Kompania ajrore “Wizz Air” njihet si një ndër kompanitë më problematike që operojnë në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Ka shumë raste ku kjo kompani ka anuluar fluturimet e saj dhe shumë raste të tjera për moszbatim të orareve të cakturara, ku për shkak të vonesës së fluturimeve qytetarët presin me orë të tëra brenda në avion.
Së fundmi, qytetarët kanë dërguar një video tek JOQ Albania ku tregojnë kushtet skandaloze të kësaj kompanie ajrore brenda avionit.
Pasagjeri i cili ka realizuar videon tregon se kjo kompani ka vonuar një fluturim dhe gjatë pritjes brenda avionit, nuk ndizen as kondicionerët për pasagjerët në këto ditë të nxehta ku temperaturat kapin 35°C. Për shkak të kushteve të këqija, një pasagjereje i ka rënë të fikët.
Gjatë videos shihen dhe stjuardesat e avionit, të cilat i sulen pasagjerit ku nuk e lejojnë që të filmojë dhe të tregojë kushtet e vërteta të kësaj kompanie ajrore.
Mbetet për t’u parë nëse autoritetet shqiptare të kontrollit të aviacionit civil do të ndërhyjnë për të sanksionuar WizzAir për vonesat e përsëritura, apo si gjithnjë do të mbyllin njërin sy.