Ylli Ndroqi:Mundësira të reja të bashkëpunimit të bizneseve shqiptaromeksikane

302

Zhvillohet forumi ekonomik Shqipëri-Meksikë me përkujdesjen e konsullit të nderit Ylli Ndroqi

Hapja e konsullatës në Tiranë pak muaj më parë ka filluar të japë efektet e para për të afruar sa më pranë Shqipërinë me Meksikën. Dhe përveç marrëdhënieve diplomatike, sektori i parë i interesuar për një bashkëpunim është gjithmonë biznesi. Në këtë frymë, Konsulli i nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë, Ylli Ndroqi u ka dhënë mundësi bizneseve të dy vendeve të njohin potencialet e bashkëpunimit, nëpërmjet forumit të parë ekonomik mes dy vendeve.

“Në cilësinë e Konsullit të nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë, kam kënaqësinë që hap këtë forum biznesi për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Meksikës. Ky forum do të afrojë biznesin meksikan dhe atë shqiptar në fushën e tregtisë, turizmit dhe industrisë. Duke patur parasysh që Konsullata e Nderit Meksikane është hapur përpara tre muajsh këtu në Shqipëri, ne hymë në kontakte të menjëhershme për t’i ofruar biznesit shqiptar mundësinë e koordinimit me biznesin meksikan” theksoi konsulli i nderit Ylli Ndroqi.

Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka vlerësoi punën e bërë nga Konsullata e Meksikës në Shqipëri  për prezantimin e potenciale të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Është kënaqësi për mua të jem pjesë e këtij forumi të rëndësishëm. Në radhë të parë do të doja të identifikoja rolin dhe rëndësinë e atyre që kanë mundësuar organizimin e këtij forumi dhe që vjen nëpërmjet konsullatës së nderit të hapur në Shqipëri nëpërmjet z. Ndroqi, ku jo më parë se tre muaj pati hapjen e saj. Ajo bëri të mundur që shumë shpejt të informojë, por njëkohësisht edhe të aktivizojë strukturat e ambasadës që mbulojnë Shqipërinë, për të bërë një prezantim të potencialeve të mundësive të bashkëpunimit dhe të qarkullimit tregtar nëpërmjet Meksikës dhe Shqipërisë. Njëkohësisht, i bëj thirrje politikës shqiptare dhe në veçanti Ministrisë së Punëve të Jashtme, që të jetë e fokusuar në gjetjen e atyre njerëzve, të cilët japin kontribut në ekonominë shqiptare dhe vënë në lëvizje instrumente dhe sisteme të tjera, që i shërbejnë ekonomisë shqiptare” theksoi Jaka.

Ndërsa Konsulli i nderit të Meksikës në Itali, Eleazar Velasco Navarro vlerësoi arritjet e bëra nga Shqipëria ndërsa vlerësoi edhe homologun e tij në Tiranë Zotin Ylli Ndroqi. “Ne kemi ndjekur zhvillimin e Shqipërisë dhe jam i kënaqur për arritjen e vendit tuaj.  Kemi një përfaqësues shumë të mirë në Tiranë, konsullin e nderit zotin Ylli Ndroqi dhe jemi shumë të kënaqur” theksoi Navarro.

Navarro bëri edhe një përshkrim të shkurtër të ekonomisë meksikane duke e cilësuar atë si ekonominë e dytë më të rëndësishme në Amerikën Latine. “Pas krizës që pësuam, ekonomia jonë po ecën në rrugën e duhur dhe kemi financa të shëndetshme. Meksika është ndër vendet më të hapura me botën. Jemi vendi i dytë më i rëndësishëm në Amerikën Latine dhe vendi i 16-të në botë si eksportues si dhe vendi i 12-të i eksportimit të naftës. Qeveria meksikane synon ta bëjë vendin sa më konkurrues, ndaj po vazhdojnë reformat. Presidenti i Meksikës vazhdon reformat që ta bëjë ekonominë e vendit sa më konkurruese” tha më tej ai. Ndërsa e cilësoi bashkëpunimin mes dy vendeve si mjaft të rëndësishëm, konsulli i nderit të Meksikës në Itali Navarro theksoi se biznesi është një aleat shumë i mirë për të rritur këtë bashkëpunim. “Dy vendet tona nuk njihen, por ne kemi interes për njëri-tjetrin. Nuk ka asnjë investim mes dy vendeve tona për shkak të distancës dhe mungesës së njohurive. Ka mundësi për bashkëpunimin dypalësh dhe biznesi ndihmon në këtë gjë. Mendojeni Meksikën si një partnerët më të mirë në fushën e tregtisë” shtoi më tej Navarro.

Në mbyllje të forumit, Konsulli i nderit i Meksikës në Tiranë Zoti Ylli Ndroqi i bëri thirrje investitorëve meksikanë të vijnë të investojnë në Shqipëri. “Duhet të organizojmë një tjetër forum biznesi për të parë interesin e investitorëve meksikanë. Ftojmë biznesin meksikan të vijë të investojë në Shqipëri, pasi ka resurse të shumta . Ne kemi një bregdet të pasur i cili ka nevojë për investim dhe zhvillim.  Me Jakajn do të ngremë një Dhomë Tregtie Meksikane për të afruar investitorët meksikanë në Shqipëri  dhe për të ofruar një frymë të re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Meksikës” përfundoi fjalën e tij zoti Ylli Ndroqi.