Gëzim Tushi: A mund dhe pse duhet demotivuar krimi në familje

415

Shteti duhet të veprojë me dorë të hekurt për zbatimin e ligjit dhe zbutjen e problemeve sociale

Sigal

Krimi në familjen shqiptare po bëhet si “buka e përditshme” për shoqërinë tonë. Krime e vrasje të vazhdueshme, marrje të jetëve të vajzave, bashkëshorteve, të dashurave, nënave tona. Njerëzit janë mërzitur nga kjo epidemi e zgjeruar e krimit në familje dhe shoqërinë tonë. Madje deri në nivelin që një pjesë prej tyre mendojnë si zgjidhje rrugën konservatore, të rivendosjes së dënime me vdekje dhe jo atë liberale të ndryshimit të rrethanave, që nxitin dhe favorizojnë krimin në shoqëri. Ngjarja e ndodhur në Roskovec, është një motiv për të bërë diagnostikime të zgjeruara të krimit në familje nga shkaqe me natyrë historike e aktuale apo kulturore e sociale; të realitetit dhe përplasjes së mentalitetit maskilist dhe zgjerimit të shfaqjeve të shëmtuara të instikteve të pakontrolluara dhe zgjerimit të sedrës të sëmurë të meshkujve, që e kanë “parimore” sundimin mbi femrat e tyre (gruan, motrën, nënën, gjyshen, të dashurës, etj). Ngjarja e Roskovecit, jo vetëm ajo, por tërë ngjarjet kriminale dhe format e sofistikuara të dhunës mbi gratë, duhet të na ndërgjegjësojnë kombëtarisht, se në familjen dhe shoqërinë shqiptare nuk duhet të ketë vend për “shtazët”, “bishat njerëzore” që kryejnë krim me gjak të ftohtë. Ndryshe nëse kjo situatë e dhunës dhe krimit në familje, do vazhdojë të agravohet, atëhere kemi rrezikun, që intensiteti i tyre të ndikojë në dëmtimin e atmosferës sociale dhe mund të ndikojë në shqepjen e “tegelave moralë”, që mbajnë në normalitet dhe ekuilibër social e gjinor shoqërinë shqiptare.

Krimi në familje nuk ka vetëm një shkak

Shkaqet dhe motivet e krimit janë të diversifikuara: ekonomike, sociale, historike, kulturore, fetare, etj. Kjo do të thotë që analiza, diagnostikimi dhe ndërhyrjet nuk duhet të jenë të njëanshme, të sipërfaqëshme, por të para në sintezë, në ndikimin reciprok dhe ndërlidhshmërinë e tyre sociale. Ndaj më shumë se duhet të merremi me rastin e krimininelit nominal, që kryen krim në familje, sikurse është rasti ingjarjes në Roskovec, duhet të merremi me rrethanat, shkaqet që ushqejnë këtë nivel të lartë krimi shoqëror.

Po pse kaq shumë krim në familjen shqiptare, pse po vriten vajzat, gratë, nënat dhe motrat tona. Kush i vret dhe për çfarë motivesh vriten?

Në një diagnostikim real të shkaqeve duhen evidentuar disa faktorë të rëndësishëm. Ato janë me natyrë komplekse: kulturore dhe historike, ekonomike e sociale, fetare dhe morale, të cilët veç e veç apo të marrë së bashku kanë ndikime në nivelin e krimit në familje. Edhe pse nga pikëpamja e frekuencës dhe incidencës mund të jenë ngjarje rastësore apo strategjike. Për këtë nivel alarmant të krimit në familje, kanë ndikimin e tyre edhe disa faktorë të tjerë, që duhen vlerësuar seriozisht, sikurse janë shpërbërja e familjes tradicionale drejt familjes liberale, forcimi i tendencave individualiste, dobësimi i kohezionit apo empatisë reciproke midis pjesëtarëve të familjes, shtimi i konflikteve. Po pse kaq shumë krim në familje dhe pse po vriten vajzat, gratë, nënat dhe motrat tona?

 Kush i vret dhe pse vriten?

Në një diagnostikim real të shkaqeve duhen evidentuar disa faktorë të rëndësishëm kulturore dhe historike, ekonomike e sociale, fetare dhe morale, të cilët veç e veç apo të marrë së bashku kanë ndikime rastësore apo strategjike për këtë nivel alarmant të krimit në familje. Padyshim shpërbërja e familjes tradicionale drejt familjes liberale, forcimi i tendencave individualiste, dobësimi i kohezionit apo empatisë reciproke midis pjesëtarëve të familjes, konfliktet pasurore e pronësore, zgjerimi i përhapjes së sëmundjeve mendore, niveli shqetësues i varfërisë në një numur të konsiderueshëm të familjeve në fshat dhe në qytet, zgjerimi i përdorimit të alkoolit, drogës dhe lëndëve të tjera psikotrope, janë disa nga shkaqet që kanë ndikim të veçuar apo të sintetizuar, si faktorë për agravimin e dhunës dhe krimit në familje.

Por sipas mendimit tim, në raport me sjelljet agresive e kriminale ndaj femrave në familjen shqiptare, kanë ndikim të veçantë prania e disa lloje të “ketmanëve” që janë shndërruar në psikovampirë të jetës normale, që kanë të bëjnë me përplasjen e koncepteve morale, shoqërore e kulturore, sikurse janë kalimi nga familja e mbyllur drejt familjes moderne liberale e të demokratizuar nga pikëpamja gjinore, konfliktet konceptuale midis brezave, sidomos në marrëdhëniet prind fëmijë, thyerja e koncepteve për moralin dhe sjelljen seksuale, që kanë sjellë shumë shpesh vrasje të femrave për të ashtuquajturën “krim pasioni” apo vrasje për “çështje nderi”, apo shkelje të “besnikërisë bashkëshortore” (termin tradhti duhet ta heqim nga përdorimi sepse ai është një nga burimet e krimit ndaj femrave).

Padyshim në këtë “infeksion social” sikurse është krimi në familje kanë ndikim edhe problemet që kanë të bëjnë me çështje pasurore e pronësore, zgjerimi i përhapjes së sëmundjeve mendore etj.

Sociologët dhe psikologët e kohës sonë janë të mendimit se krimi dhe shfaqjet antinjerëzore, tek disa njerëz nuk janë rastësore dhe të paparashikuara. Për arsye sociale, edukative, familjare e personale krimi është bërë natyrë e dytë, madje duhet konsideruar sikurse e klasifikon filozofi dhe politologu spanjoll J. Ramoneda si e “metë e kësaj lloj specieje antihumane” . Madhësia e plagës sociale të krimit në shoqërinë tonë, jo vetëm është një fakt në përmasa shqetësuese, duke e vlerësuar nga pikëpamja sasiore, por është tregues se krimi po cënon rëndë cilësinë e bashkëjetesës sociale në shoqëri, duke ulur përtokë atë që është kryesore “çmimin e jetës” dhe sidomos dinjitetin e femrave tona.

Në këto kushte është bërë imperative, madje në shumë aspekte është urgjente ndërtimi i strategjisë, hartimi i planeve të veprimit sa më parë të jetë e mundur, për t’iu kundërvënë krimit, synimeve diabolike afat shkurtra e “strategjike” të tij për ta përgjumur dhe bërë indiferent shtetin, policinë, institucionet e edukimit, familjen, shkollën e shoqërinë. Të mos e marrim me shaka këtë situatë sociale, e cila akoma është në kushtet, kur mund të kontrollojmë, monitorojmë e madje ta bëjë “zap” krimin. Akoma shoqëria e ndodhur përballë krimit, nuk është në “sallën e urgjencës”, kur mund të ndodhemi dhe pastaj të mos dimë se çfarë duhet bërë më parë, për të shpëtuar “shëndetin e shoqërisë” nga metastazat në zgjerim të krimit në familje, shkollë, jetën publike e shoqërinë në tërësi.

Nuk ka pse bëjmë naivin për shkaqet dhe rrethanat që favorizojnë “prodhimin e krimit”, nuk ka pse të kemi iluzione utopike e romantike për natyrën e “njeriut kriminel”. Ai është asocial, kriminel, që kryen veprime të planifikuara apo rastësore, qoftë në gjaknxehtësi apo me “gjak të ftohtë”. Në këto kushte për të demotivuar krimin, është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për të “këputur fijet” sociale që bëhen me dashje apo pa dashje “aleatë të krimit” në shoqërinë tonë. Dy mendoj unë se janë “aleatët kryesorë” të krimit: e para është zgjerimi i një lloj “indiference qytetare”, që buron përgjithësit nga sindroma e “sigurisë së budallait”, duke menduar se “krimi nuk ka të bëjë me mua dhe unë nuk kam pse merrem me të”.

Një mentalitet fatal me pasoja retrograduese.

E dyta është një lloj zbutje e forcës goditëse të ligjit, veprimit policor dhe shtetëror për t’u përballuar pa kompromis, por me intransigjencë ligjore me krimin dhe kriminelët.

Janë disa gjëra, që duhen vlerësuar më mirë dhe duhet vepruar më me shpejtësi. Javashllëku i reformës në drejtësi, pengesat e natyrshme artificiale të procesit janë në favor të krimit. Ka një aksiomë të vërtetë, që nuk do mend për vërtetim: krimi ngjallet kur shteti dhe ligji dobësohen. Personalisht mendoj se analizat, gjykimet dhe debatet, që bëjnë politikanët, shtetarët dhe ata që shoqëria i ka vendosur në “bordin” e saj, duhet të jenë krejt ndryshe. Ata nuk janë analistë, por njerëz, që kanë përgjegjësi strategjike e operative. Dhe duhet ta mbajnë atë.