Zvarritjet qeveritare që kushtojnë në arbitrazh miliona euro

280
Pa u mbyllur ende skanadali i kryengociatorit Damian Gjiknuri me CEZ të Pragës, që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 500 milionë euro (skandal ky i denoncuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe i sapohetuar nga Prokuroria), mediat kanë zbuluar një tjetër “veprim xhentëlmenësh” të Ministrit të Energjisë. 
Kështu nga buxheti i shtetit do t’i paguhet një kompanie kroate shuma prej 6.8 milionë eurosh, pasi ka humbur gjyqin në Arbitrazhin e Vjenës. Bëhet fjalë për një përplasje me kompaninë kroate “Dalekovod”, e cila operon në fushën e energjisë. Qeveria shqiptare thotë se zgjidhi kështu një tjetër konflikt tregtar përmes mirëkuptimit. Qeveria mori përsipër t’i paguajë “Dalekovod”-it 6.8 milionë euro, për të mbyllur konfliktin që zë fill tre vjet më parë. Në fokus të tij qëndron ndërtimi i linjës së transmetimit me Malin e Zi, e cila do të përfundonte vetëm në 2012-ën. 
Projekti u zvarrit dhe sipas kompanisë, autoritetet shqiptare nuk nxorën në kohë lejet. “Dalekovod” u kontraktua në vitin 2007 nga qeveria “Berisha” për të ndërtuar linjën 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë. Projekti u zvarrit pesë vjet dhe ndërtimi i linjës do të përfundonte vetëm në vitin 2012. Sipas kompanisë, shkaku i vonesës ishin autoritetet shqiptare, të cilat nuk iu përmbajtën kushteve të kontratës, duke mos nxjerrë në kohë lejet dhe liçencat për ndërtimin e linjës, çka solli vonesën trevjeçare të realizimi të këtij projekti. Për këtë arsye, në vitin 2012 kompania e paditi qeverinë shqiptare në Arbitrazhin e Vjenës. 
Gati një vit më parë, gjykata vendosi në favor të kompanisë kroate duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i paguajë asaj 7.5 milionë euro si dëmshpërblim. Burime nga OST thanë se pavarësisht fitores, kompania kroate e apeloi vendimin duke kërkuar 12 milionë euro. Menjëherë pas kësaj qeveria shqiptare, përkatësisht Ministria e Energjetikës dhe Avokatura e Shtetit nisën negociata me “Dalekovod”, të cilat kanë përfunduar pak ditë më parë. 
Mediat raportojnë se edhe pse kishte fituar dëmshpërblimin prej 7.5 milionë euro nga vendimi i arbitrazhit, “Dalekovod” ka pranuar ofertën e qeverisë shqiptare për të marrë më pak para, 6.8 milionë euro. Por kjo i mundëson kompanisë kroate një arkëtim më të shpejtë të fondeve e po ashtu i lë të hapur mundësinë për të kontraktuar sërish punë të tjera nga qeveria shqiptare. Marrëveshja e negociuar nga Ministria e Energjisë dhe Avokatura e Shtetit është miratuar me vendim qeverie dhe i është dërguar për nënshkrim përfundimtar Operatorit të Transmetimit (OST).