Ylli Rakipi padit Ramën: Diktatori kërkon të kontrollojë gjithçka, procesi me dyer të hapura

457
Sigal

Gazetari Ylli Rakipi ka bërë një kundërpadi ndaj kryeministrit Rama, pas padisë së këtij të fundit ndaj Rakipit për shpifje.

Ai e ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

Gazetari deklaroi se gjyqi ndaj tij është politik, ndërsa ka besim se drejtësia do japë vendimin e duhur duke bërë thirrje që procesi gjyqësor të jetë me dyer të hapura.

“Procesi gjyqësor të vijojë me dyer të hapura dhe njerëzit të shohin se kush i fyen njerëzit. Edi Rama ka vite që kërkon të mbyllë emisionin “Të Paekspozuarit”, që ka denoncuar aferat korruptive të kryeministrit Rama. Të gjithë e kanë parë se kush i fyen gazetarët vazhdimisht. Rama është diktator i tipit amerikano-latin, njësoj si Putini. Kërkon të kontrollojë gjithçka. Media ka padyshim problemet e veta por Rama nuk është aty për të kontrolluar. Rama është kryeministri më gojështhurur që nga vitit 1912. Ju e keni dëgjuar fjalorin që ai përdor për ne gazetarët. Ky është një gjyq politik. Unë besoj te ajo drejtësi, se ka edhe njerëz të ndershëm dhe që nuk mund të japin verdikte të tilla edhe pse Rama i kërcënon me vetting.” – tha Rakipi.