Zhvillimi urban, Shqipëria dëshiron të “kopjojë” Kinën

542
Ministrja Eglantina Gjermeni shprehet se plani urbanistik ka përcaktuar drejtimin e ndërtimit të qyteteve
Në vitin 2013, qeveria shqiptare hartoi planin e urbanizimit “Shqipëria 2030”, me synim reformën për urbanizimin e 61 bashkive të vendit. Lidhur me këtë, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës në shqip theksoi se “plani urbanistik ka përcaktuar drejtimin e ndërtimit të qyteteve të Shqipërisë, si dhe ka rritur besimin e investitorëve brenda dhe jashtë vendit, ku përfshihen dhe investitorët kinezë”. “Kina ka një eksperiencë të pasur në zhvillimin e urbanizimit, ndaj Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin me palën kineze dhe të shkëmbejë përvojën në këtë fushë”, tha ajo. Vitet e fundit me zbatimin e nismës “Një Brez, Një Rrugë” dhe mekanizmin e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore “16+1”, shkëmbimet kino-shqiptare në fushat politike, ekonomike, tregtare dhe kulturore kanë pasur një prirje rritjeje.

Ministria Gjermeni u shpreh se Shqipëria mirëpret investimet e kompanive kineze. Ajo vuri në dukje se, “asnjë investitor nuk do të vinte në qoftë se nëse nuk do të ekzistonte një plan i hartuar për një zonë specifike, të dijë ku do të ndërtohet, prandaj ne kemi hartuar planet e ndërtimit për çdo qytet, me qëllim lehtësimin e investimeve, zhvillimin e studimeve për zonën, që preferojnë ata. Kjo është një garanci për investitorët”. Për zhvillimin urban, ministrja Gjermeni u shpreh se urbanizimi i Kinës ka shënuar suksese të mëdha, ndaj Shqipëria mund të mësojë nga eksperienca e Kinës në infrastrukturë, hapësirat publike, ndriçim, gjelbërimin urban, strehim etj. Ajo shtoi se në të ardhmen Shqipëria do të zhvillohet me ritme të shpejta, por duke ruajtur tokën bujqësore, siç ka bërë Kina, sepse bujqësia përbën një nga të ardhurat kryesore të vendit. Urbanizimi i Shqipërisë jo vetëm do të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, por do të respektohet mjedisi, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë për sot dhe për brezat që vijnë.

Lidhur me nismën “Një Brez, Një Rrugë”, ministrja Gjermeni tha se nëpërmjet saj Kina ka krijuar lidhje të ngushta me shumë vende, përshirë Shqipërinë. Bazuar në miqësinë historike shqiptaro-kineze dhe bashkëpunimin prej një kohe të gjatë, pala shqiptare dëshiron që plani i investimeve i miratuar nga të dyja palët të realizohet sa më shpejt dhe shpreson të përfitojë sa më shumë nga Kina, si një vend i madh me përvojë zhvillimi dhe fuqi investimi.

Ndërkohë Shqipëria është duke zbatuar një projekt për pajisjen e 61 bashkive me plane rregulluese. Për shkak të ndarjes së re territoriale dhe problematikave të shumta, bashkitë nuk kanë funksionuar mbi bazën e planeve të mirëfillta të zhvillimit, por kanë bërë kryesisht studime pjesore.
Sigal