Prof. Dr. Alqi Naqellari:  Shqipëria bëhet me Prodhim-Akumulim dhe jo me Kredi-Konsum

638
Sigal

Me logjikën Keynsiane, pagën e muajit ne duhet ta harxhojmë të gjithën për konsum dhe mobiljet t’i blejmë me kredi

Politikanët gjithnjë thërrasin investime të huaja, duke e parë shpëtimin pikërisht te ky zë

Ekonomistët shqiptarë, gazetarët dhe politikanët çdo ditë, në intervistat që japin në televizione, vazhdojnë të venë theksin mbi konsumin, si një nga faktorët e rritjes ekonomike. E keqja është se kjo shprehje nuk përdoret vetëm nga grupet e mësipërme, por përdoret rëndom edhe në Raportet dhe materialet që nxjerr Banka e Shqipërisë. Pra është bërë një sëmundje masive, terma që i përdorin të gjithë dhe shumë rëndom. Për mendimin tim, është një gabim i madh, të thuash se rritja ekonomike vjen nga “rritja e konsumit”. Nuk është konsumi ai që e rrit prodhimin, por janë faktorët ekonomikë që ndikojnë në realizimin dhe rritjen e prodhimit. Konsumi nuk është shkak, por është pasojë. Këta njerëz që e përdorin këtë thënie, bëjnë zakonisht një pyetje “asgjësuese”: se “po nuk konsumova unë, ti nuk ke çfarë të prodhosh”, pra vlerësojnë konsumin si primar,  dhe prodhimin si sekondar. Ata që janë përballë tyre, drejtuesit e emisioneve dhe teleshikuesit nuk i kundërshtojnë dot, sepse që ti kundërshtosh këta njerëz, duhet të kesh njohuri të plota mbi mikroekonominë dhe makroekonominë. Duhet të njohësh mirë teorinë klasike, neoklasike, teorinë marksiste, teorinë keynsiane, neokynsiane, teorinë monetariste dhe teoritë e fundit të lidhura me paratë virtuale, ose kriptomonedhat. Po a i njohin shqiptarët këto teori? Përgjigja është jo, sepse veç librit të Adam Smithit, “Pasuria e Kombeve”, i përkthyer jo i plotë, nuk ka asnjë libër tjetër të klasikëve në gjuhën shqipe. Kapitalin e Marksit nuk e zë dot në gojë sepse hidhen përpjetë, e konsiderojnë një vepër “komuniste”. Në Universitetet tona në Mikroekonomi vazhdohet me Modelin e Kërkes-Ofertës së Marshallit dhe në Makroekonomi vazhdohet tërësisht me teorinë Keynsiane, me Modelet e Kërkesë-Ofertës Agregate dhe IS-LM të Donbursh-Fisherit. Në këtë mënyrë nuk kanë sesi shqiptarët të shikojnë dhe mësojnë teori të tjera që janë të kundërtat e kësaj teorie.

Ata nuk dallojnë dot shpenzimin e fuqisë punëtore në krijimin e mallit dhe shpenzimin e kundrapartisë së saj, parasë në asgjësimin e tij. Por thonë thjesht, pa konsum, nuk ka prodhim. Llogjika e thjeshtë është se, që të konsumosh duhet të kesh mall, dhe të kesh mall duhen para ,dhe që të kesh para, duhet të kesh shitur mall. Dhe sa më shumë mall të shesësh, aq më shumë ke para për të konsumuar. Në këtë aspekt njerëzit nuk vlerësojnë fuqinë punëtore mendore, malli i parë që kanë dhe kryesori që u ka falur Zoti.

            Cilat janë predikimet e kësaj teorie dhe pse gjykoj unë se janë të gabuara?

E para, ekonomia -thekson- rritet, kur rritet prirja marxhinale për konsum, që do të thotë se sa më shumë të rritet konsumi, aq më shumë rritet ekonomia. Llogjika e saj bazohet vetëm në dy elementë llogaritës të Prodhimit të Brendshëm, në kursim dhe konsum. Sa më shumë të rritet konsumi aq më e pjerrët bëhet kurba e shpenzimeve, për pasojë, aq më shumë do rritet ekonomia. Pra me këtë logjikë, ulja e kursimeve dhe rritja e konsumit do rritë ekonominë. Kjo logjikë injoron akumulimin e brendshëm, injoron investimet e brendshme sepse predikon ti çojë ato deri në zero, por a mund të rritet një ekonomi pa akumulim të brendshëm, pa investime të kompanive që veprojnë në Shqipëri? Jo nuk mund të rritet. Pa investime të kompanive shqiptare nuk ka rritje të prodhimit, nuk ka rritje ekonomike. Po çfarë pretendojnë tjetër teoricienët e kësaj teorie?

E dyta, predikojnë shpenzimet autonome. Kjo do thotë shpenzime për ekonominë që nuk janë të lidhura as me normën e interesit dhe as me Prodhimin e Brendshëm, por janë të formës së shpenzimeve të jashtme, të huaja, të kredive, të investimeve të huaja, të koncesioneve etj, etj. Pra, përgjithësisht të lidhura drejtpërsëdrejti me borxhin e brendshëm. Në Shqipëri nuk zë njeri në gojë zërat e tjerë të shpenzimeve autonome, por politikanët gjithnjë thërasin investime të huaja, duke e parë shpëtimin pikërisht te ky zë. Në këtë mënyrë injorohet akumulimi i brendshëm, riprodhimi ekonomik, duke e mbështetur rritjen ekonomike vetëm te investimet e huaja. Pyetja shtrohet, po nëse investimet e huaja janë zero, a do rritet ekonomia? Me logjikën e tyre keynsiane përgjigja është jo, ekonomia nuk do rritet.

Veç këtyre elementëve, një nga zërat më të rëndësishëm janë shpenzimet shtetërore të pa lidhura me PBB-në, siç janë pagat e punonjësve buxhetorë. Realizohet ose jo PBB-ja,  pagat ata do t’i marrim të plota. Me logjikën keynsiane nëse ato rriten, do rritet edhe prodhimi, pra nëse Qeveria rrit pagat si shpenzime autonome, ekonomia do rritet. Me këtë logjikë Qeveria nuk duhet të ndalet por t’u rritë pagat dhe t’ua bëjë nga 10 milionë lekë sepse do rritet ekonomia.

A është logjik ky veprim?

A mund të ketë rritje ekonomike nga kjo rritje e shpenzimeve qeveritare?

Asnjëherë, ato realizohen vetëm nëpërmjet Modelit neokeynsian të Kërkesë-Ofertës Agregate. Me këtë model justifikohet çfardolloj shpenzimi qeveritar. Pasoja është e thjeshtë rritje e borxhit fiskal.Duke mos pasur akumulim, duke mos pasur rritje ekonomike për njësi, duke mos zgjeruar bazën e tatim paguesve atëhere qeverisë i mbetet vetëm një rrugë për të shlyer borxhet, vetëm të marri borxh. Në këtë mënyrë do kemi sistemin zinxhir në rritje të vazhdueshme të larjes së borxhit me borxh.

Qeveria nuk investon në prodhim, po të investonte në sektorin e prodhimit, problemi do ishte ndryshe sepse do krijonte të ardhura për të shlyer borxhet. Ajo shpenzon në sektorë që kthimi është absolutisht i ngadaltë, si në ndërtimin e rrugëve, apo në sektorin e shërbimeve publike.

Buxheti shtetit është si buxheti shtëpisë. Me logjikën Keynsiane, pagën e muajit ne duhet ta harxhojmë të gjithën për konsum dhe mobiljet t’i blejmë me kredi. Ta zëmë se e shpenzuam pagën për konsum dhe mobiljet i blemë me kredi. Pyetja është sa do vazhdojmë kështu, a do t’i shlyejmë këto kredi, nëse po, me çfarë do t’i shlyejmë nëse ne nuk kursejmë çdo muaj nga një çikë? Prandaj kursimi  i ngadaltë, për çdo muaj, do të thotë investim i ardhshëm. Nëse e marrim kredinë duhet ta destinojmë në përdorim për të nxjerrë fitim, përndryshe do detyrohemi të shesim shtëpinë për ta shlyer atë.

Cila është logjika tjetër që përdoret për vlerësimin e Konsumit para Prodhimit?

Mbrojtësit e teorisë keynsiane të konsumit nisen edhe nga mënyra e llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm. Nga metoda e shpenzimeve.  Konkretisht PBB-ja  llogaritet me tre mënyra:

E para, metoda e prodhimit: PBB   =  VSHB + TP + TD – SP. VSHB= vlerë e shtuar bruto, TP= taksa mbi produktin +TVSH, TD= taksa doganore. Me logjikën e këtyre ekonomistëve PBB-ja rritet duke rritur çdo element të saj. Pra hajde ti rritim 1000% taksat se do rritet Prodhimi. Kjo është jashtë çdo logjike sepse e ardhura e krijuar rishtazi është VSHP-ja dhe mbi të në përmasa të caktuara aplikohen shtesa. Nuk mund të thuhet se Prodhimi është rritur nga rritja e taksave dhe ulja e subvencioneve.

E dyta, metoda e shpenzimeve: PBB = KF + FBKF + NGJ + (E – I). KF=konsum përfundimtar(privat, shtetëror dhe i OJF-ve), FBKF= formacion Bruto i Kapitalit Fiks, NGJ= ndryshim i gjendjeve dhe (E-I)= eksport minus import. Pikërisht edhe kjo formulë shfrytëzohet nga neokeynsianët, të cilët thonë se Prodhimi është rritur nga rritja e Konsumit, pra është rritur nga rritja e “pagave të buxhetorëve, të biznesit dhe të OJF-ve”. Kjo është gabim,  se paga është shprehje e punës së kryer,  dhe jo shprehje e konsumit. Një pjesë e saj kthehet e tillë kur futet në procesin e qarkullimit të mallit.

Në fakt të dyja këto formula tregojnë si llogaritet Prodhimi Brendshëm dhe jo se cilët janë faktorët e rritjes së tij. Po si mund të rriten pagat pa u rritur prodhimi? Qeveria ndau “pagat e luftës”, pyetja është a u rrit prodhimi nga miliardat që ndau qeveria, sepse u rrit konsumi? Përgjigja është jo. Prodhimi rritet kur rriten kilet e domatave e të patateve, kur rritet numri i këpucëve apo bluzave të prodhuara, për pasojë,  konsumi rritet kur rritet pikërisht ky prodhim. Kështuqë pa u rritur prodhimi nuk rriten pagat, nuk rritet konsumi. Është prodhimi i pari dhe konsumi i dyti.

Po pse nuk u rritën çmimet kur qeveria hodhi në qarkullim pagat e luftës? Kjo përgjigje meriton një analizë më vete, sepse është e lidhur me polarizimin e shpërndarjes së të ardhurave.

Analiza e thjeshtë që bëmë më sipër mbi prodhim-akumulimin dhe kredi-konsumin,  është pjesë e një analize shumë më të gjerë në dy vëllimet e nxjerra në treg,  “POLITIKAT EKONOMIKE, KEYNSINIAZMI”. Në këto dy vëllime të shkruara me bashkëautor është trajtuar hollësisht teoria Keynsiane. Janë 40 artikuj shkencorë për vitet 2010-2020,  që botohen për herë të parë në Shqipëri. 27 prej tyre janë botuar në anglisht, 16 janë të indeksuar me SCOPUS dhe Faktor Impakti. Synimi i tyre është të jepet kontribut në mendimin ekonomik shqiptar, në shërbim të Qeverisë, të Bankës Qëndrore. Duke ju ardhur atyre në ndihmë i vimë ekonomisë shqiptare në ndihmë. Synimi i dytë është që të tregojmë me studime shkencore, se teoria Keynsiane është e gabuar. Problemi teorisë Keynsiane është trajtuar në  rreth 10 punime, të cilat janë vlerësuar maksimalisht nga mbi 1000 studiues, që për fat të keq ka fare pak shqiptarë. Askush prej tyre, ose në ndonjë punim të ngjashëm,  nuk ka bërë asnjë kundërshtim për konkluzionet e nxjerra. Janë edhe këto dy arsye të tjera që punimet u botuan edhe në Shqipëri. I kemi shkruar ne, shqiptarët, duke dhënë një kontribut, jo vetëm në mendimin ekonomik shqiptar, por edhe në mendimin ekonomik ndërkombëtar.

Skema e Strukturës së PBB-së që propozohet në njerin nga punimet e librit                            Disa nga kontributet shkencore, konkluzionet dhe arritjet e punimeve.

=Modelet e tregut agregat keynsian, të ndërmjetëm dhe klasik praktikisht janë të paaplikueshëm. Modeli është statik, me konkluzione të parashikuara, që shpesh nuk përputhet me realitetin e tregut. Me anë të modeleve ekzistuese nuk mund të realizohen analiza ekonomike.

=Sipas teorisë marksiste, për shkak të kontraditave të brendshme të mallit, nuk ka përputhje midis kërkesës dhe ofertës. Barazia midis shpenzimeve dhe të ardhurave vjen nga mënyra e shprehjes  së Prodhimit, (GDP).  Smithi dhe Say e shprehin si kërkesë efektive.

=Asnjë nga kurbat e kërkesës nuk është me pjerrësi negative. Këto janë realizuar duke marrë në konsideratë teorinë marksiste mbi mallin, teorinë e socializmit kinez të tregut etj.

=Kurba e kërkesës agregate është me pjerrësi pozitive. Kjo është provuar teorikisht dhe praktikisht me të dhënat e ekonomisë shqiptare.

=Modeli Kryqit Keynsian është i pasaktë. Modeli presupozon kurbën e kërkesës agregate njësoj si kurbën e shpenzimeve të firmës,  në Modelin Kosto-Përfitime. Ky model justifikon shpenzimet autonome, kreditë e huaja, borxhet qeveritare, PPP-të, koncensionet etj.

=Multiplikatori nuk mund të përdoret për atë qëllim që është krijuar. Ky është një tregues efektiviteti në modelin e prodhimit, TR/TFC. Në përllogaritjen e tij janë përzier modeli i prodhimit dhe modeli konsumit. Ai nuk mund të përdoret në sferën e konsumit.

=Kurba e investimeve nuk fillon nga 0, si kufi i stokut të kredisë, por mund të fillojë edhe nga minusi. Duke filluar nga minusi, nuk mund të krijohet edhe modeli (IS-LM) i Hicks-Hansenit.

=Midis normave të interesit dhe stokut të kredive nuk ka gjithmonë lidhje negative, por shumë herë ka lidhje pozitive. Në këtë mënyrë kurba e investimeve, mund të jetë me pjerrësi pozitive, negative dhe paralel me boshtin e X-ve.

=Ulja e normës së interesit të kredive drejt zeros, nuk ka gjithnjë efekt nxitës. Në këtë situatë, koeficienti elasticitetit midis stokut të kredive dhe normës së interesit shkon drejt zeros. Kjo është reale edhe për ekonominë shqiptare.

=Ulja e depozitave në lekë ka çuar në rritje të kredive në lekë.

=Rritja e GDP-së është shoqëruar me rënjen e Depozitave në Lekë.

Arritje:= Janë ndërtuar për herë të parë;– Seria e Çmimeve të Deflatorit për ekonominë shqiptare, për vitet 1990-2017.

–  Modeli i ri i Kurbës së Kërkesës së Brendëshme me pjerrësi pozitive,  i listuar me Çmimin e Deflatorit të ekonomisë shqiptare.

–  Modeli i ri i GDP reale, dhe nominale të listuar me Çmimin e Deflatorit të ekonomisë shqiptare.

– Modeli ndryshe AD-AS, ku kurba e AD është me pjerrësi pozitive.

            Tiparet ndryshe të këtij modeli:

=Kurbat nuk priten me njëra tjetrën. Në raste të veҫanta ndërojnë vendin. Kurbat AD-AS qëndrojnë përballë njëra tjetrës, fenomenet apo dukuritë e tjera krijohen nëpërmjet veprimit të varjablave të tjera.

=Shpenzimet dhe të ardhurat mbi kurbat, mbështeten gjithnjë mbi një vijë lineare, paralel me boshtin e X-ve, që përfaqëson nivelin e Çmimit Agregat.

=Rritja e kërkesës nuk sjell gjithnjë rritje të prodhimit dhe të çmimeve.

– Eshtë zëvendësuar barazimi S = I me nivelin e kostos oportune ose NMZ, Normën Marxhinale të Zëvendësimit. Kjo është pasqyruar në kuadratin e II. Në këtë kuadrat nuk është vendosur përgjysmorja e këndit për të barazuar kursimet me investimet (S=I) por NMZ.

– Në boshtin e Y-ve nuk është vendosur Norma Nominale e Interesit por është vendosur Norma e REPO, që quhet edhe Norma Bazë e Interesit.

– Kurba e lidhjes midis të Ardhurave dhe Kursimeve (me të dhënat e ekonomisë shqiptare) është me pjerrësi negative dhe jo pozitive siç është në modelin Origjinal (Hicks-Hansen).

– Në boshtin e Y kemi marrë GDP nominale (Prodhimi Brendshëm Bruto) dhe jo agregatë të tjerë si  GNP(Prodhimi Kombëtar Bruto) apo Të Ardhurat Kombëtare (NNP).

Të gjitha konkluzionet e studimeve, i vijnë në ndihmë Qeverisë dhe Bankës Qendrore në hartimin e politikave të tyre ekonomike, si dhe studiuesve të fushës së ekonomiksit. Boll më me teorinë e konsumit, Shqipëria bëhet me prodhim, energji, bujqësi dhe në fund me turizëm si degë mbështetëse.