Zyrtarisht në dimër! Dyndje pacientësh në pediatri, më shumë se gjysma nuk janë urgjenca

61
Sigal

Zyrtarisht jemi në dimër, por edhe drejt kulmit të qarkullimit të gripit dhe infeksioneve të tjera respiratorë. Urgjenca e Pediatrisë  në QSUT është e mbingarkuar nga fluksi i lartë i pacientëve të vegjël. Influenca e tipit A apo gripi i stinës dhe RSV janë viruset që po dominojnë në moshat pediatrike duke shkaktuar temperatura të larta, kollë dhe  bllokime të rrugëve  të sipërme.

Në këtë periudhë virozash, afro 300 pacientë në ditë i drejtohen për ndihmë mjekëve të urgjencës në pediatri. Por më shumë se gjysma e tyre nuk janë raste urgjente për trajtim spitalor, por pacientë që fare mirë thonë pediatrit  mund të trajtohen nga mjekët e familjes.

Me fillimin e stinës së ftohtë pritet rritje e sëmundshmërisë në popullatë nga infeksionet respiratore dhe kryesisht nga gripi i stinës. Muajt më të ftohtë të dimrit, janari dhe shkurti shënojnë edhe kulmin e përhapjes së tyre apo atë që njihet ndryshe epideminë e gripit.