Sigal

Shume degë të universiteteve në vend po braktisen. Në 16 programe studimi në institucionet e arsimit të lartë në rrethe numri i studentëve të regjistruar është zero. Ndërsa në 22 degë të tjera të regjistruarit variojnë nga 1 në 10 persona.  Për të plotësuar kuotat e mbetura bosh Ministria e Arsimit me 9 Tetor ka çelur një tjetër raund regjistrimesh.

Të gjithë ata kandidatë për studentë të cilët nuk kanë fituar në asnjë program studimi në universitet gjatë fazës së parë dhe të dytë të aplikimeve kanë edhe një tjetër mundësi. Të martën ka nisur një raund i tretë regjistrimesh që do të zgjase deri më 13 Tetor. Insituticionet e Arsimit të Lartë do të plotësojnë kuotat duke respektuar renditjen e kandidatëve bazuar mbi aplikimet e fazës së dytë.

Ndryshe nga viti i shkuar akademik, kur Ministrisë së Arsimit iu desh të gjente një zgjidhje në minutën e fundit pasi shumë programe studimi mbeten bosh edhe pas dy raunde regjistrimesh këtë vit plotësimi i kuotave është parashikuar me udhëzim të posaçem të ministres Lindita Nikolla që në nisje të procesit të aplikimit për në universitet.

Dhe në fakt fenomenit të braktisjes, Institucionet e Arsimit të Lartë nuk i kanë shpëtuar as këtë vit. Nga një kërkim i thjeshtë në portalin u-albania vërejmë se në 16 degë të universiteteve në rrethe nuk është regjistruar asnjë student ndonëse janë ezauruar dy fazat e para të procesit.

Kryesisht janë degë si matematika, fizika apo kimia. Ndërsa në 22 programe të tjera studimi i të regjistruar  varion nga 1 deri në 10 duke mos plotësuar as numrin minimal të studentëve për të qëndruar hapur.

Nëse këto kuota nuk plotësohen as përmes listës së aplikantëve të fazës së dytë, ministria ka parashikuar që universitetet të bëjnë dhe një përpjekje tjetër. Të marrin në konsideratë kërkesat e kandidatëve që nuk figurojnë të regjistruar në një program tjetër pavarësisht përzgjedhjes në raundin e parë apo të dytë.

Nëqoftëse edhe kjo tentativë dështon atëherë më 15 Tetor kur nis viti i ri akademik rreth 40 degë nuk do të hapen.