Reformimi i Akademisë së Shkencave dhe nevoja për një strategji të re për kërkimin shkencor

531
Sigal

Akademik Anastas Angjeli

Diskutimet dhe debatet mbi shkencën janë tash e disa dekada nga më të rëndësishmet që zhvillohen në institucione të specializuara, në qendra akademike apo institucione të arsimit të lartë në të gjithë vendet e zhvilluara. Ky debat nuk mund të anashkalohej dhe anashkalohet edhe në vendin tonë. Veçanërisht dy vitet e fundit, edhe pse jo mjaftueshëm, debate ka pasur si brenda institucioneve edhe në mënyrë publike.

Gjatë kësaj periudhe edhe vetë Akademia e Shkencave, në kuadër të këtyre diskutimeve, u përfshi tërësisht në një proces reformimi institucional, ligjor dhe të ekipit drejtues të saj. Procesi u shoqërua me një debat publik, dhe konsultim të gjerë dhe të hapur me faktorët e interesit, nga ku u bë e mundur që në përgjithësi, sugjerimet dhe mendimet edhe të projekteve alternative, të ardhura nga anëtarët e asamblesë, ose jashtë saj, të reflektoheshin në ligjin e ri që Kuvendi miratoi në seancën e fundit të këtij sesioni.

Ky ligj, sjell disa risi reformuese për Akademinë e Shkencave si:

  • Ligji është konform standardeve evropiane për organizimin dhe mirëfunksionimin e Akademive të Shkencave. Ai nuk është një copy-paste i një modeli të caktuar, por mbart dhe reflekton përvojat më të mira të arrira, si të ligjeve të mëparshme e veçanërisht të kuadrit ligjor të akademive simotra, kryesisht atyre evropiane. Gjithashtu, ligji korrigjon praktikat e gabuara deri antikushtetuese të konstatuara në aktet e mëparshme, duke garantuar respektim të plotë të parimeve dhe principeve të autonomisë dhe lirive akademike. Kjo falë bashkëpunimit të ngushtë të ASH dhe mbështetjes me asistentë nga ALLEA dhe nga Akademia Kombëtare Gjermane – Leopoldina. (ALLEA mund të konsiderohet për Akademitë e Shkencave siç është Komisioni i Venecias, për nivelin ligjor të rekomandimeve).

2- Ligji sjell një sërë përmirësimesh qe lidhen me:

  1. Përcaktimin e qartë te rolit dhe misionit të Akademisë së Shkencave;
  2. Marrëdhëniet e komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur të ASH me qendrat kryesore të kërkimit, IAL-të dhe institutet, si dhe me organet politikëbërëse për shkencën e kërkimin, posaçërisht marrëdhëniet me Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Parlamentar që mbulon shkencën dhe kërkimin shkencor;
  3. Përcakton kritere dhe procedura me rigoroze për anëtarësimet e reja me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e institucioneve të tjera dhe i hap rrugën freskimit të përbërjes së Asamblesë nëpërmjet pranimeve të reja (mbi 15 anetare brenda 2 vitesh);
  4. Përcakton për herë të parë me ligj krijimin e Akademisë së Shkencave të të Rinjve, si dhe pjesëmarrjen e shkencëtarëve të rinj në mënyrë aktive në komisionet dhe Asamblenë e Akademisë dhe bën një hap para drejt respektimit të parimit të barazisë gjinore etj.
  • Gjithashtu një hap cilësor shënohet për sa i takon krijimit të hapësirave ligjore për ngritjen e qendrave të kërkim studimit pranë Akademisë së Shkencave, duke i dhënë Akademisë një rol pro aktiv dhe jo thjesht deklarativ, i munguar deri më tani, në kryerjen e misionit të saj.
  • Njëherazi krijohen hapësirat e duhura të hapjes ndaj diasporës shkencore dhe ndaj akademikëve dhe mendimit akademik shqiptar në rajon, çka mundëson që akademia të luajë një rol primar në zhvillimin e shkencave të albanologjisë dhe të identitetit kombëtar, si dhe të ndikojë në përfshirjen aktive të studiuesve shqiptare më të suksesshëm, jashtë vendit, në kryerjen së bashku me ta të misionit dhe qëllimit që ka Akademia e Shkencave referuar këtij ligji, si dhe pritshmërisë së opinionit të gjerë.

Kështu, tashmë që kemi një ligj të ri për ASH, që mbart një vizion dhe mision të ri më të qartë që premton një ristrukturim në vazhdim më të thellë, miratimin në proces të një sërë dokumentesh të tjerë (përfshirë dhe Kodin Etik) për një funksionim më eficient të saj, pritshmëritë për ASH vijnë e rriten për përmbushjen e misionit të saj. Por është e nevojshme të konsiderohet fakti se ASH është një institucion në të cilën janë të punësuar vetëm 4-5 Akademikë, (Akademikët e tjerë, rreth 30, janë të angazhuar-punësuar në institucione kërkimore e shkencore brenda dhe jashtë vendit), disa punonjës kërkues–shkencor dhe një administratë modeste, krahasuar me tërësinë e punonjësve kërkues e shkencor që janë të angazhuar në institucionet publike, IAL-të, publike dhe jo publike, administratë etj (rreth 1200 vetë). Prandaj kur flasim për eficiencë e reformim të punës shkencore, për pjesëmarrje dhe përfitim nga projektet, për produkte të reja “pjellë e punës shkencore”, nuk duhet të mbajmë gjithë kohës “gishtin drejtuar” se çfarë bën ASH (ajo duhet dhe ka shumë për të bërë), por duhet të konsiderohet gjithë kjo armatë “kërkuesish shkencor” në institucionet e tjera, për një këndvështrim të ri në kërkimin shkencor. Kërkohet një analizë e plotë e “fryteve të punës” së tyre në këta 20-25 vjet. Është kjo arsyeja që nëse po realizohet një hap me fillimin e reformës në ASH, kërkohet shtrirja më tej, në reformimin e kërkimit shkencor në tërësi.

Reformimi i kërkimit shkencor dhe domosdoshmëria e një strategjie të re për të

  • A ka qenë vërtet debati i deritanishëm për reformimin e kërkimit shkencor në terësi apo, vetëm për ASH (edhe pse ky një institucion, qendror dhe shumë i rëndësishëm)?A është kjo gjithçka që kërkohet sot për kërkimin shkencor?
  • A duhet barazuar reforma për ASH me atë për kërkimin shkencor apo kjo e para, dhe natyrisht jo vetëm, duhet të shërbejë edhe për zgjerimin e thellimin e reformës për kërkimin shkencor në tërësi, një reformë ligjore dhe institucionale, e burimeve njerëzore dhe vizionare e konceptuale?
  • A duhet që praktika e punës shkencore, e kërkimit në vendin tonë të reflektojë dhe të jetë në harmoni e të ndjekë zhvillimet e sotme bashkëkohore evropiane e globale, veçanërisht zhvillimet teknologjike e inovative për t’i vënë ato në shërbim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm në vendin tonë?

Janë këto dhe jo vetëm, disa nga arsyet pse kërkimi shkencor në vendin tonë duhet të shkojë drejt një strategjie të re (një punë edhe pse e filluar) që të konsiderojë parametrat e parimet bazë të kërkimit shkencor bashkëkohor dhe atë çfarë është arritur deri sot prej saj. Përkufizimi për të, ka së paku dy-tre dekada që del nga trinomi Shkencë-Teknologji-Inovacion Teknik. Jashtë këtij ekuacioni që shtrohet si i vazhdueshëm, ndaj është dhe i derivueshëm, qoftë kuptimi për shkencën qoftë qasja apo rikonturimi i rolit të saj në shoqëri; do të ishin në rastin më të mirë jo të mjaftueshëm, dhe në rastin më të keq të gabuar si të tejkaluar.

Në shkencë, një rezultat i mundshëm i një provë shkencore arrihet nga arsyetimi logjik i një ideje të caktuar shkencore (domethënë, atë që ne logjikisht do të prisnim të vëzhgojmë nëse një hipotezë apo teori e dhënë ishte e vërtetë apo e rreme). Pritjet e krijuara nga një ide quhen disa herë parashikimet e tij. Kur e lexon këtë përkufizim rrekesh që të mos gjesh pasaktësi, por njëherësh e kupton që mungojnë shumë faktorë që bashkëshoqërojnë shkencën dhe kërkimin shkencor. Psh shkenca nuk është një investim thjesht individual, ndaj me njëherë të shkon mendja tek puna shkencore në grup që krijon atë që njihet në shumë qendra të kërkimit si “inteligjenca kolektive”-shumë larg dhe pa as edhe një lidhje me atë që dikur tek ne quhej “mendimi kolektivizuar”. Shkenca nuk është investimi që “thith” paratë pa i rikthyer ato. Madje shkenca kurrë nuk ka qenë e tillë edhe në shekuj të shkuar kur ajo u disiplinua si e tillë. Kjo sepse punimet, kërkimet dhe arritjet shkencore që realizoheshin nga shkencëtarët e sillnin përfitimin social dhe shoqëror edhe kur ata nuk ishin më në jetë. Ja përse edhe tek ne do duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë, se shkenca ka nevojë për investime çka është shumë e drejtë, por nuk ka as edhe një detyrim që t rikthejë këto investime, qasje kjo që është shumë e padrejtë.

Në punën shkencore ka rëndësi menaxhimi dhe ai është lidhur me disa parime si edhe njihen si më poshtë:” Katër Parimet e Menaxhimit Shkencor.

Këto janë katër parimet e Taylor-it sipas të cilave: Zëvendësoni punën nga “sundimi i gishtit” ose zakon i thjeshtë dhe ndjenja e zakonshme, dhe në vend të kësaj përdorni metodën shkencore për të studiuar punën dhe për të përcaktuar mënyrën më efikase për të kryer detyra specifike.[1] Pra si edhe shihet në thelb është metoda dhe metodologjia. Prej disa dekadash jemi jo thjesht në epokën digjitale por në atë që quhet pushteti digjital që ka transformuar jo thjesht komunikimin por dhe arsyetimin kërkimin dhe kodifikimin shkencor. Në këtë pikëvështrimi metoda shkencore kërkimi apo implementimi pa konvertimin në gjuhën digjitale nuk ka dhe nuk ka për të pasur. Njerëzimi po shkon drejt sundimit digjital. Ja përse që në krye vura në pah lidhjen e teknologjisë me shkencën dhe me inovacinon teknik.

Mund të duket e njohur por edhe pse mund të jetë e tillë e gjej me vend ta rikujtoj se ka një dallim mes kërkuesit si studiues dhe shkencëtarit. “Ndërsa çdo person që bën një hulumtim quhet studiues, madje edhe individualisht. … Zakonisht një studiues është ai që bën ndonjë hulumtim (madje edhe në letërsi, ose në tema sociologjike ose jo-shkencore), ndërsa një shkencëtar është ai që bën hulumtime në shkencë dhe është i lidhur me disa organizma.”

Ne edhe si mentalitet edhe si institucionalizëm do të duhet të tejkalojmë ngërçin ku kemi mbetur. Na duhet zhvillim ekonomik, zhvillim i mëtejshëm shërbimesh, bankare dhe financiare, inxhinierik, në fushën e ujërave, mineralogjisë, të biodiversitetit, pyjeve, për mbrojtjen dhe shtimin e fondit të tokës,biologjisë molekulare, në fushën e gjenetikës,etj. Lypset një rimarrje e mendimit ndër epoka për ta rilexuar dhe rikuptuar si edhe po ndodh në vendet e tjera sot. Lypset një rikthim në vitet më të mira kur shkencat ekzakte që nga matematika dhe fizika krijuan në vendin tonë një traditë të përparuar dhe të krahasueshme me nivelet e përparuara. Fenomene si ngrohja globale dhe energjitë e rinovueshme nuk janë më në fazën e vizibiltetit, është shkuar në aplikimin e tyre duke krijuar zonat e energjisë së rinovueshme, qytetet e gjelbra dhe duke implementuar atë që njihet prej më shumë se dy dekadash si “Eco Friendly Revolution” – Revolucioni miqësor me ekosistemet”…A do vazhdojmë ne të mbetemi “peng” i mendimit dhe veprimit për zhvillimin vetëm me prioritetet e deritanishme të zhvillimit që kemi përcaktuar apo duhet të drejtohemi edhe drejt “produkteve të reja” që afron zhvillimi i sotëm shkencor, teknologjik dhe inovativ, që ofrojnë më shumë zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim, më shumë integrim? Natyrisht që po. Ndërkaq, zhvillimi i shkencës kërkon fonde, por fondet sigurohen jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe nga burime alternative. Kush ka mendim avangardë krijon ide, kush ka ide ndërton strategji zhvillimi. Dua të ndalem në këtë pikë. Nëse krahasojmë parimet e zhvillimit të shkencës të shkollës Ango-Saksone për shekullin XXI dhe me qasjet tona institucionale pa vështirësi dallon se atje flitet që “shkenca zhvillohet me strategji” ndërsa te ne gjen rëndom se shkenca zhvillohet me projekte. Ka një dallim të dukshëm. Por strategjitë në këtë mijëvjeçar kanë disa tipare atributive. Nuk ka strategji të zhvillimit shkencor jashtë “objektivave të mijëvjeçarit”. Ne e kemi nënshkruar marrëveshjen e Johanesburgut të gushtit 2000. E kemi ratifikuar edhe në Parlament Ka punime dhe arritje edhe në disa drejtime, por une dëshiroj të ndaj një shqetësim. Vitin që vjen pra në 2020-n në të gjithë botën do mblidhen tubime që do të bëjnë analizën dhe arritje, si dhe do lëshojnë prirjet për të ardhmen në lidhje me objektivat e mijëvjeçarit. Po ne ku jemi? Ne as edhe e kemi shtruar këtë problem. Duhet të jemi të përgjegjshëm fonde pa ide dhe pa strategji nuk siguron. Duhet të dihet ç’është bërë me angazhimet që janë marrë në disa Konferenca Botërore, për tokën, ujin, popullsinë, ushqimin, barazinë gjinore, luftën kundër varfërisë, etj, etj. Të gjesh partnerë jashtë vendit nuk është e vështirë por t’u tregosh atyre se je homologu i tyre me ide prirje vullnet dhe kapacitete kjo nuk është diçka e thjeshtë. OKB ka lançuar atë që quhet “Agjenda 2030” dhe që adreson punën dhe kërkimin shkencor për energjitë e rinovueshme. Nëse ne nuk kemi ide dhe strategji vështirë të bëhemi pjese e tyre dhe as përfitues të fondeve, dhe as me ritmin e zhvillimit shkencor dhe ekonomik global nuk do të jemi. Ka edhe një orientim tjetër që ka zënë rrënjë në vende si USA apo Britania e Madhe por edhe Japonia Brazili apo Kina, Koreja e Jugut Gjermania etj. Ky orientim quhet STEM që do të thotë (Science-Technology-Engineering-Mathematic) Pra shkencë-teknologji-inxhinieri-matematikë. Ky sistem është implementuar edhe në edukimin universitar dhe atë post-universitar në këto vende.

***

Duke vlerësuar çdo përpjekje e debat, rezultat të arritur e çka tjetër është bërë në këto vite në drejtim të kërkimit shkencor në vendin tonë, lypset shtrirja e këtyre përvojave edhe tek ne, të cilat duhet të jene të orientuara nga tregu dhe nga produktet e reja që kërkon ky treg. Dhe kjo nuk mund të arrihet pa “Një strategji të re të kërkimit shkencor”, e cila duhet të jetë e hapur dhe t’i nënshtrohet një diskutim publik me të gjithë aktorët dhe faktorët e interesit. Gjithashtu, ne duhet të ndërtojmë marrëveshjen mes-vetes se si e kuptojmë shkencën dhe punën e kërkimin shkencor. Nëse nuk e kryejmë këtë detyrim atëherë debatet tona do të jenë” për një godinë pa shpirt”.