës të Elbasanit
Burime nga organi akuzës në Elbasan i pohuan gazetës “Telegraf” se “në 4 vitet e fundit, janë nën hetim për korrupsion dhe janë ende nën gjurmim 87 pedagogë të Universitetit të Elbasanit, që janë denoncuar të paktën 5 herë nga studentët dhe organet mediatike, ndërkohë, që denoncimet nuk ndalen”. I njëjti burim nga organi i akuzës në Elbasan, tha se “në procesin hetimor janë edhe 4 dekanë.
Janë arkivuar mbi 1118 denoncime, 24 raste arrestime të pedagogëve
Ndërkohë, që në adresë të pedagogëve të hetuar, ose në proces hetimi janë arkivuar mbi 1118 denoncime, telefonike, me shkrim dhe me forma të tjera të cilat janë konsideruar si burim informacioni për të nisur hetimin”. Në 4 vitet e fundit numurohen mbi 24 raste arrestimesh dhe ndalimesh të pedagogëve, mbi 110 raste të regjistruara kur ata janë thirrur në organet hetimore, ndërkohë që për afro gjysmën e tyre gjykata e Elbasanit e ka pushuar çështjen, edhe kur Prokuroria ka patur prova të pakontestueshme për pedagogët e arrestuar, ndaluar apo të gjykuar në gjendje të lirë. Katër prej padagogëve të arrestuar dhe dënuar, nuk janë pranuar nga Rektorati të rikthehen në detyrë, ndërsa në disa raste të tjera kur ata kanë fituar mbi organet hetimore, kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit. 
Gjykata hesht dhe hedh poshtë procesin hetimor të prokurorisë
Burimet nga Prokuroria thanë se “kemi rritje të numrit të pedagogëve të denoncuar nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, por problemi ynë mbetet gjykata e cila hesh poshtë gjithë procesin hetimor, por ne sërish nuk kemi pushuar çështjen hetimore”. Shumica e denoncuesve janë studentë dhe familjarë të tyre, pasi janë ata që detyrohen të japin para në këmbim të notës, janë ata që turren në lokalet dhe banesat e pedagogëve për të dorëzuar zarfin. Denoncimet në përqindjet më të mëdha kanë mbërritur në organin e akuzës nga studentët e Ciklit të Ulët, Infermierisë, Ekonomikut, por nuk mbeten pas edhe fakultetet e tjera. Duhet thënë se, vitet e fundit pavarësisht masave të Rektoratit, duket se korrupsioni është përhapur si një epidemi në disa fakultete të këtij universiteti, duke futur në darën e korrupsionit shumë pedagogë. Nën hetim janë edhe 2 dekanë aktualë, por dhe 2 ish-dekanë, të cilët kanë të paktën 2 vjet që thirren në organin e hetimit, ndërkohë që dosja e tyre nuk dihet ende pse nuk shkon në gjykatë. 
Kush i mbron pedagogët e korruptuar?
Por ajo që mbetet e vërtetë është fakti se pavarsisht se merren iniciativa dhe angazhime, pavarsisht se edhe Rektorati ka qenë solidare me Prokurorinë e Elbasanit për evidentimin dhe penalizimin e çdo pedagogu që kapet dhe zbulohet me lidhje korruptive, deri sot numri i atyre që janë dënuar apo përjashtuar nga Universiteti “A.Xhuvani” mbetet i vogël, pasi edhe ata që janë gjykuar, kanë paraqitur vendimin “jam i pafajshëm”. Akuza nuk kanë munguar si nga organi hetimor dhe drejtuesit e UE, edhe ndaj proceseve gjyqsore, të cilat shpesh kanë rrëzuar punën 1 apo 2 vjeçare të prokurorëve, duke nxjerrë “të pafajshëm” ata që janë kapur me para studentësh në xhepa dhe çanta në sezone provimesh. 
Sigal