Zjarr në zonat e mbrojtura të Nikolicës, kërkohet ndërhyrje nga ajri

544
Sigal

Digjen 30 ha kullota dhe 20 ha pyje të rrethit Devoll

Nga Vepror Hasani

Prej dy ditësh një zjarr i fuqishëm po përhapet me shpejtësi në zonat e mbrojtura të pyjeve të Nikolicës në rrethin e Devollit. Deri në mbrëmjen e ditës së hënë ishin djegur 30 ha kullota dhe bimësi e ulët dhe 20 ha pyje. Tashmë zjarri po i afrohet gjithnjë e më shumë fshatit Nikolicë, i cili rrezikon të djegë shtëpitë e këtij fshati, banorët e të cilit gjenden ose në emigracion, ose në qytete të tjera. Për këtë arsye është kërkuar edhe ndihma e ndërhyrjes nga zjarri, por kjo gjë nuk u bë e mundur. Arsyet pse nuk u ofrua kjo mundësi nuk dihen Gjendja vijon të mbetet alarmante, pasi flakët mund të përfshijnë edhe pyjet përtej Qafës së Furkës dhe të hyjnë në zonën e Kozelit të rrethit Kolonjë. Pritet të shihet çfarë do të sjellë e nesërmja, për të parë edhe nëse janë shtuar sipërfaqe të tjera të djegura. Ndërkaq burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se forca të shumta po bëjnë përpjeke për fikjen e zjarrit, por efektiviteti është i ulët pasi po punohet pa zjarrfikëse dhe pa mjete të tjera; vetëm me kazma e lopata. Megjithatë, sipas Prefektit Dhori Spirollari, i cili po e ndjek situatën nga afër, se sot do të ketë ndërhyrje të specializuara.

 Zanafilla e zjarrit

Fillimisht, ditën e diel, rënia e zjarrit u diktua në kullotat e Malit të Kuq, ku prej andej nuk vonoi të kalonte në zonat e mbrojtura të Nikolicës, madje duke dalë në krye të majave të malit. Shtrirja e zjarrit është mjaft e madhe. Nisur nga situata e jashtëzakonshme, për fikjen e zjarrit u bënë bashkë të 6 bashkitë e qarkut Korçë, përfshi këtu Bashkinë Korçë, Devoll, Pogradec, Pustec, Maliq dhe Kolonjë; bëhet fjalë për pjesëmarrje të emergjencave civile pranë çdo bashkie. Gjithashtu, pjesë e fikjes së zjarreve u bënë edhe banorët e zonës dhe forcat e ushtrisë. Ndërsa ndërhyrja me automjete zjarrfikëse nuk u realizua pasi terreni është mjaft i thyer, dhe veç kësaj edhe rrugët ndërpyjore mungojnë krejtësisht, pasi bëhet fjalë për zona malore mjaft të thyera. Të gjendur në kushte të tilla, izolimi i vatrave të zjarrit dhe mbajtja nën kontroll e flakëve të zjarrit pothuajse ka qenë e pamundur

 Drejtoria e Zonave të Mbrojtura

 Edhe për Drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura për Qarkun Korçë, Mihallaq Qirio, gjendja ka qenë e vështirë dhe alarmante, jo vetëm sepse zjarri ka kaluar në zonën e mbrojtur duke shkaktuar një dëm të madh në kurorën e pishës, por edhe sepse fikja e zjarrit nuk mund të bëhet e mundur me mjete rrethanore. Sipas Qirios, situata është shumë më e vështirë krahasuar me atë të ditës së parë. Të gjitha përpjekjet tona, – tha ai, – janë përqendruar në moskrijimin e vatrave të reja të zjarrit, pasi në rast se do të ndodhte kjo, situata do të dilte tejet jashtë kontrollit. Megjithatë, edhe në orët e vona vijohej të punohej për mbajtjen e zjarrit nën kontroll. Ndërkohë Policia e Qarkut Korçë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Me qenë se kjo zonë frekuentohet nga banorët të paktë, mendohet që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm, por nuk përjashtohet mundësia që zjarri të ketë qenë edhe si pakujdesi e barinjve që kullosin bagëtinë në këto pyje. Për të gjitha këto, pritet të ketë një informacion edhe nga policia. Gjithsesi, parësore mbetet fikja e zjarreve dhe ardhja e mjeteve, qoftë edhe nga ajri, për t’i dhënë fund kësaj situate sa më parë të jetë e mundur, pasi zonat e mbrojtura tashmë janë të rrezikuara, madje zjarri mund të kalojë edhe në zonën e Kolonjës.