Pagat dhe pensionet, qesharake

862
Sigal

Qytetarët shqiptarë, me pagat më të ulëta në Rajon

 

Shqipëria me Evropën, larg e larg mërguar, tre male kaptuar!

 

Evdal NURI

 

Se ç’m’u kujtuan këto vargje! Kështu kemi qënë e jemi me Evropën! Jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por dhe në papunësinë, pensionet, pagat, krimin, ndotjet, aksidentet, varfëri, korrupsionin e…?

M’u kujtua dhe një parim i dialektikës, se zhvillimi bëhët nga e afërta tek e largëta, nga e njohura tek e panjohura, nga konkretja tek abstraktia! Çuditem, se dhe me rajonin qënkëmi larg! Këtë s’jam ne gjendje ta kuptoj! E theksoj këtë se tre shtete kufi, Kosova, Maqedonia, Mali Zi kanë pak më shumë se një dekadë që janë krijuar, pagat i kanë më të larta se ne! Që të bindeni, le t’i krahasojmë me këto, e pastaj me Evropën .

 

1- Shqipëria me pagat më të ulta në rajon ….! .

Sa paguhen punonjësit shqiptarë në krahasim me vendet e rajonit?

Është folur e premtuar shumë per pagat. Janë rritur e do rriten, thonë. Disa shifra i kemi dëgjuar, si për mësuesit, policët, infermierët e ndonjë tjetër, por ç’më duhen shifrat kur të vërtetat flasin ndryshe! Punonjësit shqiptarë, deri në fund të vitit 2018, paguheshin minimalisht me 210 euro në muaj, që është më e ulëta në rajon. Sipas hartës së pagës minimale, që është publikuar nga Eurostat, paga bruto minimale nga 1 janari në vend është rritur, nga 24 mijë në 26 mijë lekë. Ndonëse në rritje vit pas viti, paga minimale e punonjësve shqiptarë mbetet sërish më e ulëta. Në Serbi ajo është 308 euro. Në Maqedoni rreth 282 euro, kurse Mali Zi 288 euro, duke e bërë Shqipërinë vendin me paga më të ulëta për shtresat vulnerabël. Por, teksa, paga e ulët mbetet avantazhi konkurrues kryesor i Shqipërisë. Industia tekstile dhe e këpucëve e kanë thuajse të pamundur të rrisin ndjeshëm pagat, pasi do të humbnin partnerët e huaj. Kjo është arsyeja që, mbi 40% e të rinjve duan të largohen! Gjermania është destinacioni më i dëshirueshëm për të gjithë ata që duan të ikin. Fakt ështe se kurset janë 100 fishuar! Tërheq vëmendjen fakti që të rinjtë, nga njëra anë, janë mjaft të vendosur të tregojnë anën e tyre më të mirë si qytetarë dhe profesionistë në vendin ku duan të shkojnë dhe, nga ana tjetër, duken mjaft të shkurajuar për ta provuar këtë në vendin e tyre. Nëse ky frymëzim për të punuar fort dhe për të qenë qytetarë model do të ishte prezent në Shqipëri, shumë procese të nevojshme të ndryshimit do të ecnin më shpejt dhe do të ishin më eficiente, por pagat qesharake i frenojnë! Arsyet për këtë mungesë entuziazmi mund të gjenden në tranzicionin e stërzgjatur dhe të vështirë të Shqipërisë dhe, sidomos, te korrupsioni dhe polarizimi ekstrem në politikën shqiptare. Politikëbërësit dhe vendimmarrësit kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë potencial të të rinjve, duke e ndryshuar vektorin e tij drejt shoqërisë shqiptare në mënyrë që të realizohet integrimi evropian i Shqipërisë. Po ashtu, është njëlloj e rëndësishme që vendet tipike pritëse të shqyrtojnë politikat e tyre të deritanishme dhe të jenë më transparente dhe më të qarta në mesazhet që iu përçojnë emigrantëve potencialë, për sa i përket dëshirueshmërisë së tyre, mundësive reale për të marrë një status qëndrimi të ligjshëm, si dhe perspektivës së tyre afatgjatë. Kjo do të evitonte një lloj hipokrizie të deritanishme, ku vëmë re se disa vende evropiane ankohen për emigrimin, ndërkohë sponsorizojnë jo pak programe, që inkurajonë njerëzit e kualifikuar të largohen nga rajoni ynë. Një tjetër faktor me rëndësi është edhe statusi ekonomik i të rinjve ku 24% e tyre janë shprehur se kanë më pak para se sa moshatarët e tyre. Nga të dhënat rezulton se për të tilla shpenzime të rinjve u duhet një buxhet mujor prej rreth 13,800 lekë ose e thënë ndryshe, 105 euro. Nëse punon në Shqipëri, paga që merr në fund të muajit është më e ulëta në të gjithë rajonin, për të gjithë sektorët, si në banka, sigurime, industri, bujqësi, arsim dhe sidomos në teknologji informacioni dhe shëndetësi. Edhe paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekë (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e lartë kjo pagë mesatare është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosova e parafundit (528 euro). Nuk di më kë duhet të krasohemi që ” të mburemi pak”?

2-Po me vendet e BE ?

Sipas njoftimit të Eurostat, që nga 1 janari 2019, 22 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë paga minimale kombëtare, Paga minimale mujore zakonisht nën 600 euro në lindje dhe mbi 1 400 euro në veriperëndim të BE. Greqia (684 euro), Portugalia (700 euro), Malta (762 euro), Sllovenia (887 euro) dhe Spanja ( 1,050 euro). Në shtatë vendet e tjera anëtare, të gjitha të vendosura në perëndim dhe në veri të BE, pagat minimale ishin mbi 1 450 euro në muaj: Britania e Madhe (1 453 euro), Franca (1 521 euro), Gjermania (1 557 euro), Belgjikë (1 594 euro), Holanda 1 616 euro), Irlanda (1 656 euro) dhe Luksemburgu (2 071 euro). Kur i lexojmë s’i besojmë syve! Kur i kujtojmë s’na zë gjumi !

Duhet pasur parasysh se Shqipëria është një nga vendet që ka evazionin më të lartë në sigurimet shoqërore, çka nënkupton që pagat reale mund të jenë dhe më të larta, pasi INSTAT deklaron pagat në bazë të informacionit nga Tatimet, për të cilat paguhen sigurime shoqërore.

Profesioni më i paguar në të gjithë rajonin është ai i bankierëve në Mal të Zi, ku mesatarisht fitohet rreth 1440 euro në muaj. Edhe në Shqipëri, ky aktivitet është më i paguari në raport me të tjerët brenda vendit, me rreth 840 euro po sërish mbetet më i nënpaguari në rajon. Mali i Zi mban rekord dhe për pagat që jep në sektorin e bujqësisë, me 770 euro në muaj, pothuajse e barabartë me pagën mesatare të atij vendi.

3-Pse kjo gjendje e dëshpëruar?

Këtë shqetësim kam patur, që nga koha kur arrita të kuptoj për botën, shtetet, regjimet, ekonominë, politikën. E njoh mirë historinë e vendit tim, mbasi për të kam studiuar. Jam i shqetësuar: “Pse punët në vendin tim ecin keq?” Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Me një klimë për t’u admiruar! Edhe pse me një sipërfaqie pak më tepër se 28.000 km2, rrallë gjen të ndërthurura malet, kodrat, fushat, luginat, lumenjtë, liqenet, detet! Me pasuri mbi e nëntokësore, që s’i gjen diku tjetër! Pse historikisht kaq të varfër atëhere ?

  • -Pushtimi 500 vjeçar otoman na la shekuj pas, në krahasim me shumë shtete të tjera të Evropës.
  • Pas Pavarësisë, kemi Luftën e Parë Botërore. Vendi ynë u kthye në shesh lufte. Iu bënë shumë padrejtësi nga qëndrimet shoveniste të shteteve fqinjë për zaptim tokash. Gjendje e mjerrueshme!
  • Regjimi zogist na la në një shtet feudalo-borgjez. Ekonomi shumë e prapambetur, kur Evropa kishte mbi një shekull që kishte kaluar në marrëdhëniet kapitaliste.
  • Regjimi diktatorial 45 vjeçarë me “mburkat” e tij: Shqipëria “fanarë ndriçues” në brigjet e Adriatikut, përfundoi në skamje e mjerim.
  • Po në demokraci? Kemi 29- vjet që jetojmë një politikë konfliktuale midis forcave kryesore politike. Kur bëjnë fushat, çfarë s’premtojnë! Do ulim taksat, do rritim pensionet, do bëjmë këtë dhe atë! E kanë patur nga 14-të vjet pushtetin si e majta dhe e djathta, pse na kanë mashtruar e s’i kanë realizuan?

Fundi, i zëntë mallkimi i këtij populli !