“Zgjedhje të lira dhe të ndershme më 6 mars”, Yuri Kim dhe Soreca takojnë kreun e KQZ: Qytetarët të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe pa asnjë nxitje

160
Sigal

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim dhe Ambasadori i BE Luigi Soreca u takuan sot me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi për të shprehur, përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, mbështetjen për rolin kritik të KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ambasadorja Kim nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime apo nxitje të panevojshme. Ajo nxiti KQZ-në që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshi verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.

Ajo vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për në BE. Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të palëkundura të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë për një demokraci më të fortë dhe një të ardhme më të begatë.