Zoti kryeministër, shpëtoni AKU-në nga “morsa” e sekserëve

680
Sigal

 

Përse kontrolli i sigurisë ushqimore lakmohet dhe merret prej
ish- “doganierit” që ul dhe ngre “traun” e votave të PDIU, në çdo pushtet
politik?!

 

 

Gazeta Telegraf/


Përparim HALILI

 

Prej disa ditësh, në respektim të ligjit mbi informimin, gazeta “Telegraf” po
kërkon dhe nuk po merr asnjë përgjigje prej kupolës së Autoritetit Kombëtar të
Ushqimit, e cila prej 55 ditësh, komandohet nga Dritan Sejko, me certifikatë të
shkollës së mesme, zantaçi me profesion tornitor. Edhe pse i është kërkuar të
deklarojë nivelin e tij arsimor me të cilin është emëruar në këtë detyrë, me
VKM Nr. 641, datë 31. 08. 2016, si dhe nivelin arsimor me të cilin janë emëruar
vartësit e tij, drejtorë të AKU në qendër e në rajone, drejtori Sejko refuzon e
shpërfill në mënyrë flagrante, në kundërshtim të hapur me ligjin e, madje edhe
me presione për prangosje ndaj gazetarëve të “Telegraf”.

 

Çfarë arsimimi ka realisht drejtori i AKU dhe përse ka frikë nga publikimi
i abuzimeve?

 

Nuk e dimë, se përse drejtori çam i AKU zoti Sejko ka frikë të publikojë
kartonin e diplomës universitare të fituar në Universitetin “Aleksandër
Xhuvani” në shkencat humane-Dega Juridik dhe kartonin e diplomës “Master në Marrëdhënie
Ndërkombëtare”, marrë në Universitetin Evropian të Strugës, ku profesor është
edhe një ortak i tij në biznesin e botimeve? Nuk paragjykojmë asnjë nga këta “kartonë-diploma”
universitare, me të cilët zoti Sejko është “graduar” në dy poste të larta shtetërore,
konkretisht si ish-zv/drejtor i Hipotekës së Tiranës, por prej 55 ditësh edhe
si Drejtor i Përgjithshëm i Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, post i liruar me
shkarkim prej kryeministrit Rama, për abuzime prej një ish-drejtori përfaqësues
po çam, i cili në 8 muajt e qëndrimit në këtë post, falej 5 herë në ditë në
xhami dhe shkonte vetëm 1 herë në muaj në zyrë kur firmoste heqjen e gjobave
klienteliste, por që çdo ditë bënte edhe “vizita pune” nëpër biznese, sidomos
tek kompanitë e çokollatave, ujit, birrës, qumështit, mishit, sallameve,
pulave, miellit dhe fermat e bagëtive, duke u kërkuar miliona lekë me presione
gjobash dhe mbyllje aktivitetesh ushqimore, nëse nuk bindeshin, të cilat i
paraqiste si “porosi të ish-shefit të doganave shqiptare, politikanit akrobat
bashkëkohor Shpëtim Idrizi (biznesmen makaronash greke), miliona që zhvateshin dhe
zhvaten në emër të “fuqizimit” të arkës së partisë çame, gjoja për të zgjidhur
“çështjen çame”! Rastet konkrete, të regjistruara e të denoncuara publikisht në
gazetën “Telegraf” janë skandali i pulave të futura nga Kakavija, skandali i
filetove të pulave të futura nga Kakavija dhe mielli i skaduar grek me 7%
proteina, me letra “miell biskotash e kadaifi”, por i përdorur për bukë për
shqiptarët, i bllokuar deri në datën 27 shtator 2016 në Kakavijë dhe i futur me
urdhër, me presion të drejtor-tornitorit, juristit e diplomatit Dritan Sejko,
me qëndrim “mumje” prej AKU të qarkut Gjirokastër!

 

Kryeministri të veprojë…

 

Përse hesht kryeministri Rama, përballë kësaj batërdie? Përse nuk largon
nga detyra një drejtor me profesion tornitor në emigracion, të cilit i duhen
verifikuar diplomat dhe “CV” me të cilën është emëruar prej qeverisë në këtë
detyrë ku nuk bëhen perusti, qepena, bulona, tenxhere qumështi, dru mishi e
zgara qoftesh, por ku kontrollohet siguria dhe cilësia e mishit, qumështit,
miellit, grurit, bukës, pulave, fidanëve, pijeve alkoolike, lëngjeve, ushqimeve
për fëmijë, perimeve, frutave dhe zarzavateve?! Përse kryeministri nuk hap
letrat e arsimit, punësimit dhe korrupsioni të 500 drejtuesve e nëpunësve të
AKU në qendër dhe qarqe?!  Skandalet e rënda
që kanë mbërthyer dhe nuk po e lëshojnë prej “fyti” Autoritetin Kombëtar të
Ushqimit (AKU), kanë lidhje me krijimin e një administrate analfabetësh me
inspektorë, krye-kontrollorë, drejtorë e shefa zyrash deri me diploma false, me
lidhje nepotike familjare, klanore e ortakërie, të cilët ndërtojnë dhe zbatojnë
një sistem  të mirë-organizuar në
zhvatjen dhe “arkëtimin” e të ardhurave prej pazareve të korrupsionit. Këtë realitet
korruptiv që ndodh pasivisht, duke abuzuar me kontrollin dhe cilësinë e
ushqimeve që hanë shqiptarët, po e lejojnë dhe e mbrojtjen me akt-kontrolle
false drejtuesit dhe nëpunësit e AKU në qendër e në rrethe.

 

Skandali/ 1750 akt-kontrolle false të bëra prej AKU në
importin, prodhimin dhe tregun ushqimor

 

Duke e vlerësuar Autoritetin e Kontrollit Ushqimor, si një institucion dhe
shërbim shtetëror që ka në dorë sigurinë e shëndetit dhe jetës së konsumatorëve
deri në spitalet, çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve, ne kemi denoncuar me fakte e
prova, krimin e fshehjes së krimit ushqimor të bërë prej ish-drejtuesit Isuf
Shehu dhe “hordhisë” së tij të babëzitur, nepotike e të paaftë, të përdorur
enkas në këtë krim në tregun e çokollatave, të lejimit të mishit kancerogjen e
të kalbur të importit, të tregut dhe punishteve ilegale të qofteve, të pijeve
alkoolike, të tregut të gjësë së gjallë, të ëmbëlsirave, të lejimit të
përdorimit të qumështit pluhur nga një stabiliment prodhimi banditesk që
“stampos” produktet me gjoja 100% qumësht natyral e ujë steril, por që kosi i
tij nuk zë as si… “farë kosi”! Kemi denoncuar skandalin e lejimit dhe
certifikimit si “cilësore” të farërave dhe fidanëve pa kokrra, shumicën e të
cilave i ka biznes një zyrtare e lartë e AKU, ana e se cilës “anon” nga kupola
e korruptuar e AKU. Kemi denoncuar skandalin e futjes dhe lejimit në treg, të
pesticideve që nuk helmojnë e nuk zhdukin viruset dhe insektet, por zhdukin dhe
helmojnë bimët e pemët frutore që kur fara hidhet në tokë, që në rrënjë kur mbin,
që djegin prodhimin që në lule, kokërr dhe në fazën e pjekjes. Kemi denoncuar
krimin masiv të grurit, misrit, krundeve e miellrave që futen nga importi si
tagji kafshësh dhe përdoren për prodhim mielli, buke masive e biskotash. Kemi
denoncuar super-krimin e vajrave që nxirren dhe përpunohen me lloj-lloj
druri  e kalbësirash të xhunglës dhe
lejohen të importohen, paketohen, etiketohen e futen në treg gjoja si “vajra
ushqimorë cilësorë me standarde të BE”. Pa harruar ushqimet e bagëtive,
perimet, frutat, zarzavatet, pulat kalbësira e kancerogjene, thertoret, të
brendshmet e bagëtive, peshkun, sallamet, mishin e grirë me përbërje kafshë të
ngordhura, si dhe akulloret, petët e byrekut, bazat e picave, ëmbëlsirat dhe
ushqimet e paketuara për fëmijë, mishin e vajin në “Fast-Food-e” dhe restorante
e mensa, deri tek misri i kokoshkave që vjen nga importi dhe lejohet të
përdoret vetëm për shpendët në kopshtet zoologjike në Indi! Kjo rrumpallë e
pasigurisë ushqimore, ka si tregues edhe 1750 akt-kontrolle false të bëra prej
AKU në importin, prodhimin dhe tregun ushqimor, të cilat duhen zbardhur, nëse ende
nuk janë zhdukur si letra nga drejtori Sejko dhe nga paraardhësi i tij, përballë
të cilit Sejko  u betua kështu: “Do të
vazhdoj në gjurmët e “arritjeve” të tij|!

 

vijon

Zoti kryeministër, verifikoni “CV” me të cilën keni emëruar drejtuar
drejtorin çam të AKU, zotin Dritan Sejko

 

Edukimi

 

1986-1990: Shkolla e mesme Profesionale “Ali Myftiu”

1990-1992: Universiteti i Tiranës-Fakulteti Inxhinieri Mekanike (ndërprerë
për shkaqe emigrimi)

1996-2002: Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti i
Shkencave Humane Dega Juridik (diplomë)

2008-2010: Master në marrëdhënie ndërkombëtare, Universiteti Evropian i
Strugës

 

Eksperienca
në punë

 

1992-1995: Fabrika “STM”, Cremona, Itali- Tornitor

1995-2000: Administrator Shtëpia Botuese “Sejko”

2000-2001” Menaxher i shpërndarës dhe relacioneve me publikun për gazetën
“Bota Shqiptare”-Romë, Itali

2001-2009: Administrator Shtëpia Botuese “Sejko”

Tetor 2008-Janar 2013: Kryetar i Shoqatës patriotike Çamëria, dega Elbasan

Nga maj 20…..(?!): Zv/Kryetar i zyrës së regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme-Tiranë

Nga janar 2016: Nënkryetar i Shoqatës Patriotike Çamëria

 

Programe
kompjuterike dhe gjuhë të huaja

 

Programet :OFFICE” të sistemit Operativ WINDOWS

programet “ABOBE” të sistemit WINDOWS e Machintosh

Italisht (Certifikatë nga Fakulteti i Gjuhëve të huaja)-Universiteti i
Tiranës Anglisht

Përse drejtori i AKU, nuk jep këto informacione?

 

1.      Shkollimi i tij dhe i shefave të shefave të AKU, si dhe
“CV” me të cilat ata janë emëruar e punësuar në këtë institucion.

2.      Faktet e “rrjetës së merimangës” të lidhjeve nepotike e
familjare bashkëshortë, vëllezër, motra, nipër, mbesa, krushq.

3.      Fakte, lidhur me bizneset ushqimore me origjinë shtazore
e jo shtazore, që kanë shefat e AKU në qendër e në qarqe.

4.      Fakte, se çfarë është bërë me gjobat e vendosura ndaj
subjekteve.

5.      Akt-kontrollet për bizneset ushqimore të shefave të AKU
dhe vartësve të tyre

6.      Të dhëna lidhur me pjesëtarët e delegacioneve të drejtuar
nga shefat e AKU, që kanë shkuar në takime jashtë shtetit.

7.      Të dhëna për biznes i shefave e punonjësve të AKU, të cilët
janë gjobitur nga AKU.