Ylli Ndroqi në mbrojtje të bizneseve: Duhet më shumë kreditim nga bankat për energjetikën

771
Kreditimi për investimet në energjetikë dhe hezitimi i bankave shqiptare për të mbështetur projektet në këtë sektor ka qenë një ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga kreu i shoqatës së Konsujve të Nderit,Ylli Ndroqi, gjatë një takimi ballafaques të sipërmarrjeve vendase dhe të huaja me Ministrin e Energjitikës Gjiknuri dhe Guvernatorit Sejko.

Në takimin e katert të Konsujve të nderit z.Ndroqi siguroi edhe mbështetjen e Norvegjisë, si një partnere e Shqipërisë në zhvillimin e sektorit energjitik, por për një zhvillim të qëndrueshëm ambasadori norvegjez theksoi nevojën e shtetit ligjor dhe klimës pozitive për biznesin. Tryeza e rrumbullakët me temë “Energjia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik- Roli i Diplomacisë Ekonomike” u organizua sot në hotel Tirana.

Tirane– Për herë të katërt shoqata e “Konsujve të Nderit” vijoi traditën e organizimit të tryezave ku diskutohen tema të rëndësishme që lidhen me ekonominë shqiptare dhe diplomacinë. Nën drejtimin e Kreut të shoqatës së Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, bizneset e pranishme dhe ekspertët më të rëndësishëm të sektorit energjetik patën mundësi të diskutojnë edhe me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri si dhe me Guvernatorin Sejko.

Investimet në sektorin energjitik kanë një peshë të rëndësishme për ekonominë shqiptare.
Ylli Ndroqi: Këtë vit fokusi i diskutimit është vendosur tek energjia, sepse besojmë fort se një nga rrugët më të rëndësishme për zhvillimin e vendit në Shqipëri është energjia. Këtu kemi investitorë të huaj shqiptarë që kanë investuar me të vërtetë shumë fuqishëm përsa i përket energjisë. 

Në një kohë që investimet në energji zënë 70% të totalit të investimeve, ministri Damian Gjiknuri premton se së shpejti do të miratohet një strategji e re për sektorin energjetik.
Damian Gjiknuri: “Stoku më i madh i investimeve të huaja është në energji dhe këtu po flas për gjithë portofolin e energjisë, nuk e kam fjalën vetëm për energjinë elektrike, pra ku përfshihet nafta, gazi dhe po të shikojmë shifrat, stoku, në mos gaboj, rreth mbi 70% të investimeve të huaja kanë qenë të fokusuara në energji.” 

Mbështetja dhe kreditimi i projekteve në enegjitikë ka qenë një ndër shqetësimet kryesore që u ngrit në këtë tryezë nga kreu i Shoqatës së Konsujve të Nderit Ylli Ndroqi, i cili kërkoi më shumë mbështetje nga bankat e nivelit të dytë. 

Guvernatori Gent Sejko pranoi se kreditimi është i ulët për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija. 
Ylli Ndroqi: Këto dy vitet e fundit, bankat janë tkurrur përsa i përket dhënies së kredisë. Unë do doja ta ngre këtë shqetësim se jo pa qëllim jemi mbledhur. 

Gent Sejko: Është shqetësim i drejtë, bankat për atë punë janë, që të mbështesin projektet të cilat janë në projeksione pozitive. Tkurrja e bankave ka ardhur nga një mjedis i përgjithshëm që vjen dhe nga kreditë me probleme me shumë faktorë. 

Ambasadori i Norvegjisë i cili kishte ardhur posaçërisht nga Kosova për këtë aktivitet të Konsujve të Nderit renditi disa ide për zhvillimin e sektorit energjetik duke vënë theksin tek klima e biznesit dhe garancitë që jep shteti ligjor. 

Strand Sjaastad: Besoj se energjia do të luajë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Është e rëndësishme të mos harrojmë se mundësitë për investim në sektorin energjetik varet nga klima e biznesit dhe të gjitha sa i takon shtetit të së drejtës që do të rezultojnë një siguri për një të ardhme premtuese për Shqipërinë. Norvegjia do të mbetet një partnere konstruktive në këtë proces. 

Ekspertë të sektorit të energjisë i sugjeruan qeverisë që të tregojë kujdes në dhënien e kontratave dhe në mesazhin që marrin investitorët vendas dhe të huaj. 

Gjergj Bojaxhi: Anulimi i lejes mjedisore, jo vetëm që nuk është aplikuar asnjëherë në dhjetra-qindra hidrocentrale të bëra, por është dicka e cila cënon besimin që investitorët duhet të kenë në këtë sektor.

Arben Malaj: Jemi pak vonë me sfidat që sektori i energjisë mund të ballafaqojë ekonominë shqiptare.

Ardian Civici: Mesazhi më i rëndësishëm që ka jo vetëm energjia, por gjithë sektori i zhvillimit ekonomik është konsensusi dhe qartësia në strategjitë e Zhvillimit Ekonomik të vendit.

Në përfundim ambasadori norvegjez, vendi i të cilit është përdoruesi më i sukesshëm i burimeve ujore, la porosi që puna e bërë të pasohet nga një shfrytëzim më i mirë i kohës, me qëllim që në vitet e ardhshme të merren masat e duhura.

Strand Sjaastad: Puna e bërë nga qeveria është goxha premtuese por ka akoma punë për të bërë. Nëse e shfrytëzoni kohën mirë, e kam fjalën për vitet që vijnë nëse merrni masat e duhura, unë kam besim se sektori i energjisë do të jetë një forcë shtyese e arritjes ekonomike dhe Norvegjia është përgatitur të jetë partnerja juaj në këtë proces.
Sigal