Zyrtare: 6500 policë për zgjedhjet e 18 qershorit

494
6500 punonjës policie do të garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve në 18 qershor. Lajmin e bëri të ditur prezenca e OSBE-së, e cila nisi sot trajnimin e forcave të policisë përpara zgjedhjeve të 18 qershorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

OSBE-ja njoftoi se Trajnimi për rolin e policisë në zgjedhje fillon sot me drejtuesit e nivelit të lartë e të mesëm. Më pas, do të bëhet trajnimi i trajnuesve, të cilët, deri në fillim të muajit maj, do t’i kalojnë njohuritë e të tyre te të gjitha strukturat policore që do të përfshihen në zgjedhje. Prezenca e OSBE-së ka organizuar trajnime të tilla prej vitit 2005.

“Zgjedhjet e këtij viti do të jenë një pikë e rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe performanca e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor do të jetë një përbërës thelbësor i zgjedhjeve të suksesshme”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, sot, në hapje të trajnimeve. Borchardt tha se zgjedhjet e vitit 2007 qenë të parat ku u shënua mospërfshirja politike e policisë në zgjedhje dhe se raportet e OSBE/ODIHR-it që atëherë kanë folur për një rol pozitiv të policisë në të gjithë procesin zgjedhor. Borchardt shprehu besimin se Policia e Shtetit do të jetë e pavarur gjatë zgjedhjeve të këtij viti dhe do të veprojë me profesionalizëm dhe dinjitet.

“Megjithëse këto zgjedhje janë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, policia duhet të vijojë edhe punën e përditshme, si luftën kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit të organizuar, veçanërisht luftën kundër kanabisit”, shtoi Borchardt.

Në veprimtarinë e sotme folën edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.
Sigal