Frank Shkreli: Parlamenti i Kosovës, mocion për rrëzimin e qeverisë Kurti, ende pa mbushur 5 javë

585
Sigal

Nga Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Parlamenti i Kosovës po zhvillon sot një seancë për të shqyrtuar mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti, pa i mbushur ende as pesë javë jete.

Shpresa ime, siç mund të shihni më poshtë, pas zgjedhjeve tetorin e kaluar në Kosovë, ishte se me në fund kemi të bëjmë me një model të ri qeverisjeje ndër shqiptarët, si rezultat i koalicionit midis Vetvendosjes dhe LDK-së. Fatkeqsisht, politikat dhe interesat e vjetra, të brendshme dhe të jashtme, paskan pasur plane të tjera. Ku tjetër në botë ndodhë që në kulmin e një krize shëndetësore si kjo e virusit korona, të rrëzohet qeveria, duke i shkaktuar vendit edhe një traumë tjetër, përveç asaj shëndetësore?

Klasës politike shqiptare në Kosovë, por edhe në Shqiperi, i ka dalë boja. Për dekada tani po e provojnë se një shumicë e tyre nuk është e denjë as të kujdeset për një kotec pulash, e jo më tu besohet përgjegjësia e qeverisjes së një vendi.

Me maska ose pa maska, madje edhe me thes mbi kokë, shqiptarët dhe bota u njeh tani si të paaftë për të bashkëpunuar me njëri tjetri, madje edhe përball një krize kombëtare dhe ndërkombëtare, sic është përhapja e virusit korona. Mblidhni mendet, tregoni pak atdhedashuri dhe vullnet të mirë politik për tu marrë me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar dhe lini menjanë grindjet politike, për një kohë më të përshtatshme.

Asnjëri prej jush, sado të zotin ta konsideroni veten, nuk i zgjidh dot problemet politike dhe ekonime, vetëm, as si individ as si parti. Por me marrëveshje politike, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, mund të bëni mrekullira.

Dështimet dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme të kësaj klase politike, si rezultat i grindjeve të tyre politike, nuk nderojnë sakrificat sublime të qindra mijëra shqiptarëve që gjatë shekujve kanë dhënë jetën për liri dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, anë mbanë trojeve të tyre në Ballkan.

Reflektoni! Dilni mbi interesat personale politike, ekonomike dhe partiake. Mbroni interesat e përbashkëta kombëtare! Kjo është përgjegjësia kryesore që votuesit u kanë besuar ju. Rrëzimi i qeverisë së koalicionit nuk është në interesin e Kosovës, në këtë moment, ndërkohë që vendi dhe bota gjendem përballë një sfide shëndetësore që po tundë themelet, jo vetëm të shëndetit në botë, por edhe bazat ekonomike, duke rrezikuar edhe mirëqenjen materiale të njerezve anë e mbanë botës. Reflektoni, seriozisht!
Ende nuk është vonë!

Frank Shkreli

https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-zgjedhjet-ne-kosove-a-eshte-ky-ndryshimi-i-madh-ne-politiken-shqiptare/