‘Zgjedhjet e 30 qershorit’/ Presidenca: Kjo është pyetja thelbësore që Kushtetuesja i fshehu ‘Venecias’

205
Sigal

Nëpërmjet Këshilltarit për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj, institucioni i Presidentit të Republikës, bëri sot publik qëndrimin zyrtar të Kreut të Shtetit lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Ndër argumentat ligjore të publikuara, Presidenti Meta, nëpërmjet këshilltarit të tij renditi edhe një pyetje, që sipas tij ishte në vetvete themeli i çështjes, por që nuk kishte marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

Argumenti i Presidentit të Republikës Ilir Meta

Presidenti i Republikës, i bëri me dije Gjykatës se, nuk kishte paqartësi dhe rrjedhimisht as ndonjë pyetje për t’i adresuar Komisionit të Venecias, lidhur me çështjen e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, antikushtetutshmëria e të cilit ishte objekt shqyrtimi nga ana e gjykatës.

E vetmja palë pjesëmarrëse në proces, që i parashtroi Gjykatës Kushtetuese pyetje për Komisionin e Venecias, ishte pala kërkuese, Shoqata e Bashkive, e cila, kërkoi që Gjykata Kushtetuese t`i përcillte Komisionit të Venecias pyetjen e saj me këtë përmbajtje:

– A është Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ai për anulimin e saj, një akt me karakter të përgjithshëm ose akt normativ kushtetues apo është një akt administrativ nënligjor individual dhe në çdo rast, a mund të refuzohej zbatimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sikurse ka ndodhur, apo duhej që këto dekrete t’ju nënshtroheshin vlerësimit mbi kushtetutshmërinë vetëm nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e kërkimeve të subjekteve që kishin pretendime në përputhje me kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të kësaj gjykate?

Pyetja që ngriti shoqata e Bashkive, ishte në vetvete themeli i çështjes.

Gjykata Kushtetuese, në datën 09.07.2021, i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesën për dhënien e një opinioni, duke injoruar dhe fshehur pyetjen që kishte kërkuar Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe duke orientuar Komisionin e Venecias të shprehej vetëm për 3 pyetjet e hartuara nga vet Gjykata.

Këto pyetje të hartuara nga Gjykata, jo vetëm që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e gjykimit, por në mënyrën se si ato u formuluan, qartazi kërkonin të orientonin dhënien e një Opinioni që do të shërbente për të legjitimuar vendimmarrjen e saj të mëvonshme, për shpalljen e Gjykatës Kushtetuese si jo kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që përmes një procesi jo transparent, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, dhe barazinë e palëve në gjykim, i mohoi Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të drejtën për të marrë një përgjigje përfundimtare për pyetjen që kishte ngritur.

Madje, Gjykata Kushtetuese as nuk e njoftoi këtë të fundit (Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë) dhe as i dha asaj ndonjë shpjegim për këtë fakt.

Kjo mënyrë operimi e Gjykatës Kushtetuese, na krijon bindjen e palëkundur se, Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë vendimin e saj për ta shpallur veten jo kompetente për zgjidhjen e çështjes, që prej datës 23 qershor 2021, dhe dërgimi i çështjes në mënyrë të papritur në Komisionin e Venecias, për të marrë një opinion këshillimor, ishte një taktikë e gjykatës, që përmes procedurave, të shtynte në kohë vendimmarrjen e saj, me qëllim që t`i krijonte vetes një justifikim përballë publikut, për mos përmbushjen e detyrës dhe funksionit themelor të saj, duke u vetëshpallur jo kompetente për shqyrtimin e themelit të çështjes.