Ymeri dhe Kurti tubim në Tiranë të shtunën, me 17 shkurt protestë në Kosovë

525
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri dhe lideri historik i saj Albin Kurti do të zbarkojnë të shtunën në kryeqytetin shqiptar për të testuar mbështetjen e Tiranës lidhur me kauzën e tyre.
Në faqen e saj zyrtare në fb, VV ka njoftuar mbajtjen e një tubimi në sallën “UNESCO” te Muzeu Historik Kombëtar.
“Të shtunën në Tiranë, ora 15:30, te Muzeu Historik Kombëtar, salla “UNESCO”, sheshi “Skënderbeu”. Pjesëmarrës: Visar Ymeri, Albin Kurti.”
Në këtë mënyrë partia kryesore e opozitës në Kosovë të sensibilizojë edhe qytetarët e Shqipërisë për rrezikun e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjes me Serbinë për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë në Kosovë tre partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, planifikojnë që protestën e radhës ta mbajnë pikërisht në 8-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.
Lajmin për KosovaPress e konfirmoi një burim i besueshëm brenda opozitës.
“Pas takimeve tona mobilizuese me strukturat dhe koordinimit ndëropozitar, opozita 17 shkurtin e ka vendosur si datë të protestës së radhës”, thotë ky burim.
Opozita e bashkuar në vazhdimësi ka kundërshtuar dy marrëveshjet e arritura me dy shtetet fqinjë, atë të Asociacionit të komunave serbe me Serbinë, si dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Në deklarime të mëhershme, para dhe pas protestës së 9 janarit, opozita vendosmërisht ka deklaruar protesta deri në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, nëse e njëjta nuk tërheq marrëveshjen për Asociacionin, duke pasur për bazë interpretimin e tyre të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë marrëveshje, e cila kishte thënë se kjo marrëveshje nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkaq, sinjale për tërheqje të Marrëveshjes së Asociacionit nuk ka pasur nga Qeveria e Kosovës. Përkundrazi, Qeveria këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave serbe, në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Sigal