Kim Mehmeti: Parlamenti si pazar grash, Piktori ka vendosur të kemi dy Kushtetuta

401
Sigal

Analisti Kim Mehmeti, komentoi zhvillimet në Shqipëri.

“Në Shqipëri vazhdon tragjedia e vrasjes së njerëzve dhe e vrasjes së shtetit. Aty ku e vrasin shtetin, nuk ka qytetarë të interesuar për ta mbrojtur atë”, tha Mehmeti.

“Vrasësit e shtetit, siç janë Piktori dhe rilindësit e vet, që rrënojnë natën Teatrin Kombëtar dhe gjithçka tjetër, dalin të pamaskuar, pasi siç duket nuk kanë frikë askënd. Janë të bindur e në Shqipëri nuk ka forcë që t’i ndalojë.

Kështu, Shqipëria në vend që të bëhej shtet, të bëhej mëmëdhe, u bë vend ku bëhet çmos që ne shqiptarët të na integrojë me Serbinë, të na bëjë më të afërt me Serbinë.

Aty kemi një parlament që më shumë ngjan me pazar grash, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka asnjë institucion që ndëshkon pushtetarët, nuk e keni institucionin e ndëshkueshmërisë.

Piktori tani ka vendosur që në Shqipëri të ketë edhe dy Kushtetuta, një për qejfin e tij dhe një Kushtetutë që do e mbrojnë njerëzit që duan të mbrojnë sadopak Shqipërinë.

Shqipërisë ka filluar t’i mungojë edhe guximi qytetar dhe vullneti që të mos i jepet fati politik çdokujt. Nuk mundet që çdo budalla të vendosë për fatin e Shqipërisë,” tha Mehmeti.

Duke folur për Kosovën, publicisti tha se ka frikë se ajo po e zhvlerëson vetveten.

“Kosova vazhdon të jetojë në paqartësinë për të ardhmen e vet. Kosova përfundoi me një qeveri koti. Një qeveri që ka suksesin më të madh heqjen e taksave ndaj Serbisë.

Plotësoi vetëm kushtin që kishte vënë Serbia, nuk plotësoi asnjë kusht që i kanë vënë shqiptarët. Kemi një qeveri koti dhe një president që nuk mund të mbrojë as vetveten.

Kam frikë se Kosova e zhvlerëson vetveten.

Kjo vjen për shkak se kemi burrështetas që ndjehen më krenarë kur i lëvdon presidenti i Serbisë, sesa kur i kritikojmë ne.

Kjo është e mundur sepse kryeministri i Shqipërisë u lodh duke na bindur se duhet të bëhemi pjesë e Mini Shengenit serb”, tha Mehmeti.