Në kushtet e Shqipërisë ndërhyrja e shtetit në ekonomi është e kufizuar

856
Sigal

Nga Prof. Dr. Alqi NAQELLARI      

Në kushtet e Shqipërisë ndërhyrja e shtetit  në ekonomi është e kufizuar. E them këtë sepse të gjithë folësit në televizione, dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e partive politike, i drejtohen qeverisë që të marri masat përkatëse dhe “të zgjidhi litarin” e pagesave, taksave, detyrimeve, kompensimeve etj, etj,  a thua se qeveria ka çelësin e shpellës së thesarit -Hapu Susam-. Po të ishte kështu, se qeveria zgjidh gjithçka atëhere mjafton që qeveria të emetonte nja 40 miliardë lekë dhe t’ia ndante popullit për frymë. Kështu, do ishim në rregull dhe biznesi dhe ne, ha e pi si lalagjoni. Por nuk është kështu, qeveria nuk është çelësi magjik, qeveria ndikon në përmirësimin e situatës deri në në kufi të caktuar. Nëse kalon këtë kufi, atëhere në vend të mbaj situatën në kushte emergjence e çon atë në kolaps, si i themi popullorçe “në vend që të vër vetulla nxjerr sytë”. Ato para mund ta boshatisin tregun në 1 muaj, çfarë do bëhet pastaj se paratë nuk janë bukë të konsumohen.

Kështuqë qeveria para se të bëj planin e emergjencës të mbështetjes me para, të popullit dhe biznesit duhet të dijë sa janë rezervat e saj, dhe të biznesit në mallra ushqimore, për sa muaj, për sa vite? Sa është rezerva e valutës dhe sa mund të përdoret me efektivitet në kushtet e eksport-importeve të kufizuara, nga njera anë dhe në kushtet e ndryshimit të kursit të valutës nga ana tjetër.

Dikush mendon se duhet të printohen para për të përmirësuar situatën. Në këto kushte ky veprim do ishte vdekjeprurës për ekonominë sepse nuk kemi Ofertë të lartë dhe Kërkesë të ulët por kemi të kundërtën. Ky veprim mund të bëhej në rastin e tërmetit me mijerat e apartamenteve stok që ka Shqipëria por jo sot. Unë kam shkruar dhe i kam kërkuar Bankes Qendrore dhe qeverisë ta bëjnë këtë por sot jam absolutisht kundër këtij veprimi.

Këto janë kushte kufizuese që duhen marrë në konsideratë. Ky bllokim i ekonomisë nuk ngjan as me Depresionin e 1930 në USA dhe as me Recesionin global të 2008, ky bllokim nuk është ciklik, nga faktorë subjektivë por është goditje e Prodhimit nga faktorë objektiv që nuk parashikohet as masa dhe as koha e goditjes. Pikërisht në kohë normale duhen mbajtur rezerva ushqimore dhe të valutës, nuk duhet ecur me mendimin emo se nuk  na gjen gjë. E keqja nuk të vjen përditë dhe ti shmangesh, e keqja të vjen pa pritur dhe pa kujtuar, si tërmeti dhe Covid-19.Njerëzit, folësit në televizione dhe përfaqësuesit e partive politike që i kërkojnë me ngut qeverisë të ndërhyjë me mjete monetare dëgjojnë  dhe shikojnë se çfarë veprimesh bën SHBA, BE, Kina, Rusia dhe vende të tjera të botës. SHBA do japë çeqe një mijë dollarëshe, 2 mijë milliardë dollarë në dispozicion të biznesit, Gjermania 500 mld euro, Italia, Franca, Kina dhe Rusia gjithashtu. Këto vende të fuqishme, këto supershtete kanë rezerva ushqimore për vite të tëra. Kanë valutë që të jetojnë për vite të tëra pa punë.

Kështuqë Shqipëria nuk mund të krahasohet me asnjë prej tyre. Ne nuk duhet të nisemi se çfarë bën SHBA, çfarë bën Gjermania apo Kina, ne duhet të nisemi nga pyetja çfarë duhet të bëjmë ne me mundësitë që kemi, me rezervat që kemi? Ne u ndodhëm bosh kur ra tërmeti.

Ja shtrim dorën botës, për ndihmë dhe ajo na ndihmoj. Por bota nuk të ndihmon gjithnjë, sepse ajo ka probleme më të mëdha nga problemet tona. Kështuqë ne duhet të mendojmë në mënyrë racionale dhe të shikojmë mundësitë e qeverisë dhe mundësitë e brendëshme të strukturave të biznesit që kjo situatë të mos vazhdojë kështu. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me grip, duhet të mësojmë të jetojmë edhe me Covid-19, -në kuadrin e ashpër të zbatimit të masave higjenike- përdndryshe jemi të destinuar të falimentojmë edhe si shtet.

Ne nuk duhet të marrim si shembull, në këtë situatë SHBA, BE, Kinë etj edhe sepse leku shqiptar është monedhë me funksion kombëtar, që nuk krahasohet as me euron dhe as me dollarin që janë edhe me funksion ndërkombëtar, si mjet pagese dhe rezervë vlerash. Kina është vendi që ka rezervat më të mëdha në botë në dollarë dhe euro, zë vendin e dytë pas Japonisë në blerjen e Bonove të Thesarit të SHBA-së, posedon 8779 mld $, 1957.5 ton ar =100.85 mld $, etj. Leku shqiptar njihet si mjet këmbimi, mjet pagese dhe mjet rezerve vetëm Brenda teritorit të Shqipërisë, bile duhet thënë se edhe si mjet pagese apo këmbimi vetëm për një pjesë të mirave dhe shërbimeve, sepse vendin e tij e ka zënë valuta.  Me lekë nuk mund të blihet jashtë Shqipërisë, në mënyrë që veprimet e qeverisë të jenë efektive nga dalja e tij jashtë bankave. Dalja jashtë bankave qarkullon mallin Brenda Shqipërisë, kështuqë duke qënë i kufizuar në sasi ky mall do ketë boshatisje të tregut, nëse nuk prodhohet dhe importohet.Nga këto dy alternativa -prodhim, import- qeveria ka në dorë alternativën e parë që ta aplikojë pa humbur kohë. Kjo sepse ne jemi nga vendet e para që u ngujuam dhe kemi rreth 4 javë në këtë situatë, e cila  sa vjen dhe përmirësohet.  Qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë që të fillojë gradualisht çelja e kohës për fillimin e punës së bizneseve. Sa u përket importeve nuk ka gjë në dorë sepse kufizimet vijnë jo vetëm prej saj por edhe prej kufizimeve të vendeve me të cilat bëjmë tregëti dhe bizneseve prej të cilave importojmë. Tani për tani kemi shans sepse Kosova, Turqia, Rusia, Greqia janë në gjendje të mirë në shkallën e infektimit me Covid-19. Por gjithsesi, kemi Italinë e cila përcakton pjesën kryesore të eksporteve shqiptare.

Çelja e kohës për bizneset do ndikojë në fillimin e punës jo në të gjithë bizneset, sepse ka prej tyre, si “turizmi” që ka probleme të mëdha me ringritjen e tij. Kjo nuk do ndikojë kushedi çfarë në rritjen e prodhimit, por do gjenden njerëzit në punë. Sepse sa i përket strukturës së GDP orjentimi që i është dhënë ekonomisë shqiptare me “turizmin=produkt i patregëtueshëm” është plotësisht i gabuar dhe koha e vërtetoj këtë, ashtu siç e ka vërtetuar edhe në shumë vende të tjera. Vetëm sektori prodhues, sektori i energjitikës, nxjerrjes dhe i përpunimit të mineraleve, sektori agropërpunimit dhe bujqësia që janë të shpërndarë në të gjithë vendin do ta bëjnë ekonominë shqiptare me pak efekte negative nga goditjet objektive të ofertës siç janë tërmetet, epidemitë, luftrat etj, etj. Sot me krenari mund të themi rrofshin fasonet, se ato na kanë mbetur si sektor prodhimi.

Sa i përket ndikimit të uljes së normës së interesit nga Banka Qëndrore, për mendimin tim ishte më tepër një veprim me pasoja pozitive psikologjike sesa në ekonominë reale, me pasoja pozitive për deficitin sesa për biznesin. Teorikisht kur norma e interesit i afrohet zeros, edhe koeficienti elasticitetit -kredi-interes- i afrohet zeros, në këtë mënyrë efekti real i këtij veprimi, në këto kushte është zero. Ky veprim dhe të tjera të lidhura me bankat meritojnë një analizë të veçantë.