Zbulohen dy kandidaturat e PS-së në Berat

778
Sigal

Koordinatori i Partisë Socialiste, Luman Spathara: “Listës do t’i bashkëngjiten kirurgu Eduard Bejko dhe ekonomisti Stavri Ceca”

Listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit i janë shtuar edhe dy emra të rinj, përpos atyre që diheshin. Të njohur me lajmin, socialistët i kanë pritur me kënaqësi emrat e kandidaturave për deputet, të cilët do të kandidojnë në këtë zonë. Ata shprehen se, përveç figurave të shquara dhe të pranishëm si Fidel Ylli, Ermonela Felaj e Eduart Shalësi kësaj liste i janë bashkangjitur edhe dy emra të njohur për qytetin e Beratit. Kështu si kandidatë për deputet është një nga figurat më të spikatura dhe shumë popullore Eduart Bejko, mjeku kirurg i Spitalit Rajonal të Beratit, i cili me duart e tij ka shpëtuar qindra jetë njerëzish. Një tjetër figurë e pakonsumuar dhe shumë e spikatur është ajo e ekonomistit Stavri Ceca, i cili ka kryer disa detyra të rëndësishme në Berat, si n/kryetari i bashkisë dhe tashmë mban detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes Rrugë-Trotuare, pranë bashkisë së qytetit.

Reagimet

Të parët kanë qenë veteranët, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre pozitivë në lidhje me kandidaturat për deputet, duke i dhënë atyre edhe një mbështetje morale. Nazmi Sula anëtari i Asamblesë, intelektual e drejtues në qytetin e Kuçovës shprehet: “Partia Socialiste ka bërë një përzgjedhje të mirë për kandidaturat që ka zgjedhur për deputet në Qarkun e Beratit. Këto kandidatura do të përfaqësojnë fushatën dhe do të marrin përkrahjen e madhe të socialistëve. Ne jemi krenarë se Rama, ka ditur të përzgjedh kandidatura të mira, jo vetëm në Berat, por në shkallë vendi”, tha anëtari i Asamblesë. Ndërsa koordinatori i Partisë Socialiste të Beratit, Luman Spathara, shprehet për gazetën se, kandidatët e fundit për deputet që do t’i bashkohen listës janë dy nga figurat më të spikatura të qytetit, ai është Eduart Bejko, një person shumë i mirë dhe një mjek i talentuar dhe i dyti është ekonomisti Stavri Ceca. “Këto dy figura dhe ato të tjerat, që për ne janë shumë të mira do të përfaqësojnë popullin e Beratit në parlament”,- tha Spathara. Shumë socialistë edhe të qytetit të Urës- Vajgurore, janë shprehur optimistë për kandidaturat e përzgjedhura në Qarkun e Beratit, këto dhe ato të tjerat do të jenë një mbështetje e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që ka sot Qarku i Beratit, i cili prej kohësh është lënë në pikë të hallit nga qeverisja e partisë në pushtet.