Zbardhet VKM-ja për konvertimin e patentave me Italinë. Ja 9 dokumentet që nevojiten

2526
Sigal

Ja procedura dhe dokumentet për konvertimin e patentave të emigrantëve shqiptarë në Itali

Prej dy vjetësh, konvertimi i patentave të reja shqiptare (të lëshuara nga viti 2017 e mbrapa) nuk është i mundur në Itali. Kjo pasi formati i ri nuk përfshihej në marrëveshjen dypalëshe të konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve. Në mënyrë që kjo të ndryshohej e t’i kaluar shtetit italian zyrtarisht formatin e ri të patentave shqiptare u desh një punë e gjatë dhe e zvarritur, gjë që ndoshta duhej bërë përpara ndryshimit të formatit, për të mos u shkaktuar një sërë pengesash e vështirësish shumë shqiptarëve të Italisë.

Miratimi i vendimit nga qeveria

Më 22 maj qeveria shqiptare miratoi VKM-në për “Ndryshimin me shkëmbim notash të marrëveshjes, mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për konvertimin e konvertimin e lejeve të qëndrimit”. Ndryshimi ka të bëjë pikërisht me kalimin palës italiane të formatit të ri të lejeve shqiptare të drejtimit të automjeteve që lëshohen prej vitit 2017. Tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse të bëhet shkëmbimi i notave e t’i përcillet palës italiane, formati i ri i patentave shqiptare. Sapo kjo të ndodhë, Ministria e Infrastrukturave dhe Transporteve të Italisë do t’i përcjellë të dhënat teknike të formatit të ri shqiptar të patentave zyrave periferike të Motorizimit Civil në mënyrë që këto të mund të pranojnë sërish kërkesat për konvertim që paraqiten nga shtetas shqiptarë të pajisur me leje drejtimi nga 2017 e këtej. Marrëveshja dypalëshe e konvertimit të patentave është në fuqi deri më 25 dhjetor 2019. Pas kësaj date duhet përtërirë sërish.

Kriteret e konvertimit

Kriteret e konvertimit mbeten të pandryshuara dhe përfshijnë:

Konvertohen patentat shqiptare që janë marrë para vendosjes së rezidencës në Itali.

-Patenta shqiptare mund të përdoret në Itali vetëm vitin e parë të rezidencës.

Në mënyrë që t’i japë makinës në Itali pas vitit të parë të rezidencës, i interesuari duhet të ketë konvertuar shqiptaren në Italiane. Gjithsesi i interesuari ka deri katër vjet kohë për të konvertuar patentën shqiptare në italiane pa qenë nevoja të japë provimet e teorisë dhe të praktikës, por veç vitit të parë, gjatë tre të tjerëve nuk mund të ngasë makinën në Itali. Sipas Ministrisë së Infrastrukturave dhe Transporteve, konvertimi i patentave shqiptare është njësoj si ai i patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë, ashtu si Shqipëria.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre provinciale të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në formularin TT 2112 (që jepet në sportel) e përpiluar dhe e nënshkruar;
– Dëshmia e derdhjes së 32,00 € në llogarinë rrjedhëse postare 4028;
– Dëshmia e derdhjes së 10,20 € në llogarinë postare 9001. Buletinet e llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat Provinciale të Departamentit të Transportit tokësor. Nuk mund të përdoren buletine të tjera përveç këtyre të gatshme;
– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët;
– Përkthimi me pullë-taksë me 16,00 € i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar. Përputhshmëria e përkthimit me tekstin shqip duhet të certifikohet nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali. Kjo certifikatë duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;
– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;
– Certifikata mjekësore me pullë-taksë me fotografi (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;
– Fotokopja e kodit fiskal;
– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e pa skaduar (tregohet edhe origjinali për të verifikuar përputhshmërinë me fotokopjen), ose i kuponit të përtëritjes (dokumentet tregohen edhe në origjinal për të verifikuar përputhshmërinë me fotokopjen).